Sllovenia paralajmëroi Malin e Zi se mund të ndalojë negociatat për anëtarësim në BE - NACIONALE

Sllovenia paralajmëroi Malin e Zi se mund të ndalojë negociatat për anëtarësim në BE

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë Tanja Fajon paralajmëroi sot Malin e Zi se negociatat e anëtarësimit me BE-në mund të ndërpriten nëse përpjekja e gjashtë për të zgjedhur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dështon. Fajon, pas takimit me kryetaren e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, ka theksuar se ky është një “kërcënim serioz”.

Është në dorën e politikanëve të shtrëngojnë duart dhe të bëjnë atë që kemi rënë dakord”, tha Fajon. Në fund të dhjetorit, së bashku me kreun e diplomacisë austriak, Alexander Schallenberg, Fajon u emërua si i dërguar i posaçëm i BE-së për Malin e Zi.

"Kam një ndjenjë të mirë pas bisedës"

Ajo të dielën ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Podgoricë, ku po bëhen përgatitjet përfundimtare për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të cilën deputetët do të votojnë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

Fajon më herët gjatë ditës së sotme është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq dhe kryeministrin Dritan Abazoviq dhe në fund të vizitës ka shprehur shpresën se do të ketë lajme pozitive para datës 23 janar, kur duhet të dorëzojë raportin në Bruksel.

“Kam një ndjenjë të mirë pas bisedës, shpresoj që të gjithë politikanët të jenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është Gjykata Kushtetuese. Dua që Mali i Zi t'i bashkohet grupit që po përparon drejt BE-së dhe jo grupit për të cilin po flasim si problem në BE”, tha Fajon.

Mali i Zi është në krizë prej muajsh

Mali i Zi prej muajsh ndodhet në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Qeveria e Dritan Abazoviqit është në mandat teknik që nga gushti, ndërsa Gjykata Kushtetuese e atij vendi nuk funksionon që nga shtatori sepse ka vetëm tre gjyqtarë nga gjithsej shtatë gjyqtarë dhe nuk mund të marrë vendime.

Anëtarët e parlamentit malazez u përpoqën pesë herë për të zgjedhur gjyqtarë të rinj, por asnjë nga kandidatët nuk mori shumicën e kërkuar prej dy të tretave të 81 anëtarëve të vendit.

Zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është edhe kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të shpallura të jashtëzakonshme parlamentare dhe të rregullta presidenciale, sepse është ky institucion që zgjidh çdo ankesë zgjedhore pas procesit zgjedhor. /Nacionale/

Lajme të ngjashme