‘Shuplakat’ ndaj Kurtit brenda raportit premtues të Bakoyanis: Si ia shthuri fije për pe krejt "suksesin" në veri? - NACIONALE

‘Shuplakat’ ndaj Kurtit brenda raportit premtues të Bakoyanis: Si ia shthuri fije për pe krejt "suksesin" në veri?

3 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Vështirë se dikush – aq më pak politikani – mund t’i thotë dikujt “të falemnderit” dhe “e çmoj” me sinqeritet kur ajo ndaj të cilës falënderohet është qortim rrënjësor dhe i tërësishëm i krejt kursit të veprimeve të trumbetuara si “sukses” dhe mbi bazën e të cilës ndërtohet CV-ja e “suksesit” përmes vetë atyre politikave të ndërmarra.

E mu bash kjo ngjau me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në letrën dërguar Raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës , Dora Bakoyanis; raporti i të cilës është tejet premtues (ndonëse me qortime, kritika dhe kushte të hidhëta) në shtrimin e rrugës para për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë paradhomë të BE-së, Këshilin e Evropës.

Për se është fjala?

Në letrën dërguar Bakoyanis-it nga krerët shtetërorë (Presidentja, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit) ku afirmohet zotimi “besnikërisht” në përmbushjen e kushteve të përpiluara nga ajo e para (më prominentja duke qenë zotimi për themelimin e Asociacionit); Kurti “e çmon” dhe “falënderon” Raportuesen për punën e saj.

Por, çka përfshihet në punën e saj, përkatësisht çka shkruhet në raportin e saj, që përbrenda është përplot shuplaka ndaj disa prej pikave me të cilat Kurti i ka pasur si dallgë për të bërë surf drejt “suksesit” të tij; në veçanti në marrëdhënie me publikun? S’do shumë mend: veriu.

Që në faqen e parë Kosova shkruhet me asterisk (*) që i rri pashkëputshëm mbi emër, veçse tash me një dallim të frikshëm se në fusnotë përmendet veç Rezoluta 12/44 pa Opinion të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që kishte shpallur të ligjshme ndërkombëtarisht pavarësinë e shtetit kosovar. Pra, Kosova nis shtjellohet si territor në bazë të Rezolutës 12/44.

Duke nisur të shtjellojë situatën në pjesën veriore të Kosovës – çka raporton Bakyonis për gjendjen tensionuese në veri, ajo numëron edhe faktorët tensionues; shumica prej të cilave bien mbi veprimtarinë e Albin Kurtit.

Shumë ngjarje kanë kontribuuar në përshkallëzime serioze të tensioneve, përfshirë: shpronësimet e tokave (në veri, 118 parcela), vendimi për targat, demonstratat e dhunshme, dorëheqja në masë e serbëve të Kosovës nga policia, gjyqësori dhe postet zyrtare; zgjedhjet lokale të zhveshura nga legjitimiteti demokratik; përdorimi nga autoritetet kosovare i forcace speciale policore për detyra të rregullta policore; dhe zbatimi i vendimit për Euron rreth tranzaksioneve financiare në përjashtim të valutave tjera”, shkruan Dora Bakoyanis në raport të cilin e ka parë Nacionale.

Krejt situatën e sigurisë, përkatësisht përmirësimin e situatës së sigurisë, Bakoyanis e jep si “të varur nga mbrojtja e të drejtave të komunitetin serb”, kësisoji duke konfirmuar krejt tezat publike që Kurti në fakt “ua ka mbushur mendjen” ndërkombëtarëve për të kundërtën, qoftë apo jo kjo e vërtetë.

Qortimet (por, edhe një nga kushtet) e Bakoyanis fokusohen edhe në shpronësimet ose shtetëzimet e tokave në veri; pjesë këto kaherë të trumbetuara për sukses në veri; ose, stërjthjeshtueshëm: ushtrim i pakompromistë sovraniteti.

Andaj aty edhe Kurtit i kërkohet ky zotim eksplicit e tekstualisht: “Të sigurojë...dhe përmbahet nga vendimet që afektojnë të drejtat dhe kushtet e jetesës të komunitetit serb”.

Të merr masa urgjente për të promovuar riintegrimin e serbëve të Kosovës në forcën policore, gjyqësorin dhe prokurorinë në veri të Kosovës”, kërkon Bakoyanis, aprovon Kurti.

Tjetra: prania policore speciaële në veri. Në një pikë të posaçme kushtesh/kërkesat (të aprovuara nga Kurti) thuhet që “të ndalet përdorimi i njësive speciale policoree në veri për detyra të zakonshme policore dhe të dërgohen vetëm në raste të domosdoshme, dhe në hap bashkëpunimi me KFOR-in dhe Eulex-in”.

Madje për këtë të fundën, për çudinë e shumëkujt, Bakoyanis thotë se Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ishte pajtuar në korrik të vitit të kaluar në Bratisllavë në takim me Ndërmjetësin Special të BE-së, Miroslav Lajçak; ndonëse Bislimi e kishte dhënë publikisht një dakordim të krejt një natyreje tjetër se janë pajtuar “për përgjysmim” të pranisë së njësive speciale anë-e-rreth komunave.

Në raportin (Opinionin) e Bakoyanis – nga i cili kryekëput varet githçka në procedimin tutje drejt anëtarësimin në KiE – ajo e shkruan sikur dy-plus-dy që bëjnë katër se vetë aplikimi i Kosovës, vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare”.

E ky proces politik, thotë Bakoyanis, është Marrëveshja e Bruksel/Ohrit; “rëndësia e së cilës nuk mund të theksohet sa duhet” teksa i referohet Nenit 7 “të vetëmeanxhimit” për komunitetin serb, e cila në marrëveshje është e bazuar në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht të njohur ndryshe edhe si Karta Evropiane për Autonomitë Vendore.

Teksa Bakoyanis thotë se tashmë për këtë institucion ka një draft-Statut “të cilin kryeministri ma konfirmoi se është i gatshëm ta nënshkruajë” ajo një pasazh më poshtë thotë se “themelimi i Asociacionit duhet të jetë lart në konsideratën në ardhje të Komitetit të Ministrave rreth aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Nuk ka nevojë të thuhet”, shkruan Dora Bakoyanis në raportin e saj, “që themelimi i Asociacionit do të peshojë rëndë në hartimin e rrugës evropiane për Kosovën”.

Lajme të ngjashme