Shkarkohet Radomiroviq nga pozita e Zv/Ministrit, shpërthejnë akuzat: “Pyetni për Milan Dabiqin, njeriun që merr krejt paratë”
“Po, sapo mora një e-mail nga Zyra e Kryeministrit që më kanë liruar nga detyra”.
Kështu konfirmoi në një përgjigje me shkrim për “Nacionale” Zëvendës Ministri – tash i shkarkuar – për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq.
“Krejtësisht e pritshme”, tha Radomiroviq, i cili ditë më parë njoftoi dorëheqjen nga partia teksa bëri të ditur pakënaqësitë e fundit në lidhje me ndarjen e fondeve nga eprori i tij, Nenad Rashiq, për veriun e Kosovës.
Ditë më parë e dinte se pret që ta shkarkojnë, por tash, pas shkarkimit, ka edhe gjëra për të thënë.
Eprori i tij, Nenad Rashiq – tash tregon Radomiroviqi – “po më akuzon për bashkëpunëtor të shërbimeve të Serbisë, që është absurde”.
“Bomba po gjuhen mbi kolegët e mi në veri, kolegët e mi ndalohet në Serbi, a këto shoqëruesit e afërt të Rashit lëvizin lirshëm nëpër Serbi”, tha Radomiroviq, duke iu përgjigjur këtyre akuzave që, sipas tij, Rashiqi ka shtruar ndaj tij te Qeveria e Kosovës.
Por, jo vetëm kaq. Radomiroviq shtron një pyetje, që sipas tij, duhet ta shtrojë publiku dhe të kërkojë qartësim për paratë e ministrisë që shkojnë të një OJQ që udhëhiqet nga një person me emrin Milan Dabiq.
E ky i fundit, na thotë ai, është krejtësisht në lidhje personale, interesi e përfitimi me Nenad Rashiqin; ndonëse detaje të mëtejme nuk jep.
“Autoritetet kompetente duhet të adresojnë çështjen e granteve të ministrisë. Ato poashtu duhet të adresojnë çështjen se kush janë këto OJQ që i marrin grantet e ministrisë. Poashtu, kush është Milan Dabiqi dhe pse dhe si punon ai me ato para të ministrisë”, na tha Radomiroviq.
“Edhe vetë Rashiqit do t’i duhet të jep llogari për shumë çështje. Praktikisht nuk e ka më askënd në kabinet, të gjithë kanë hequr dorë nga ai”.
Protesta e tij ndaj Rashiqit thotë se ka të bëjë me shpërputhjen në ndarjen e fondeve: prej 7 milionë eurove, vetëm 180 mijë për veriun e Kosovës.
“Qeveria dëshiron të integrojë veriun e Kosovës dhe t’i ndihmojë qytetarët, dhe ju do të pajtoheni që 180 mijë janë qesharakisht pak”, tha ai.
Radomiroviq e kthen personin, sipas tij kyç, në krejt këtë tregim: Milan Dabiq.
“Ky njeri është Alfa dhe Omega i parasë në ministri. Është ky që vendos kush merr grantet”, tha Radomiroviq, teksa kërkon që “shkoni shihni ku kanë përfunduar këto fonde”.
“Thirreni Millan Dabiqin dhe pyeteni se sa OJQ ka aty. Krejt paratë e OJQ-ve shkojnë te ai”.
Për Radomiroviqin krejt kjo përkthehet në këtë pyetje themelore: “Pse dhe si krejt paratë përfundojnë te ai?”.
Nacionale: Pra, po aludoni që Dabiqi është njeri përmes të cilit Rashiq përfiton personalisht?
Radomiroviq: Natyrisht.
“Jam shumë krenar që kam ndihmuar qytetarët dhe për herë të parë askush s’ka dhënë ryshfet. Ju ftoj që fjalët e mia të dilni e t’i gjeni të dëshmueshme”, tha Radoica Radomiroviq.
Nacionale ditë rresht ka provuar të kontaktojë Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, por s’ka arritur të marrë përgjigje, as përmes telefonit as përmes tekstit.