'S'kemi nevojë për mendjemëdhenj': Çka ndodhi me paralajmërimin e Kurtit për reformatim të Qeverisë?
Ishte 28 gushti i vitit të kaluar kur kryeministri Albin Kurti do t’i drejtohej Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij ku bëri disa deklarata jo fort të zakonshme. Shefi i ekzekutivit paralajmëronte se ministrat e tij do të vlerësohen e se mund të ketë edhe ndryshime. Tetë muaj më vonë, nuk është parë të ketë ndonjë lëvizje sa i përket reformatimit të Qeverisë, dhe pikërisht kjo çështje, u rikthye në vëmendje ditëve të fundit. Çka u tha?
Grupi Për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) gjatë ditës së enjte mbajti një konferencë për dy vjetorin e Qeverisë Kurti.
Qysh në fillim, u tha se Qeveria Kurti 2 është dashur të reformatohet për shkak të përformancës jo të kënaqshme, megjithatë vlen të përmendet se deri më tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga kryeministri sa i përket kësaj çështje.
“…nga analiza e GLPS-së del se për shkak të performancës jo të kënaqshme, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga kryeministri Kurti, do të duhej të bëhej një reformatim gjë që nuk ka ndodhur. Se ka nevojë për reformatim, tanimë kjo është e padiskutueshme.” – tha drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla.
Fjalët e Kurtit më 28 gusht
Kryeministri Kurti dukej mjaft i ashpër me shprehjet e tij në gusht të vitit që lamë pas, kur edhe foli para Këshillit të Përgjithshëm të partisë që e drejton, Lëvizjes Vetëvendosje.
Dy paragrafe të fjalimit të tij, i drejtoheshin ekskluzivisht ministrave e zëvendësministrave, duke thënë madje, se “nuk ka nevojë për mendjemëdhenj".
“Na duhet punë kolektive, punë ekipore, ku personat që e marrin një detyrë dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar. Ministrat dhe zëvendësministrat në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet.” – deklaronte Kurti.
Ai madje, i kishte paralamëruar ata se edhe mund të ketë ndryshime pas vlerësimit, gjë që ishte parë si paralajmërim për reformatimin e Qeverisë, e që po diskutohet pikërisht tani kur i ka mbushur dy vite pushtet.
“Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës.” – kishte deklaruar shefi i Qeverisë.
Dy ministri me shkelje kushtetuese
Në një aktgjykim të publikuar jo më larg se të premtën që lamë pas, Gjykata Kushtetuese konfirmoi se e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial, kërkesën për vlerësimin e së cilit e kishin bërë dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
“Aktgjykimi sqaron që kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar. Në kontekst të praktikës së saj gjyqësore, siç është shtjelluar edhe në Aktgjykim, Gjykata vlerëson që marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.” – thuhej ndër të tjera në Aktgjykim.
Pas kësaj, u kërkua dorëheqja apo shkarkimi i ministres Haxhiu, gjë që ajo e bëri të qartë se nuk e ka ndër mend ta bëjë.
“Për keqardhje reagimi i opozitës. Këmb e kokë këta e kanë kapur në të kaluarën sistemin e drejtësisë. Këta nuk kanë të drejt të flasin për reforma në drejtësi.” – ka thënë ajo.
Ndërkohë, në prill të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese kishte njoftuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka tejkaluar kompetencat në raport me reformën që ishte nisur nga ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Ky vendim, kishte dalë pikërisht pas ankesës së Kastratit, kundër vendimit të MASHT-it të 23 prillit për direktivat e organizimit të mësimit në Kamenicë.
Edhe kjo kishte shkaktuar reagime të shumta, mes tyre, edhe të tilla që kërkonin dorëheqjen e ministres Nagavci, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Megjithatë, Kurti duket se nuk e ka në plan që të bëj ndryshim as në këto dy ministri. Pavarësisht që dikur konsideronte se ata që shkelin Kushtetutën janë “super-kriminelë”, kryeministri i ka ndarë shkeljet në “të buta dhe të forta”.
“Shkelja e Kushtetutës nga Haxhiu nuk është i njëjtë sikurse ai i Isa Mustafës për Asociacionin, sepse ka shkelje të buta të Kushtetutës dhe të forta.” – ka thënë kryeministri para dy ditësh në Debat Plus.


