"Shpërthen" Akademia e Shkencave: distancime, reagime e përplasje rreth analizës së Mehmet Krajës
Në muajin nëntor, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës publikoi një analizë prej 38-faqesh, në të cilën shkruhet për marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve, ndërsa në fokus ka ofrimin e një historie që nga koha e luftës në Kosovë deri të zhvillimet më të fundit në veri.
Kjo analizë, e cila ishte publikuar pa autor nuk përmbante referenca, ndërsa në shkrimin e saj ishte përdorur një gjuhë politikisht jokorrekte me shumë gabime drejtshkrimore e pa fakte.
Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy në analizën e gjatë nga institucioni më i lartë i shkencës dhe i arteve, që udhëhiqet nga akademik Mehmet Kraja, është një qasje paragjykuese ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Partisë Socialiste e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe fesë islame.
E pasi që në tekst, nën titullin ‘Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, ndër të tjera kishte edhe akuza të shumta ndaj ish-pushteteve në Kosovë, për keqqeverisje, korrupsion e krim, kjo bënte që analiza më shumë të përputhej me narrativën e LV-së, ndaj fenomeneve politike e shoqërore në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.
Në disa nga fragmentet, akuzohej veçanërisht ish-presidenti Hashim Thaçi, se e ka futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale. Akuzoheshin edhe ish-ushtarët e UÇK-së të shndërruar në politikanë si uzurpues të pushtetit, duke shkruar se të njëjtit bënë krime e korrupsion.
Çfarë ndodhi më pas?
Gazeta Nacionale ishte ajo që e studioi gjithë tekstin, duke nxjerrë në pah edhe të gjitha parregullësitë që përçonte si në drejtshkrim, ashtu edhe në përmbajtje. E menjëherë pas kritikës së parë ndaj analizës, u pa një ndryshim në tekst ku ishte bërë përpjekje për rregullim të gabimeve drejtshkrimore, dhe më interesantja ishte hequr edhe pjesa ku Ali Ahmeti paraqitej si përkrahës i idesë së ndarjes së Kosovës.
Reagimet
Më pas, ishte vetë Ali Ahmeti i cili reagoi, duke thënë se ai nuk bënte pazare me kufinjt e Kosovës, dhe se gjaku i shokëve të tij të rënë dëshmorë nuk e lejonte një gjë të tillë.
“Pavarësisht deklaratave apo analizave që bëhen se gjoja se unë paskam qenë për ndryshim të kufijve të Kosovës, unë pa i rënë brisk fytyres, për atë pavarësi dhe për ata kufij të Kosovës kam dhënë gjithçka nga jeta ime dhe unë nuk bëj pazare me copa e grime të vendit që është gjak i gjakut tim, është gjak i shokëve të mi…” ishte deklarata e Ahmetit.
Ndërkohë, lidhur me pasqyrimin që i ishte bërë ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, që e cilësoi shkrimin si një pamflet anti-shqiptar, duke shprehur edhe indinjatën e thellë për tekstin që ishte publikuar nën emrin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Një opinion lidhur me analizën e Krajës, e ka ndarë edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, për Gazetën Express, ku ka shkruar për 'çalimet' e mëdha në objektivitetin e çështjeve të trajtuara në tekstin e AShAK-ut.
Hasani ka ardhur në përfundimin se kjo analizë është e mbushur me gabime shkencore dhe paragjykime subjektive deri në inkriminim shtesë të atyre që sot janë në Hagë.
Tutje, ai thotë se analiza mund të si shihet si një dokument i krijuar nga arsyet plotësisht subjektive të një njeriu, motivimet e të cilit burojnë nga sfondi kulturor dhe arsimor me të cilin funksionon krijuesi i tij.
Distancimi i AShAK-ut nga analiza
E pas gjithë kësaj situate, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u bë cak i kritikave të shumta rreth përmbajtjes duke bërë që të reagojë edhe vetë seksioni i Shkencave Sociale të Akademisë, që u distancua nga kjo analizë duke e lënë autor të vetëm të saj, kryetarin e AShAK-ut, Ahmet Kraja.
Seksioni i Shkencave Sociale në AShAK, theksoi se teksti i botuar në faqen zyrtare të AShAK-ut është tekst i Mehmet Krajës, kryetar i AShAK-ut, dhe ishte i paautorizuar për publikim.
“1. Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të AShAK dhe sqaron se ai është tekst i Kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!” – thuhej në deklaratën e tyre, ndërsa vetë Kraja kritikohej për sjellje arbitrare.
Por, nuk mbaroi me kaq. Reagimi i radhës ishte nga vetë Kraja, i cili duket se ishte zhgënjyer nga distancimi që bënë anëtarët tjerë të akademisë nga analiza e tij.
Ai tha se teksti ishte diskutuar në janar 2022 në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë dhe se ishin marrë mendimet e akademikëve për të, duke shtuar se i vetmi që e kishte parë me rezerva për publikimin, ishte akademik Sabri Hamiti.
Ai përmendi përkrahjen nga Justina Shiroka-Pula, Luan Mulliqi, Rauf Dhomi, Fetah Podvorica dhe Gjylieta Mushkolaj, ndërsa ka bërë të ditur se prej 38 anëtarëve të akademisë me shkrim ishin përgjigjur vetëm akademik Isa Mustafa dhe akademik Arsim Bajrami.
Ndër të tjera, Kraja ka arsyetuar edhe gabimet drejtshkrimore, duke thënë se gjatë publikimit në uebfaqe, kishin ndodhur lëshime teknike dhe teksti i publikuar mund të ishte një version i paredaktuar i tij.
Kraja po ashtu ka thënë se ka bërë kërkesë që në krye të tekstit të vihet emri i tij, ndërsa duke mohuar pretendimet e Shkencave Sociale për sjellje arbitrare, ka thënë se merr përgjegjësi për çdo shkronjë të analizës së publikuar.




