Shtrenjtimi tjetër i rrymës troket në derë, Kurti qorton qytetarët se “po ngrohin dhomat mbi normalen” - NACIONALE

Shtrenjtimi tjetër i rrymës troket në derë, Kurti qorton qytetarët se “po ngrohin dhomat mbi normalen”

5 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

  • “Tepër shtrenjtë, kur flejmë mbi gjithë këtë energji”. (Albin Kurti, 2019)

Fjala e dhënë e Albin Kurtit para se të ngjitej në pushtet ishte lirimi i çmimit të energjisë.

Kërkesa për shtrenjtimin e katërt gjatë mandatit të tij veçse trokiti sot në derë.

ZRrE-së iu dorëzua kërkesa nga KESCO-s për një shtrenjtim të ri prej 21.4%.

Arsye(timi) nga KESCO: importi i madh, kosto e madhe.

KESCO justifikon kërkesën me varësinë në rritje nga importi (9% e energjisë, 29% e kostove), shpenzimet operative dhe një "faktor korrigjues" prej 49.5 milionë eurosh nga humbjet e vitit 2025.

Nëse miratohet nga ZRRE deri më 1 prill, qytetarët do të përballen me fatura më të larta në një kohë kur kostoja e jetesës vazhdon të rritet.

Kur ky lajm bëri ballinat dhe lajmin kryesor të ditës, Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe mandatari i ardhshëm i qeverisë, ishte në një kompani duke artikuluar ankesa.

Qytetarët, tha ai, po ngrohim dhomat me rrymë me shumë se ç’është normale.

  • “Duhe me menaxhu faktin se po ngrohemi me rrymë tepër shumë. Përveç asaj që ne ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat në dhoma i kemi dukshëm më të larta se ç’është normale. Kena qef nxehtë. Sa i përket konsumit neve na duhet me menaxhu ngrohjen”, tha ai.

Hykmete Bajrami e LDK-së kritikoi kërkesën e KESCO-s për shtrenjtim të energjisë, duke e quajtur "mbushje xhepash të mafisë energjetike" me koston e qytetarëve.

Ajo paralajmëroi efektin zinxhir në çmimet e produkteve dhe kujtoi premtimin e Kurtit për energji më të lirë.

  • “E kam thënë edhe më herë, po e përseris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve”, tha ajo.

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit për rritje çmimi të energjisë me 21%, duke e cilësuar atë "goditje të rëndë ndaj familjeve" që janë buzë mbijetesës.

PDK e konsideron të papranueshme transferimin e barrës së keqmenaxhimit tek konsumatorët, duke theksuar se energjia është nevojë bazike.

PDK i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ZRRE-së të refuzojnë kërkesën, duke u zotuar për zbardhjen e aferave në sektorin energjetik dhe mbrojtjen e interesit publik.

  • “Në një kohë kur qytetarët tanë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto jetese gjithnjë e më të lartë, një rritje e tillë e tarifave të energjisë e thellon edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend”, thanë ata.

Ndërsa, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhnërinë e Kosovës e ka quajtur “çmenduri” një rritje të sërishme dhe pyeti se “ku po shkojnë paratë?”.

“Të zbritet çmimi i rrymës, jo të rritet! Shpërthimi i pakënaqësisë do të ndodh edhe nëse kështu siç është vazhdon çmimi i rrymës, lëre më nëse rritet edhe më shumë Kjo është çmenduri! Ku po shkojnë paratë?,” tha Ramadani.

Çka ka kërkuar KESCO?

KESCO ka aplikuar në ZRRE për rritje çmimi të energjisë me 21.4% për 2026, duke kërkuar të hyra lejuara prej 528.78 milionë euro (nga 435.93 milionë në 2025).

Kompania justifikon rritjen me varësinë nga importi (9% e energjisë, por 29% e kostove), rehabilitimin 8-mujor të Kosova B1 që kufizon prodhimin vendor, "faktorin korrigjues" prej 49.5 milionë eurosh për humbjet e 2025-s, shpenzimet operative të rritura nga inflacioni dhe liberalizimi i tregut, si dhe rritjen e pritshme 20% të tarifave të rrjetit.

ZRRE pritet të vendosë deri më 1 prill.

Lajme të ngjashme