"Shqiptarët e Kosovës s'duan pavarësi": Mehmetaj si arkivist, ia përplas momentet më "të turpshme" Veton Surroit - NACIONALE

"Shqiptarët e Kosovës s'duan pavarësi": Mehmetaj si arkivist, ia përplas momentet më "të turpshme" Veton Surroit

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Lirim Mehmetaj, gazetar, kohëve të fundit ka marrë rol par-eksellancë të arkivistit – jo si lajmëtar i të sotmes, po si rilajmërues i së djeshmes; si dikush që thjesht nxjerr pasqyrë me pamje të së kaluarës si kundërmatje të pikturës të së tashmes; me figurë-trajtimi Veton Surroin. Kjo eskpozitë retrospektive, me kurator Mehmetajn, mund të themi me sigurinë më të madhe që s’ofron horizont në favor të Surroit, ndonëse shpalohet horizonti mendor pikërisht i (asokohe) Surroit. Për se është fjala?

Surroi – që (vetë)mbahet për një artikulues (intelektualisht ashtu) rigjid të interesave shtetërore në të sotmen – e ka gjetur veten të gjurmuar në një gjenealogjikë të hershme të tij; ku germat e tij asokohe e tradhtojnë çfarëdo lavdie të supozuar të sotme. Mehmetaj çpluhurosi nga arkiva këtë palavdi. Kohëve të fundit ai nxorri katër shkrime; dhe madje ka paralajmëruar një shkrim të plotë e të thukët edhe më tronditës të/për Surroin.

Çka ishte veçanërisht ‘asfiksuese’ ishte një shkrim që Mehmetaj nxorri të Surroit të 3 prillit 1988, kur publicisti Surroi në një polemikë kundër intelektualit kroat, Branko Hrvat – i thoshte këtij të fundit se “Kosova Republikë është veçse një iluzion” dhe për më tepër i qëndronte linjës së narracionit që çoi krykëput në suprimimin e autonomisë së Kosovës; duke shkruar se “Nacionalistët shqiptarë aplikuan dhunë, dëbuan serbët e malazezët nga Kosova”.

Dhe atë kundër kujt kjo polemikë? Kundër Branko Hrvat që shkruante qysh asokohe që Kosova duhet të elevohet në statusin e Republikës brenda ish-Federatës së Jugosllavisë, pra duke qenë në par-të-barabartë me të gjitha republikat konstituese.

Mehmetaj sjell germë-për-germe indinjatën e Surroit ndaj Horvatit:

Horvati jep tezën e ndërrimit të statusit të Kosovës nga Krahinë Autonome në Republikë, por Surroi e sulmon ashpër duke i thënë se kjo kërkesë e tij çon në drejtim të konfederalizimit të Jugosllavisë dhe ia kujton Horvatit se edhe ai ishte kundër njëherë. Por, kjo s’është më e rënda. Surroi fillimisht thotë se është ‘fakt’ që ‘dilema rreth Kosovës Republikë është artificiale’. Surroi, njëjtë si Millosheviç-i, akuzon shqiptarët për militantë nacionalistë dhe shkruan se ‘rreth ideologjisë së shtetit kombëtar janë tubuar këto forca militante nacionalistësh’”.

’Madje siç kemi parë’, vazhdon Surroi, ‘nacionalistët shqiptarë duke manipuluar me parullën rreth statusit të Kosovës dëmin më të madh ia sollën mu kësaj Krahine si dhe tërë vendit’”.

Për plotshmërinë e argumentimit të Mehmetajt në këtë rast partikular duhet lexuar Mehmetajn (shih postimin më lartë).

Tjetra. Mehmetaj nxorri thjesht një referencë tronditëse – dhe atë sefte – që Surroi paskësh qenë i preferuari i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit për kryeministër të Kosovës në vitet të (para)luftës; dhe këtë referencë e nxorri nga vetë ish-ambasadori britanik në ish-Jugosllavi, Ivor Robert, i cili në librin e tij “Biseda me Millosheviqin” tregon se si ky i fundit ia ka thënë vetë këtë gjë.

Millosheviç foli me nota pozitive për takimin dhe përmendi Veton Surroin në veçanti si kryeministër (të Kosovës) në vend të Bujar Bukoshit”, shkruante Roberts.

Mehmetaj shkroi se “derisa Roberts po ia kërkonte Millosheviç-it zmbrapsjen e trupave ushtarake dhe po i thoshte se pa këtë hap Ibrahim Rugova do ta kishte të vështirë përfshirjen në dialog për zgjidhje, Millosheviç kthen fokusin tjetër kah (...) Millosheviç-i kishte problem me shqiptarët, por jo me Veton Surroin. Njëjtë, Surroi kishte problem me shqiptarët, por jo me Millosheviç-in”.

Tjetra – për të mos thënë edhe më goditëse – ishte një bisedë që ish-ambasadori amerikan në ish-Jugosllavi, Warren Zimmerman, kishte regjistruar me Veton Surroin më 1990 – ku ky i fundit i kishte thënë diplomatit amerikan se shqiptarët e Kosovës nuk e pranojnë sundimin serb ata ama megithatë “nuk janë në favor të pavarësisë”.

Në pyetjen e amerikanëve se ‘çfarë duan shqiptarët’, Surroi kishte siguruar amerikanët se ‘shqiptarët nuk duan pavarësi’”. (lexo të plotë sipër)

Kjo sigurisht është veç një ekstrakt i ekstrakteve të Mehmetajt, për çka ky i fundit ka paralajmëruar një shkrim totalizues rreth të së kaluarës hiç, ama bash hiç-të-lavdishme të Surroit.

Lajme të ngjashme