Statovci: Respektimi i Kushtetutës është një premtim që duhet mbajtur
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Guxo, njëherit kryetare e degës së kësaj partie në kryeqytet, Jeta Statovci ka komentuar zhvillimet e fundit në Bruksel.
Në një prononcim dhënë Nacionales, Statovci ka thënë se respektimi i Kushtetutës është një premtim që Kosova i ka dhënë botës dhe të cilin duhet ta mbajë.
"Diplomacia e Qeverisë tonë ka qenë vazhdimisht në shërbim të Kushtetutës tonë, e cila realisht është një produkt i marrëdhënieve të mira me perëndimin dhe botën demokratike, e qëndisur asisoj që të krijoj stabilitet, rend dhe ligj për të gjthë qytetarët që jetojnë në të.Respektimi i Kushtetutës dhe shtrirjes së sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës, është një premtim i Kosovës dhënë botës, për pavarësimin e saj", tha fillimisht ajo.
Tutje, deputetja e kësaj legjislature shtoi se për më tepër,Kosova ka qenë në dispozicion të perëndimit në mënyrë që të përshpejtojë integrimin e rajonit tonë në BE.
Sipas saj, tentimet e fundit të fqinjve veriorë dhe tentimi i BE-së për të ndikuar te Serbia, nuk është zgjidhje afatgjate për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
"Kosova për më tepër ka qenë në dispozicion të politikave të perëndimit në mënyrë që të përshpejtoj integrimin e rajonit tonë në BE.Zhvillimet e fundit dhe tentimi i BE-së që të ndikoj te Serbia që kjo e fundit të mos rreshtohet në mënyrë rigide me Rusinë, duke imponuar një presion diplomatik në adresë të Kosovës nuk është zgjidhje afatgjate për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.Serbia nuk duhet të inkurajohet duke i ofruar anshmëri jo parimore në dëm të sovranitetit të Kosovës dhe njohjeve ndërkombëtare të saj veçanërisht nga shumica dërrmuese e vendeve të BE", përfundoi Statovci.
