‘Shtatzënia pa burrë” çoroditi Kuvendin sot : Nëna kosovare që e bëri vajzën me metoda mjekësore flet për Nacionalen
Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci dhuroi sot në Kuvend një fjalim tejet frymëzues dhe të nevojshëm për situatën sociale dhe paragjykimet në Kosovë rreth "shtatzënisë pa burrë" dhe unë, si një prej më të ngazëllyerve nga ajo që dëgjova, gjeta një nënë kosovare që është kthyer nga shkenca për të bërë fëmijë.
Duke nënvizuar mendësinë dhe karakterin seksist kosovar, Bogujevci u shpreh:
“Kur i rregullojnë gjanat në shoqërinë tonë sa e lehtë është që vendimet të merren për ta determinu ne si gra se qysh vendosim ta jetojmë jetën tonë. Diçka që nuk parashihet në pjesën e burrave.”
Tutje, ajo, në nivel personal, foli edhe për sfidat e saj në një shoqëri patriarkale, ku familja si grup shoqëror i bashkuar nga lidhjet martesore, gjakut dhe adoptimit, ende përballet me problematika të ndryshme paragjykuese nëse brenda saj nuk ndërveprohet sipas "normave" të pashkruara sociale.
“Unë po du me kanë e sinqertë edhe publikisht me thanë këtë pjesë që unë përderisa nuk e kam pasë mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore apo çfarëdo forme tjetër, kam dashtë me u ba nanë,” tha ajo.
Por, qysh është realisht të mbetesh shtatëzënë "pa burrë"? Unë hulumtova e hulumtova dhe disi e gjeta një grua kosovare që i kishte besuar shkencës për krijimin e familjes, respektivisht sjelljes në jetë të një fëmiu.
Anonimja jonë, e cila refuzoi t'i referohemi qoftë edhe me iniciale, kur flasim për paragjykimet, është nënë e lumtur e një vajzeje 6-vjeçare.
Kur e pyeta nëse mendon se është hequr sadopak stigma ndaj grave që duan të mbeten shtatzënë pa burra, pas fjalimit të deputetes Bogujevci, anonimja u shpreh:
"Nuk e dëgjova debatin në Kuvend. Mirëpo, sa i përket kryeqytetit besoj se po (janë hequr stigmat). Ekziston një numër i grave që sot kanë zgjedhur të jenë prindi i vetëm. Ose me donator ose përmes proceseve të asistuara të fertilizimit, me donator të njohur (mik) por edhe donator anonim."
E njëjta tutje më thotë se gratë në fjalë, disa prej të cilave ajo i njeh, "kryesisht janë gra me karrierë solide, gjendje relativisht të mirë dhe të qëndrueshme financiare dhe rreth moshës 40-vjeçare".
Ndërsa ajo potencon se gjatë kohës së shtatzanisë është përballur me paragjykime, shton se ato e kanë bërë "më krenare se i kam hap rrugë dikujt ndoshta më të ndishme dhe më pak të guximshme".
E njëjta elaboroi edhe mënyrën si është përballur me situatën kur vajza e saj 6-vjeçare ka bërë pyetje rreth babait, derisa ajo ende nuk e ka njoftuar me procesin dhe vendimin për sjelljen e saj në jetë përmes metodës "intra uterine".
"Vajza e di që secili fëmijë biologjikisht ka edhe babë edhe nanë. Mirëpo, secila familje është e veçantë dhe e ndryshme. Familja jonë jemi ne të dyja dhe duhemi pakushtimisht. Babi nuk jeton me ne, 'është diku larg' dhe e di se të don. Familjet si ne nuk janë as më pak as më shumë se të tjerat, por jemi kjo që jemi me vlera për komunitetin tonë e më gjërë."
Nëna e fëmijës "pa babë" rrëfeu edhe diskutimet e saj me psikologë profesionistë për të marrë në konsideratë nëse fëmiu që rritet pa baba mund të ketë pasoja.
"Psikologia e një universiteti prestigjioz më ka siguruar se, nëse fëmiu është i rrethuar me dashuri të pakusht, nuk ka ndikim," thotë ajo.
Sa i përket procesit për të mbetur shtatzanë përmes metodave shkencore, ajo potencoi se "nuk është aspak e lehtë, pasi jo secila herë rezulton me sukses që në tentimin e parë. Është i kushtueshëm si financiarisht, si emocionalisht e mentalisht."
Pra, ja ku e kemi... nuk është shkencë raketore, nuk është asgjë përtej normales sa mund të hamendësoj një komentues ofendues në linkun e deklaratës së Bogujevcit, por është thjesht një nënë që ka vendosur ta jetojë e shijojë atë çka i ofron bota, pa e parë të nevojshme lidhjen me një burrë për të krijuar familje.

