"Shantazhimi, plagosja, protesta": A ka kushte për zgjedhje në veri të Kosovës? - NACIONALE

"Shantazhimi, plagosja, protesta": A ka kushte për zgjedhje në veri të Kosovës?

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Data 23 prill po afron. Kanë mbetur vetëm edhe 9 ditë deri në zgjedhjet e planifikuara në katër komunat në veri. Aktualisht situata është e tensionuar. Sa po kalojnë ditët, duket edhe më e vështirë që zgjedhjet të mbahen në mënyrë të duhur. Përveç bojkotit të zgjedhjeve nga partia më e madhe serbe në vend, Lista Serbe, tensionet në veri kulmuan me plagosjen e një qytetari serb nga policia e Kosovës dhe me një protestë të serbëve, të cilët kërkuan largimin e njësisë speciale të Kosovës nga veriu.

Nuk shantazhohemi

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës duken të vendosur se zgjedhjet nuk do të shtyhen, duke theksuar se nuk shantazhohen nga Lista Serbe.

I pari që foli për mosshantazhimin nga Lista Serbe ishte zëvendëskryeminsitri Besnik Bislimi. Në një interviste për “Zërin e Amerikës”, Bislimi deklaroi se vullneti i shumicës s’duhet t’i nënshtrohet një partie politike.

“Fillimisht, zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë janë institucionet shtetërore që vendosin afatet zyrtare për mbajtjen e tyre. Në këtë rast, në zgjedhjet në veri të Kosovës, ka vullnet nga parti politike që të jenë pjesëmarrës në zgjedhje. Ky vullnet mungon vetëm nga një subjekt dhe do të ishte gabim që vullneti politik i shumicës së subjekteve politike t’i nënshtrohet interesave joparimore të një subjekti të vetëm politik.” – deklaroi ai.

E pak orë pas Bislimit, për mosshantazhimin foli edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme. Para deputetëve, Sveçla tha se shteti i Kosovës nuk guxon të shantazhohet nga Lista Serbe.

“Ne jemi në dispozicion të KQZ-së për çdo gjë. Ne vlerësojmë se nuk ka arsye që zgjedhjet të mosmbahen për shkak të disa bandave kriminale dhe Listës Serbe. Disa nga Serbia refuzojnë sundimin e ligjti dhe refuzojnë demokracinë atje. Ne si institucione të Republikës së Kosovës kemi obligim që qyytetarëve atje tju ofrojmë shansën pë rjetë të qetë dhe rregullim. Jemi të obliguar. Nëse Lista Serbe është e rrezikuar nga humbja e përkhrahjes, ne nuk guxojmë të bijmë në shantazh të tyre.” – theksoi Sveçla.

Nuk ka kushte për zgjedhje

Ndërsa, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiq, i tha gazetës Nacionale se zgjedhjet pa pjesmarrjen e komunitetit serb do te ishin pa legjitimitet dhe të dështuara.

“Mos harroni, marrëveshja bazike në Bruksel nga 2013, zgjedhjet duhet të bëhen me ato kritere, me pjesëmarrjen e komunitetit serb. Në këtë kuptim zgjedhjet do të jenë të dështuara. Do të jenë të ligjshme, por baza e tyre e legjitimitetit do të jetë e dështuar. Kjo është njëra anë. Ndërsa ana tjetër, Serbia tash do të ketë një argument shumë serioz që të manipulojë, dhe sigurisht se ata manipulojnë, dhe kjo do të jetë edhe argument seriozë për evropianët edhe për Këshillin e Evropës. Sepe tash e shoh se çfarë do të bëjë Vuçiqi. Tash argumenti kryesor i tij do të jetë: Qeveria e Kurtit e theu marrëveshjen themelore të vitit 2013. Do të jetë një shpenzim kot i kohës”, tha ai për Nacionalen.

E në mesin e politikanëve kosovarë, më realisti doli te jetë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili, nga foltorja e Kuvendit dje ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve.

Ai ka vlerësuar se shteti i Kosovës nuk do t`i bënte nder mbajtja e procesit të votimit nëpër stacione policore.

“Nuk e shoh se cili është interesi ynë me vazhdu me e mbajt Policinë e Kosovës në situatën çfarë janë atje dhe me harru që kemi përgjegjësi për gjendjen atje. I bëj thirrje qeverisë, presidencës, institucioneve të vendit, ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim lidhur më këtë situatë. Cili kish pasë me qenë ai vendim? Unë besoj shumë shtyrja e zgjedhjeve.”, ka thënë Haradinaj.

“Cilat kishin pasë me qenë këto psoja? Në rast se Kosova qëndron në vendimin e vetë që është kushtetues dhe ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve, do të vije dita e zgjedhjeve dhe qytetarët e veriut do të shkojnë me votu në stacione policore. Ju lutem duhet t`i bëjmë analizë kësaj situate, a është në interesin tonë që të arrijmë të kjo ditë, çka do të fitojmë në këtë ditë?”, - vazhdoi ai.

Lajme të ngjashme