Shkelëse e Kushtetutës e përplasje me SBASHK-un, udhëheqja e zymtë e Nagavcit me MASHTI-n - NACIONALE

Shkelëse e Kushtetutës e përplasje me SBASHK-un, udhëheqja e zymtë e Nagavcit me MASHTI-n

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka pak më shume se një vit që është në krye të arsimit kosovar. Arbëri Nagavci nuk është dalluar për ndonjë reformë përmbajtësore në një vit udhëheqje të MASHTI-t.

Ndonëse ka pak më shume se 365 ditë në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci do të mbahet mend për së paku dy arsye.

E para, dhe më kryesorja, emri i Nagavcit do të asocohet tash e tutje me shkeljen e aktit më të lartë vendit: Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Rasti për të cilën Nagavci u zu në ‘flagrancë’ ka të bëjë me organizimin e shkollave në komunën e Kamenicës.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar këtë të premte se Nagavci ka shkelur aktin më të rëndësishëm juridik të Kosovës kur me vendimin e 23 prillit të 2021-tës, u jepte direktiva komunës së Kamenicës rreth organizimit të shkollimit.

Në atë vendim, ministrja Nagavci, si autoritet qendror, hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qendron Kastrati, ish kryetar i Kamenicës, që atëbotë ende drejtonte komunën e vogël të Anamoravës.

E për këtë është deklaruar edhe Nagavci, shkruan Gazeta Nacionale.

Ajo ka deklaruar se vendimin e Kushtetueses do ta shqyrtojë në ditët në vijim duke shtuar se mosveprimi do të ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve.

“Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve. Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste”, ka thënë këtë mbrëmje Nagavci.

Për këtë çështje është deklaruar edhe Kastrati, që i humbi zgjedhje vitin e kaluar në garën për t’u rizgjedhur kryetar i Kamenicës.

Ai e ka kërkuar dorëheqjen e Nagavcit.

“Vendimi që u vërtetua kundër-kushtetues ka prodhuar pasoja. Ai ka ndërsyer njerëz kundër reformës. Ministrja Nagavci nuk mund t’ia hedhë kësaj pune kaq thjesht. Ajo ka penguar një reformë për arsye te elektorale, duke shkelur kushtetutën. Tash duhet përgjegjësi. Jo me pak se dorëheqje”, ka shkruar ai.

Dorëheqjen e Nagavcit e ka kërkuar edhe Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së.

Përplasja e ish-Kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me reformën në arsim, filloi menjëherë pasi Kastrati ndau rrugët me Vetëvendosjen.

Çështja e reformës ishte më e përfolura dhe mbase vendimtare, gjatë fushatës zgjedhore, për zgjedhjet komunale në Kamenicë.

Pas vendimit të Kushtetueses, shumë personalitete përfshirë kryetar komunash kanë uruar Kastratin për iniciativën për riorganizimin e mësimit.

Por, Nagavci do të mbahet mend edhe për përplasjen me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit.

Përplasja e parë filloi që në javët e para të betimit si ministre kur Nagavci përmendi mundësinë e testimit të mësimdhënësve.

Këto deklarata atëbotë SBASHK i pati quajtur si kërcënim.

Edhe mësimi plotësues i vuri përballë Nagavcin dhe Rrahman Jasharajn, kryetar i SBASHK-ut, të cilin institucion e para e MASHTI-t e bëri përgjegjës për rezultatet e ulëta në arsim.

“Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marr fund”, shkroi Nagavci.

Sindikata atëboti i reagoi Nagavcit duke mohuar përgjegjësinë për mos cilësinë në arsimin kosovar.

“SBASHK-u alarmon, kritikon, angazhohet për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë, por nuk shantazhon e as nuk kërcënon, por as nuk u është dorëzuar e nuk u dorëzohet kurrë shantazheve e as përpjekjeve të dikujt që ka tentuar ta lëndoj unitetin e shkëlqyer të sindikatës sonë” shkruan në komunikatën e Sindikatës”, shkruanin në komunikatën e tyre SBASHK.

Nagavci e SBASHK-u janë përplasur edhe për punën e pagës e koeficientëve në ligjin e pagave.

Mungesa e bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet MASHTI-t dhe SBASHK-ut gjatë kohës së Nagavcit, ka shtyrë sindikalistët që sot të protestojnë.

Ata kanë paralajmëruar fillimin e grevës me 20 prill nëse Qeveria e Kosovës nuk plotëson kërkesën e tyre për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit të pagave.

Shkruan: Mirlind Behluli

Lajme të ngjashme