Shpronësimet në veri, a e shkeli Qeveria zotimin e saj ndaj KiE-së për ndryshimin e Projektligjit për Shpronësimet? - NACIONALE

Shpronësimet në veri, a e shkeli Qeveria zotimin e saj ndaj KiE-së për ndryshimin e Projektligjit për Shpronësimet?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës dje ka miratuar shpronësimin e disa pronave në Leposaviq dhe Zubin Potok. Procesi i shpronësimeve në disa fshatra të komunave veriore ishte pritur me shqetësim nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Për t`i ikur kritikave të aleatëve, qeveria disa herë e kishte hequr prej agjendës këtë çështje.

Për të evituar shkeljen e të drejtave të qytetarëve serbë në këtë proces, qeveria kishte paralajmëruar edhe ndryshimin e projektligjin për Shpronësimet, të cilin në Kuvend e ka dërguar vitin e kaluar.

Madje, zotimin për ndryshimin e këtij projektligji tre liderët institucionalë e kishin dhënë edhe në letrën, të cilën më 22 mars ia kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti në atë letër e kishin dhënë fjalën se ndryshimi i projektligjit në fjalë do bëhet sa më shpejt që është e mundur.

Pavarësisht këtij zotimi, Qeveria e Kosovës dje, në një mbledhje elektronike, ka miratuar shpronësimin e pronave në Leposaviq e Zubin Potok.

"Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës", është thënë në komunikatën e Qeverisë.

Çka thuhet në letrën e zotimeve?

Në letrën që krerët institucionalë ia kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ata janë zotuar se Projektligji për Shpronësimet, i cili është dërguar në Kuvend vitin e kaluar do të ndryshohet shpejt.

Në letrën që e kishte publikuar gazeta Nacionale, Osmani, Kurti dhe Konjufca ishin zotuar edhe për gjera të tjera.

Të sigurohemi që shpronësimet të kryhen sipas respektimit më të rreptë të ligjit dhe se çfarëdo legjislacioni i ardhshëm në këtë fushë të jetë në përputhje të plotë me Planin e Ahtisarit, përfshirë fushën e mbrojtjes së pronave të Kishës Ortodokse Serbe; të amendamentohet sipas rrethanave draft-ligji për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, sa më herët që është e mundshme”, thuhet ndër të tjera në shtojcën që Osmani, Konjufca dhe Kurti ia kanë bashkangjitur letrës së tyre për Dora Bakojanis.

Në shtojcë nuk sqarohet se çka duhet të ndryshohet në projektligjin në fjalë. Deri me tani as Qeveria e Kosovës nuk ka sqaruar se çka do të amandamentohet në këtë projektligj.

Çështja e shpronësimeve në veri, të cilat Qeveria i ka nisur në vitin 2023 është parë si problematike nga SHBA-ja dhe BE-ja. Madje, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se kjo çështje do të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Qeveria e Kosovës Projektligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme e ka miratuar më 22 nëntor të vitit të kaluar.

Ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, e kishte vlerësuar lartë këtë projektligj.

Lajme të ngjashme