Sindikalisti i paligjshëm? Ministria e Hekuran Muratit i nxjerr problem RTK-së për shkak të Fadil Hoxhës
Radiotelevizionit të Kosovës i është miratuar vetëm pjesërisht marrëveshja kolektive nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Në vendimin e MFPT-së kontestohet pozicioni i dyfishtë i Fadil Hoxhës, si kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe si udhëheqës i Skemës Programore dhe MCR-së në RTK. Megjithatë, Hoxha ka refuzuar të japë dorëheqje nga njëri prej dy pozicioneve, siç ka kërkuar ministria e Hekuran Muratit, e njëkohësisht nuk ka kthyer as përgjigje në pyetjet e parashtruara nga Nacionale. Çka ndodhi?
Më 17 korrik të vitit 2023, Shkumbin Ahmetxhekaj, në cilësinë e drejtorit të përgjithsëm të RTK-së kishte aplikuar për regjistrimin e Marrëveshjes Kolektive të RTK-së në organin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Pas analizës së dokumenteve, ishte konstatuar se dy udhëheqës të dy sindikatave të RTK-së, Fadil Hoxha dhe Artan Cërnaveri, ushtrojnë edhe pozicione menaxheriale në RTK, gjë e cila ndalohet me Ligjin për Organizim Sindikal, ndonëse të dy kanë deklaruar me shkrim se nuk mbajnë pozita menaxheriale në RTK.
Pas verifikimit të aplikimit, Ministria u ka kërkuar Hoxhës e Cërnaverit që të tërhiqen nga njëri prej dy pozicioneve, që, sipas Ministrisë, mbahet në kundërshtim me përcaktimet ligjore. Sipas dokumentit, Cërnaveri e ka njoftuar organin përgjegjës “se i njëjti është tërhequr nga pozita menaxheriale brenda RTK-së përmes vendimit të nënshkruar nga menaxhmenti.”
Për dallim nga Cërnaveri, Hoxha nuk e ka respektuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Siç evidentohet në vendimin e MFPT-së, të lëshuar me 18 shtator, Hoxha ka deklaruar se nuk është në pozitë menaxheriale.
“Nga ana tjetër, z. Fadil Hoxha, i caktuar në vendin e punës, Udhëheqës i Skemës Programore dhe MCR-s, iu është përgjigjur kërkesës me shkrim se pozita e tij brenda RTK-së, nuk është pozitë menaxheriale duke konsideruar se pozita që mban është e 57 në hierarkinë vertikale të përgjegjësive si dhe atë të pagesës. Lidhur me këtë çështje, organi përgjegjës vazhdon shqyrtimin deri në sqarimin e plotë të kësaj situate ligjore dhe pjesa e Marrëveshjes Kolektive për Shoqatën Sindikale të Televizionit Publik të Kosovës nuk miratohet nëpërmjet këtij vendimi” – shkruhet në vendim.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Hoxhës, të cilin e ka pyetur për pozitën e tij në RTK, përfshrië pyetjet nëse ajo pozitë është menaxheriale dhe për numrin e punëtorëve që i udhëheq. Po ashtu, Nacionale e ka pyetur Hoxhën: “Nëse Ministria përfundimisht konstaton se jeni në konflikt të interesit, cilën pozitë do ta mbani?”
Për më shumë, Nacionale i ka rikujtuar Hoxhës edhe një herë gjatë ditës së sotme se është në pritje të përgjigjeve nga ana e tij, por, deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi, Hoxha nuk ka kthyer përgjigje. Megjithatë, lehtësisht mund të konfirmohet se Hoxha i ka parë pyetjet e Nacionales, pasi sindikalisti i kontestuar nga ministria e Muratit ka shkruar një status në profilin e tij në "Facebook" në lidhje me pyetjet e gazetës sonë.
Duke shkruar në formë ironike, Hoxha ka pyetur: “Ku e gjetët bre këtë temë bash n’kulmin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Bordit, Besnik Boletini, Peticion i cili i ka bërë bashkë të gjithë punëtorët e RTK-së?” Tutje, Hoxha ka bërë edhe një spekulim.
“Mbas dështimit të të gjitha këtyre përpjekjeve tash kanë filluar të kërkojnë terren në Ministri"- ka shkruar ai.
"Ndoshta kësaj here jau don mbasi përforcim e paskan edhe Buzhalen” – shkroi Hoxha, duke tentuar t'i demonizojë pyetjet e Nacionales për pozicionin e dyfishtë të kontestuar nga MFPT-ja.
Në anën tjetër, drejtori Ahmetxhekaj, përmes një përgjigjeje, i ka konfirmuar Nacionales se, sipas Drejtorisë së Administratës dhe Burimeve Njerëzore, pozita e Hoxhës konsiderohet pozitë menaxheriale. Madje, Ahmetxhekaj ka treguar se Hoxha aktualisht udhëheq 11 punëtorë.
“Z. Hoxha aktualisht mban pozitën e udhëheqësit të Skemës Programore dhe MCR-së në RTK. Ai aktualisht menaxhon punën e një sektori prej 11 punëtorëve.
Sa i përket pyetjes nëse pozita e tij është menaxherale, departamenti i ABNJ-së ka sqaruar zyrarisht si në vijim: ...Pozita e të njëjtit është pozitë udhëheqëse/menaxheriale. Në pozitën e tij si udhëheqës i raportojn dhe është përgjegjës ndaj 11 punonjësve të Insitucionit. Ky numër i të punësuarve janë vartës me të cilët ai bashkëpunon dhe ka përgjegjësi për menaxhimin dhe udhëzimin e tyre në realizimin e detyrave dhe qëllimeve të përcaktuara në njësinë e tij"” – thekson Ahmetxhekaj.
Kujtojmë që, kohë më parë, në media është raportuar edhe për një avancim të dyshimtë të Hoxhës në RTK, nga i cili avancim i dyfishtë, i ndodhur brenda 6 muajve, Hoxha kishte përfituar rritje të pagës bruto deri në 300 euro.

