A paralajmëroi Kurti riformatizim të qeverisë në adresimin e sotëm para VV-së? - NACIONALE

A paralajmëroi Kurti riformatizim të qeverisë në adresimin e sotëm para VV-së?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur një fjalim gati 30 minuësh para anëtarëve të kësaj partie.

Ai në këtë mbledhje, diskutoi shumë çështje, por dy nga gjërat që morën vëmendje ishin kritikat ndaj bashkëpartiakëve dhe termi zëvendësim i ministrave.

Kritikë direkte

Teksa fliste para Këshillit të Përgjithshëm të partisë që edhe e drejton, Kurti vuri theksin te zhvillimi i shtetit.

Për këtë të fundit, i pari i ekzekutivit, tha se kërkon angazhimin e më shumë se të një individi.

“Zhvillimi i shtetit të demokracisë tonë kërkon më shumë se një individ, e një grup të njerëzve të cilët besojnë në vlera të demokracisë e progresit shoqëror”, tha fillimisht kryeministri.

Ndërkaq, pasoi një tjetër deklaratë, që duket t’i jetë drejtuar deputetëve fetarë të Vetëvendosjes, të atij grupi që supozohet të udhëhiqet nga Eman Rrahmani, deputeti që edhe shkoi në Haxh këtë vit.

“Ne besojmë në liri individuale, në barazi gjinore, në drejtësi sociale. Ne besojmë në të drejtat e njeriut”, mesazh i qartë ky për Kodin Civil, kod ky që nuk kaloi, ani pse Kurti ua kishte kërkuar me ngulm deputetëve të tij.

Mesazh kabinetit

Diçka tjetër që u veçua në këtë paraqitje ishte edhe kritika për kabinetin qeveritar. Nga ministrat e zëvendës-ministrat kërkoi më tepër dalje në terren.

Veç kësaj ai deklaroi se arsyeja që nuk hoqi asnjë prej ministrave të tij është për shkak se kishte çështje të tjera më të mëdha.

“Nuk kemi dashur të merremi me zëvendësim ministrash sepse kemi pasur probleme tjera”, tha ndër të tjerash Kurti.

Paralajmërim...

A mund të jetë ky një paralajmërim për ndryshime? Nuk i dihet. Javët e fundit Kurti ka qenë i angazhuar në bisedimet me Serbinë, që dikur e etiketonte si prioritetin e gjashtë ose shtatë. Që në fakt është edhe paradoksale. Ai nuk i ceku problemet e tjera, por për ata që “nuhasin” politikisht, problem tjetër veç dialogut nuk ka.

Çka do të thotë kjo? Që në një të ardhme të afërt mund të ketë shkarkime. Kjo dihet. Por nga kush t’ia fillojë.

Shpeshherë ai është akuzuar se i kishte mbrojtur shumë ministrat e tij, siç ishte rasti me Rozeta Hajdarin, e cila kishte shkelur një fëmijë, kurse Kurti kishte luajtur ekspertin e komunikacionit duke thënë se i besonte ministres Hajdari në arsyetimin se fëmija u përplas në veturën e saj.

Kurti thoshte që nuk kishte shenja në asfallt, andaj s’ka arsye për të marrë ndonjë masë.

Njëjtë kishte vepruar edhe me shkeljen e Kushtetutës nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, ndërkaq vite më parë thoshte se ai që e shkel aktin më të lartë juridik të vendit është super-kriminel.

Lajme të ngjashme