Ekskluzive | Osmani, Konjufca dhe Kurti letër Dora Bakojanis: Zotohen se besnikërisht do ta themelojnë Asociacionin - NACIONALE

Ekskluzive | Osmani, Konjufca dhe Kurti letër Dora Bakojanis: Zotohen se besnikërisht do ta themelojnë Asociacionin

8 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Krerët institucionalë të Kosovës janë zotuar se do t`i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjeve së Brukselit dhe të Ohrit, e cila përfshin edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Në letrën e siguruar nga gazeta Nacionale, thuhet se Kosova do të respektojë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në shtojcën të cilën ata ia kanë bashkëngjitur letrës.

Në këtë shtojcë përmendet themelimi i Asociacioni sa më shpejt që është e mundshme.

Në letrën tuaj të datës 21 mars 2024, ju na i ofruat ‘zotimet e propozuara të cilat Kosovës do t’i kërkohen që t’i respektojë porsa të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës’. Korrespondenca juaj tregon se kjo listë, që kërkon një përgjigje nga institucionet shtetërore të Kosovës, përbën një përbërës integral të procesit tonë të aplikimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës” thuhet në letrën, e cila është nënshkruar më 22 mars nga tre krerët institucionalë.

Më tej, ata e informojnë raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës se do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I.

Në këtë kontekst, duke e marrë parasysh dhe mbi bazën e së drejtës kushtetuese të Kosovës, ne do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju informuar se ne do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I të letrës suaj të datës 21 mars 2024 pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj, përderisa presim që ta fuqizojmë bashkëpunimin përmes anëtarësisë së plotë në Këshillin e Evropës”, është thënë në letër.

Cilat janë zotimet?

Në shtojcën, e cila i është bashkangjitur letrës, listohet propozimet për çka Kosova zotohet se do t`i përmbushë pas anëtaresimit në Këshill të Evropës.

Aty përmenden fushat për të cilat është zotuar Kosova. Secila fushë ka disa pika.

Në lidhje me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e komuniteteve jo-shumicë, është renditur çështja e Marrëveshjes Bazike të Brukselit, ku përmendet me urgjencë themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ta sigurojmë zbatimin efikas të kornizës ligjore për mbrojtjen e pakicave kombëtare; Të bëjmë hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme; Ta adresojmë urgjentisht mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse e të bashkërenduar për çështjet dhe të drejtat e pakicave. Një qasje e tillë duhet të zhvillohet dhe të zbatohet në bashkëpunim me të përfshirët dhe në mënyra që i pasqyrojnë nevojat specifike të komuniteteve të ndryshme”, thuhet në shtojcë, duke u përmendur edhe burimet adekuate për Zyrën e Komisionarit të Gjuhëve.

Të ndajmë burime të mjaftueshme për ta zbatuar në mënyrë efikase legjislacionin për përdorimin e gjuhëve dhe t’i sigurojmë rrënjosjen ligjore, pavarësinë dhe ofrimin e burimeve adekuate për Zyrën e Komisionarit të Gjuhëve; T’i shtojmë masat për t’i mbështetur integrimin socio-ekonomik dhe pjesëmarrjen politike të personave që u përkasin komuniteteve jo-shumicë; Të ndërmarrim masa të dukshme dhe domethënëse për ta promovuar pajtimin mes komuniteteve të Kosovës, përfshirë diskursin politik; të zbatojmë strategji konkrete për dialog mes komuniteteve dhe për hapësira e aktivitete të orientuara nga pajtimi, sidomos në arsim, me qëllim që të hapet rruga për zhvillim gjithëpërfshirës shoqëror e besim; Ta promovojmë mësimdhënien e gjuhëve jo-shumicë në shkolla; Ta sigurojmë qasjen efikase në shkollim dhe tekste të cilësisë së mirë në shkollimin fillor dhe të mesëm për të gjithë fëmijët, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët që u përkasin komuniteteve jo-shumicë dhe fëmijët nga grupet e pavaforizuara” është thënë në shtojcë.

Ndërsa, të lista e zotimeve që ka të bëjë me funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit, liderët institucionalë zotohen që t`i ndalin kritikat ndaj gjyqësorit, që në këtë legjislaturë kanë qenë të shpeshta.

Gjithashtu, aty përmendet edhe çështja e shpronësimeve në veri.

Në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit: Të respektohet plotësisht pavarësia e gjyqësorit përfshirë përmbajtjen nga kritikat e tepruara që e minojnë besimin në gjyqësor; Të vazhdohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; Të sigurohemi që shpronësimet të kryhen sipas respektimit më të rreptë të ligjit dhe se çfarëdo legjislacioni i ardhshëm në këtë fushë të jetë në përputhje të plotë me Planin e Ahtisarit, përfshirë fushën e mbrojtjes së pronave të Kishës Ortodokse Serbe; të amendamentohet sipas rrethanave draft-ligji për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, sa më herët që është e mundshme”, thuhet ndër të tjera në shtojcën që Osmani, Konjufca dhe Kurti ia kanë bashkangjitur letrës së tyre për Dora Bakojanis.

Më tej, në shtojcë përfshihet edhe përmbajtja e Kosovës nga përdorimi i policisë speciale në veri të vendit.

Të merren të gjitha masat për de-eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe të përmbahemi nga vendimet që mund t’i prekin të drejtat dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb dhe që çojnë në përkeqësim të mëtejmë të situatës së sigurisë; Të merren masa urgjente për ta promovuar riintegrimin e serbëve të Kosovës në forcën policore, gjyqësor dhe prokurori në veri të Kosovës; Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore, të sigurohemi se ato dislokohen vetën në rast nevoje, dhe ta shtojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhet në shtojcë.

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, këtë javë e ka përpiluar draft-raportin, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Në draftin e fundit, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, rekomandohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, por përmenden edhe disa çështje të cilat Kosova duhet t`i përmbush pas anëtarësimit.

Javën e kaluar, Kosova ka përmbushur kushtin kryesor për anëtarësim në KiE, duke zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci ka mbledhje të jashtëzakonshëm, ku do të diskutohet aplikimi i Kosovës në KiE. Në këtë takim pritet që Dora Bakojanis ta prezanton raporti, i cili duhet të votohet nga 26 deputetë të këtij komiteti.

Pastaj, ky komitet raportin e dërgon në Asamble Parlamentare të Këshillit të Evropës për votim. Në asamble kërkohen 2/3 e votave për miratim të raportit.

Pas votimit në PACE, opinioni me vendim pozitiv i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili mbahet më 16-17 maj 2024.Deçanit.

Lajme të ngjashme