Shok-bombë ndaj Policisë, vetura të djegura, kërcënime nga Srpska: Çka po ndodh në veri? - NACIONALE

Shok-bombë ndaj Policisë, vetura të djegura, kërcënime nga Srpska: Çka po ndodh në veri?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka njoftuar se është sulmuar me shok bombe nga persona të panjohur në veri të vendit. Ky sulm rrugën “Ivo Llola Ribar” vjen pas një varg ngjarjesh tjera që rrezikojnë të rrisin edhe më shumë tensionet.

Policia e Kosovës me anë të një komunikate njoftoi se në drejtim të zyrtarëve policorë isthe hedhur “një mjet i dyshuar shpërthyes”.

Policia nuk ka treguar nëse ka persona të lënduar nga ky veprim kriminal.

Lista “Nyet”

Më 22 mars, e mërkurë, ishte mësuar që Lista Serbe nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit. 22 marsi kishte qenë afati i fundit për regjistrim.

Kjo parti politike ka kërkuar që Kosova të fillojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke qenë krejtësisht shpërfillëse e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Ky lajm kishte ngritur reagime keqardhëse nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë BE-në, por edhe nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Kurti kishte dhënë se i vjen keq për një gjë të tillë, por paralajmëroi se zgjedhjet – që ishin shtyrë njëherë më 10 dhjetor – nuk do të shtyheshin sërish.

Prej atëherë, tensioni në atë pjesë të Kosovës vetëm sa është rritur.

Në ditët e fundit të marsit, fillimisht u njoftua djegia e dy veturave në Zubin Potok. Të dyja këto vetura mbanin targa RKS, dhe kjo besohet të ketë qenë arsyeja. Por, menjëherë më pas u dogjën edhe tri vetura tjera në Leposaviq.

Dje

Policia e Kosovës njoftoi dje se kishte arrestuar një qytetar të etnisë serbe me inicialet M.B. për dyshimet se ishte i përfshirë edhe në djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut.

Ai akuzohej edhe për rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, ku thuhej që “dy zyrtarë policorë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.” Fatkeqësisht, policia nuk tregonte se më cilën datë saktësisht kishte ndodhur ky sulm.

Por, kjo ngriti menjëherë reagimin e Listës Serbe që kërcënoi edhe me “kryengritje të përgjithshme”.

“Për të qenë të qartë, nuk do të jetë një paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për të ndaluar represionin e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm."thuhej mes tjerash në reagimin e tyre.

Në këto momente edhe Petar Petkoviq nga qeveria në Beograd po e denoncon këtë arrestim ndërsa afër tij ndodhet edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Kujtojmë se kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq ishin pajtuar për një Marrëveshje që buronte nga plani franko-gjerman. Aty ishte Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, siç ishte edhe vetëmenaxhimi dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Lajme të ngjashme