Shaqir Totaj takon përfaqësuesit e komunitetit RAE: Diversiteti është pasuria e Prizrenit
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka takuar banorët nga komuniteti rom në lagjen “Jeta e Re”, me të cilët ka bashkëbiseduar për nevojat e tyre dhe projektet që do ta përmirësojnë cilësinë e jetës në këtë zonë.
I pari i Prizrenit ka vlerësuar se përfshirja e të gjitha komuniteteve në zhvillimin e Prizrenit është një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale.
“Prizreni është qytet i bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë. Ne kemi dëshmuar me vepra se zhvillimi nuk njeh dallime, por përfshin çdo qytetar, pa përjashtim. Kështu ndërtojmë një Prizren të barabartë dhe me mundësi për të gjithë”, është shprehur Totaj.
Ai ka theksuar se vendimi për njohjen e gjuhës Rome në përdorim zyrtar ka qenë hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së plotë të komunitetit rom në jetën institucionale.
“Njohja e gjuhës Rome në përdorim zyrtar ka qenë një vendimmarrje që shënon respekt, integrim dhe barazi. Ky është mesazhi ynë i qartë: çdo qytetar i Prizrenit është i rëndësishëm dhe ka vend në zhvillimin e përbashkët të qytetit tonë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Totaj ka shtuar se puna do të vazhdojë me projekte konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës, integrimin social dhe ngritjen e mirëqenies në çdo lagje dhe fshat të komunës.
“Mandati ynë i dytë do të jetë edhe më i fuqishëm në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe përfshirje sociale, që asnjë qytetar të mos mbetet pas", ka thënë Totaj.
Në anën tjetër, banorët e komunitetit rom në “Jetën e Re” kanë shprehur mirënjohje për përkushtimin e Komunës dhe vlerësuan qasjen e Kryetarit Totaj si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së plotë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Prizren.