Qeveria shpronëson pronat në Leposaviq e Zubin Potok, ShBA-ja dhe BE-ja kishin shprehur shqetësime për këtë proces - NACIONALE

Qeveria shpronëson pronat në Leposaviq e Zubin Potok, ShBA-ja dhe BE-ja kishin shprehur shqetësime për këtë proces

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar përfundimisht shpronësimin e disa pronave në Leposaviq e Zubin Potok, të cilat janë kundërshtuar më herët nga ShBA-ja dhe BE-ja.

Vendimi që mund të nxisë një përplasje të re në mes të Kosovës dhe aleatëve është marrë sot në mbledhje elektronike të Qeverisë së Kosovës.

Në njoftimin për media të Qeverisë është thënë se shpronësimet kanë të bëjnë me prona të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”.

"Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës", është thënë në komunikatën e Qeverisë.

Gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për shpronësim e 80 hektarëve në fshatrat Dren dhe Leshak të komunave Leposaviq dhe Zubin Potok.

Kjo çështje është parë problematike prej kur ka filluar, në janar të vitit të kaluar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ketë kujdes me këtë çështje. Për këtë arsyeje, Qeveria e Kosovës e kishte larguar disa herë këtë çështje prej agjendës së saj.

Shqetësimet e ShBA-së dhe BE-së

Shpronësimin e këtyre tokave e kishte përmendur edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar,

Para dy muajve, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, diplomati amerikane këtë cështje e kishte ndërlidhur edhe me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka thënë Escobar, në intervistën për REL.

Edhe Bashkimi Evropian i kishte ngritur disa shqetësime lidhur me këtë proces.

Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore - në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit - ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet. BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t'i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur respektohen plotësisht”, ka thënë Bashkimi Evropian.

Veprimi i Qeverisë kishte zgjuar reagimin edhe të Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë (vendimin). Kjo është absolutisht e papranueshme. Dhe është një arsye pse kur të shkojë në Kosovë, do të shkojë edhe në veri të Kosovës, dhe definitivisht do të flas edhe me qytetarët e atjeshëm, dhe të kuptoj më shumë për çështjen, dhe më pas të konfrontoj Qeverinë në Prishtinë për situatën në terren. Kjo është një prej detyrave dhe është – do të thoja – një prej shqetësimeve më të mëdha për momentin. Sepse e shohim që stabiliteti – nëse mund ta quajmë stabilitet në veri – është shumë i brishtë”, ka thënë ditë më parë Cramon.

Veprimet e Qeverisë së Kosovës për shfronësimet në veri ishte kundërshtuar nga serbët lokalë. Ata kishin organizuar edhe protesta për t`i kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës. Sipas tyre, vendimi i Qeverisë për shpronësime nuk ishte në përputhje me ligjet në fuqi.

Lajme të ngjashme