A ia pa Kosova sherrin Shqipërisë dhe Serbisë në vendimin për liberalizimin e vizave? - NACIONALE

A ia pa Kosova sherrin Shqipërisë dhe Serbisë në vendimin për liberalizimin e vizave?

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Grupi Punues për Vizat e Këshillit të Bashkimit Evropian të enjten u mblodh edhe një herë për të diskutuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Rezultati sërish i njëjtë, nuk ka konsensus. Funksionalizimi i sistemit për siguri në Evropë, ETIAS po cilësohet si një “kusht” i ri për Kosovën, por pse ndodhi e gjithë kjo dhe a mund të ketë ndërlidhje me Shqipërinë dhe Serbinë?

Qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin pa viza, të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm.

Presidenca çeke në një komunikatë për media, konfirmoi se në takimin e djeshëm nuk është arritur konensus mes shteteve anëtare.

ETIAS-i, migracioni dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor

ETIAS, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian. ETIAS pritet që të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Schengenit nga nëntori i vitit 2023.

Franca, raportohej se e ka kushtëzuar procesin e heqjes së vizave me këtë sistem. I njëjti, thuhej se është përkrahur edhe nga të paktën katër shtete të tjera të BE-së, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Nga Ministria e Drejtësisë së Suedisë, divizioni për Migracion, zyrtarja Carolina Vrocharis ia konfirmoi Nacionales se migracioni në BE dhe zhvillimet e viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor, janë disa prej arsyeve, që ky shtet përkrah sistemin ETIAS në rastin e Kosovës.

Sipas znj.Vrocharis, Suedia konsideron se sistemi si ETIAS, kontribuon në menaxhimin më të mirë të rreziqeve, si siguria dhe migracioni.

“Qeveria suedeze do të donte ta shihte sistemin në funksionim pasi ne besojmë se do të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të rreziqeve të sigurisë dhe migracionit ndaj BE-së. Për shkak të zhvillimeve të viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor, ne besojmë se masat adekuate si ETIAS janë të rëndësishme për t'u diskutuar si një mjet për të menaxhuar rreziqet”, ka thënë ajo për gazetën Nacionale.

Vizat s’u liberalizuan – A pati paralajmërim për Kosovën?

Gjatë muajit tetor, u raportua për një rikthim të mundshëm të liberalizimit të vizave për dy shtete të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Serbinë.

Euobserver kishte raportuar se ka parë një memo të brendshme të presidencës çeke të BE-së, ku thuhej se Shqipëria dhe Serbia kanë “kontribuuar në rritjen e numrit të emigrantëve të parregullt që hyjnë në BE përmes këtyre rrugëve”.

Veç kësaj, ky medium raportonte që në dokumentin e presidencës çeke, ishin përmendur edhe disa ide për reduktimin e numrit të migrantëve.

Këtu, përfshihej edhe presioni diplomatik ndaj Shqipërisë dhe Serbisë që të harmonizojë heqjen e vizave dhe të kthejë sa më shumë migrantë ilegalë.

Raportimi ishte cituar edhe nga disa media në Shqipëri e Kosovë. Ndërkaq, eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Emilio Çika për Euronews, e kishte konsideruar këtë edhe si paralajmërim për Kosovën.

“Ky lajm është një paralajmërim edhe për Kosovën, që nuk do të liberalizohen vizat për të. Shqipëria nuk ka procese diskutimi me BE si Serbia me Kosovën, por është në negociata për përmbushjen e kapitujve për integrimin në BE”, kishte deklaruar ai.

Çka është liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.

Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.

Një liberalizim potencial nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht. Gjendja në këtë marrëveshje çdoherë mbetet për t'u rivlerësuar. Së pari, qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara. Së dyti, në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës. Rrjedhimisht liria e lëvizjes për në këto vende, mund të mbarojë.


Lajme të ngjashme