Shqipëria ndërpren marrëdhëniet diplomatike me Iranin - si rrallëherë, shkak sulmet kibernetike - NACIONALE

Shqipëria ndërpren marrëdhëniet diplomatike me Iranin - si rrallëherë, shkak sulmet kibernetike

4 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me shtetin islamik të Iranit.

Ky vendim ekstrem erdhi pas sulmeve kibernetike që u regjistruan muaj më parë.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një paraqitjeje televizive.

“Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë. Nisur nga sa më lart Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit”, tha fillimisht Rama.

Tutje mësohet se ky vendim i është bërë ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, së cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe atë të sigurisë.

“Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe atë të sigurisë”, shtoi kreu i ekzekutivit shqiptar.

Këtë vendim e kanë mirëpritur të gjithë. Edhe nga opozita. Megjithatë, mungoi reagimi i Sali Berishës.

Partia e Lirisë e ka quajtur vendim të mirë, ani pse të vonuar.

“Partia e Lirisë, e përkrah këtë masë ekstreme në marrëdhënien diplomatike mes dy vendeve tona, duke e quajtur të drejtë por pak të vonuar ndaj një vendi, që qëllimet e tij ndaj Shqipërisë i ka pasur agresive dhe destabilizuese, burim kërcënimi të papranueshëm për sigurinë kombëtare”.

Vendimin e mbështeti edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Ajo shtoi faktin se kur një vend mik si Shqipëria është në sulm, ShBA do të ndërmarrin veprime.

“Më lejoni ta përdor edhe këtë rast për të theksuar rëndësinë e veprimit që është ndërmarrë kundër sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë….Ne kemi parë deklaratën e bere nga kryeministri Edi Rama sot në mesditë. Shtëpia e Bardhë është përgjigjur menjëherë dhe me forcë. Duhet të jetë absolutisht e qartë, qe kur miku ynë, aleati ynë Shqipëria është në sulm, SHBA do të ndërmarrin veprime”.

BBC gjithashtu raportoi për këtë ngjarje, teksa shpalosi detaje se si pak kohë më parë, firma amerikane e sigurisë kibernetike Mandiant doli në këtë përfundim, pra në atë se në këtë 'goditje' ndaj Shqipërisë ishin përfshirë “një ose më shumë akterë që kanë vepruar në mënyrë kërcënuese në mbështetje të qëllimeve iraniane”.

Kurse, John Hultquist, zëvendëspresident i Mandiant, pasi mësoi vendimin e qeverisë, tha se kjo ishte përgjigja më e fortë publike ndaj një sulmi kibernetik.

“Kjo është ndoshta përgjigja më e fortë publike ndaj një sulmi kibernetik që kemi parë ndonjëherë“.

Siç transmeton Anadolu Agency ndërkaq, Irani e ka quajtur si “të pamenduar” vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, duke mohuar përfshirjen në sulmin kibernetik të korrikut ndaj infrastrukturës digjitale të qeverisë shqiptare.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Nasser Kanaani e cilësoi këtë veprim të qeverisë shqiptare si “shkurtërpamje në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Lajme të ngjashme