Shtrenjtimi që po i varfëron qytetarët, nga e shtuna hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë
Të enjten, bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka marrë vendim që tarifat e energjisë elektrike të shtrenjtohen për rreth 15 përqind. Këto tarifa do të hyjnë në fuqi nga nesër, pra nga 1 prilli e do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.
Në ZRrE, si arsye për rritjen e tarifave është përmendur furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike.
Çka ndodhi ?
Propozimi i departamentit të tarifave në bazë të shtrenjtimit për 15 për qind është ky:
Për konsumatorët deri 300 kWh, rritja mujore në supozimin se konsumi do të jetë 60 me 40, do të ketë rritje prej 2 eurosh e 88 centësh. Për konsumatorët deri 450 kWh prej 4 eurosh e 18 centësh. Për konsumatorët deri në 600 kwh, rritja do të jetë 5 euro; deri në 800 kwh, ku bëjnë pjesë 80 për qind e konsumatorëve, rritja do të jetë 7 euro e 23 centë. Për ata që harxhojnë 1000 kWh, rritja do të jetë 10,51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kWh, rritja do të jetë 13,80 euro.
Në fund ky propozim u miratua me tri vota "për", asnjë kundër dhe asnjë abstenim
Kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, ka thënë se kjo po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, kostot do të jenë edhe më të larta.
“Për konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri 300 kWh, fatura mujore do të ketë rritje prej 2 euro e 40 centë. Për konsumatorët që kanë konsum deri 450 kWh, konsumatorët do të kenë rritje mujore prej 4 euro e 20 centë. Për konsumatorët që kanë konsum deri në 600 kWh, rritja mujore do të jetë deri në 5 euro, ndërsa për konsumatorët që kanë konsum deri në 800 kWh, rritja mujore do të jetë rreth 7 euro e 23 centë”- kanë deklaruar nga ZRrE-ja.
Në mbledhjen e kaluar, nga 394 milionë euro, sa ishin paraparë për të hyrat e lejuara për KESCO-n për vitin e ardhshëm në raportin konsultativ, ZRrE-ja kishte miratuar vendim edhe për 4 milionë euro, pra 398 milionë euro për të hyrat e lejuara.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ndërhyjnë në punën e ZRrE-së.
“Ministrat e linjës kanë komunikuar dhe janë dakorduar dhe ia kanë dhënë rekomandimet e tyre ZRrE-së në bashkëpunim me KEK-un sa i përket sektorit të energjisë e në veçanti sa i përket çmimeve të energjisë elektrike”- tha ai.
“Çka zotohem është se, në njërën anë, nuk i ndërhyjmë punës së institucioneve të pavarura, por, në anën tjetër, do të bëjmë që t’ua lehtësojmë barrën qytetarëve me çmimet dhe sigurimin sa më stabil të energjisë” – shtoi Kurti.
Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga 1 prilli dhe do të jenë të vlefshme deri në vitin 2024.
E me tarifat aktuale për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji paguajnë 12,5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5,9 centë gjatë tarifave të ulëta.
Konsumatorët që shpenzojnë më pak, paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
Nga shtatori i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Secili konsumator që kursen së paku 5% të faturës, përfiton subvencion sa dyfishi i përqindjes së kursyer.
Ky subvencionim i Qeverisë është ende në fuqi.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1,300 megavatë në orë. Këtë dallim e importon nga jashtë.
Çmimi i rrymës në bursën hungareze HUPX, ku importon Kosova, ka lëvizur vazhdimisht. Në gusht të vitit 2021, çmimi ka qenë 150 euro për megavat. Në gusht të vitit 2022, ka arritur në rreth 430 euro për megavat, por më vonë është stabilizuar në rreth 260 euro për disa muaj rresht.
Me tarifat aktuale të rrymës, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë brenda një muaji, paguajnë 12,5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5,9 centë gjatë tarifave të ulëta.
Ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
Kosova është e varur kryesisht nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat prodhojnë rreth 500 megavatë energji elektrike në orë.
Për shkak të vjetërsisë së tyre me dekada, ato shpesh pësojnë prishje.
Në vitin 2005, Qeveria e atëhershme e Kosovës kishte pasur një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri, por ai nuk është realizuar kurrë.

