"Ka disa pyetje": Raportohet se është refuzuar nisma e Çekisë për liberalizim të vizave - NACIONALE

"Ka disa pyetje": Raportohet se është refuzuar nisma e Çekisë për liberalizim të vizave

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Të paktën dy shtete, duke përfshirë këtu edhe Spanjën, po raportohet se kanë penguar propozimin e Çekisë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidenca çeke e Bashkimit Evropian, konfirmoi se “janë disa pyetje që duhen sqaruar”.

Radio Evropa e Lirë, duke u thirrur në burime ka raportuar se sot ka skaduar afati që vendet e BE-së, që me procedurën e heshtur, t’i paraqesin vërejtjet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Veç kësaj, thuhet se Spanja është një prej këtyre shteteve, që paraqiti vërejtje, duke kërkuar më shumë sqarime.

Flet Presidenca çeke

Eva Hrncirova, zyrtare në presidencën çeke të BE-së, i ka thënë Nacionales se nuk mund të konfirmojë një gjë të tillë.

Megjithatë, ajo tha se “ka nevojë që të sqarohen disa pyetje” në lidhje me liberalizimin e vizave.

“Nuk mund ta konfirmoj. Çfarë mund t’ju them është se ne sërish do të vazhdojmë negociatat, pork a nevojë të sqarohen disa pyetje”, tha znj.Hrncirova.

Çfarë ndodhi javën e kaluar?

Grupi Punues i Këshillit të Bashkimit Evropian për vizat, javën që lamë pas mbajti një takim dhe përfundim ishte që nuk ka consensus rreth kësaj çështje.

Funksionalizimi i sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, u raportua të jetë kushti i radhës për Kosovën, i cili thuhej se është përkrahur nga Franca, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Pikërisht për këtë arsye, u raportua se kosovarët do të duhet të presin të paktën edhe një vit më shumë rreth kësaj.

Ndërkaq, po atë ditë, korospodentja e Radio Televizionit të Kosovës, Gjeraqina Tuhina kishte folur për procedurën e heshtur, duke thënë se ka gjasa që data 1 nëntor 2023, të jetë afati kur vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi.

“Teksti i ri nuk është bërë, mirëpo nënvizohet se nuk ka koncesus por ka përparim. Ajo çka mund të ndodhë është që të shpallet vendimi në gazetë zyrtare, dhe aty të jepet edhe data kur do të hyjë në fuqi liberalizimi. Tani në dritë të disa pengesave të tjera që dolën, atëherë së paku do të ketë një datë të qartë se kur do të kemi liberalizim, kjo do të jetë më së voni 1 nëntor 2023. Deri javën e ardhshme do të kemi datë të qartë kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm, e kjo datë është 1 nëntor”, kishte deklaruar ajo.

“Procedura e heshtjes”, apo e thjeshtuar me shkrim, përdoret nga Këshilli i BE-së për të miratuar lloje të akteve të specifikuara.

Sipas procedurës, akti konsiderohet i miratuar në fund të periudhës së caktuar nga Kryesia, përveç në rast kur një anëtar i Këshillit e kundërshton, siç është rasti me Spanjës që po raportohet tani.

Çka është liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.

Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.

Një liberalizim potencial nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht. Gjendja në këtë marrëveshje çdoherë mbetet për t'u rivlerësuar. Së pari, qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara. Së dyti, në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës. Rrjedhimisht liria e lëvizjes për në këto vende, mund të mbarojë.

Lajme të ngjashme