Shkuan paratë: Qysh u avulluan 750 mijë euro nga Infrakosi, borxhliu u "zhduk"
Borxhe të mëdha, ende të painkasuara, ka ndërmarrja publike, “Infrakos”. Saktësisht 1 milion e 109 mijë e 879 euro (1.109.879 euro), “Infrakos”-i ende nuk ka arritur t’i mbledhë nga borxhlinjtë. E më i keqja nga borxhlinjtë është një kompani me emrin “Konet LLC”, tashmë e shuar, e cila veç vetë i ka borxh ndërmarrjes publike mbi 752 mijë euro.
Ndonëse Gjykata e Prishtinës, në vitin e largët, 2011, kishte nxjerrë një aktvendim me të cilin ia lejonte “Infrakos”-it procesin e përmbarimit, ndërmarrja publike asnjëherë nuk arriti ta mblidhte borxhin.
Për më shumë, në mënyrë krejtësisht të çuditshme, Menaxhmenti i Lartë, më 31 janar të vitit 2012, vendosi të hiqte dorë nga procedura e përmbarimit.
752 mijë euro
Problemi i borxheve të painkasuara janë evidentuar në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit, që së fundi i ka audituar pasqyrat financiare vjetore të “Infrakos”-it.
Te seksioni i çështjeve kyçe të auditimit, ZKA-ja e ka evidentuar borxhin prej 752 mijë eurosh.
“Gjatë vitit 2021, kompania kishte njohur provizione për borxhet e këqija në shumën prej 1.109.897 €, në kuadër të së cilës ishte provizionuar një klient për vlerën e borxhit prej 752.247 €. Borxhi i këtij klienti daton nga viti 2011”, theksohet në raportin e ZKA-së.
Tutje, ZKA-ja thekson se përkundër faktit se gjykata e kishte lejuar procedurën e përmbarimit, me vendim të Menaxhmentit të Lartë, “Infrakos”-i ishte tërhequr nga kjo mundësi.
“Infrakos me datën 04.10.2011 kishte paditur klientin për këtë shumë borxhi, dhe Gjykata me një Aktvendim të datës 20.10.2011 kishte lejuar përmbarimin e propozuar nga ana e kreditorit (Infrakos). Deri në datën 31.01.2012 Infrakos nuk ishte marrë ndonjë veprim lidhur me inkasimin e këtij borxhi. Më 31.01.2012 menaxhmenti i lartë i Infrakosit kishte marrë Vendim për tërheqjen e propozimit për ekzekutimin e borxhit, nën arsyetimin se debitori ka shpreh gatishmëri që të bisedohet në lidhje me vlerësimin e investimeve nga ana tij dhe borxhit me të cilin ngarkohet”, thuhet tutje në Raport.
ZKA-ja e ka përshkruar mënyrën se si ka vazhduar tutje kjo ngjarje, që rezultoi me “avullimin” e 752 mijë eurove.

“Pas marrjes së këtij Vendimi nga ana e menaxhmentit, Infrakos me datën 01.02.2012 Gjykatës i kishte bërë parashtresë për tërheqjen e propozimit për përmbarim, dhe Gjykata me dantë 03.02.2012 kishte nxjerrë Aktvendim ku konstaton se përfundon në tërësi përmbarimi i kësaj çështje përmbarimore për pagesën e borxhit në shumë 752,247 €. Pra, pasi që palët kishin arritur marrëveshje, Gjykata me Aktvendim e kishte mbyllur këtë rast gjyqësor”, shkruhet në Raport.
Megjithatë, “Infrakos”-i asnjeherë nuk arriti t’i merrte paratë nga kompania “Konet”.
“Por, gjendja e këtij borxhi nuk ishte sqaruar as pas 10 vitesh, dhe Infrakos ende vazhdon ta mbajë këtë vlerë si provizion në regjistrat e saj. Nuk është e qartë se pse Infrakos përkundë Aktvendimit të plotëfuqishëm gjyqësor të datës 20.10.2011, ishte tërhequr nga e drejta e ekzekutimit, ndërkohë që këtë borxh nuk ka arritur ta inkasoj asnjëherë deri më sot”, përfundon raporti i ZKA-së.
Gazeta Nacionale ka dërguar një shkresë elektronike në adresën zyrtare të “Infrakos”-it, duke pyetur se përse kjo ndërmarrje publike ishte tërhequr nga çështja e ekzekutimit të provizionit.
Tutje, Nacionale ka pyetur edhe nëse është marrë ndonjë masë ndaj menaxhmentit që mori vendim për tërheqjen nga përmbarimi.
Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, “Infrakos”-i nuk ka kthyer përgjigje për këto pyetje e as për atë se pse nuk ka arritur asnjëherë që ta nxjerrë borxhin.
Nacionale e ka siguruar edhe procesverbalin nga takimi i Menaxhmentit të Lartë të datës 31.01.2012, në të cilin ishte marrë vendimi që të hiqej dorë nga procedura e përmbarimit.
Në njërën nga vendimet dhe konkludimet nga takimi i Menaxhmentit, thuhet se është vendosor “të tërhiqet propozimi për ekzekutim të borxheve të kërkesës së KONET-it në mënyrë që të vazhdohet vlerësimi i aseteve në bazë të marrëveshjes”.
Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe me kompaninë “Konet L.L.C”, e cila ende ia ka borxh mbi 750 mijë euro ndërmarrjes publike. Sidoqoftë, numri i telefonit, që figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, ka qenë jashtë funksionit.
Për më shumë, në databazën e ARBK-së, borxhliu i keq i “Infrakos”-it tashmë e ka statusin e kompanisë pasive.
Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe me kompaninë që ka pasur 98.02% të aksioneve në “Konet L.L.C”, por edhe ai numër ishte jashtë funksionit.
Kujtojmë që “Infrakos”-i kohëve të fundit është përballur me ndryshim të Bordeve, meqenëse Qeveria Kurti për pak muaj ngarkoi e shkarkoi dy borde.
