Vuçiq i ankohet Hill-it: Shqetësohem për sulmet e arrestimet e policisë në veri - NACIONALE

Vuçiq i ankohet Hill-it: Shqetësohem për sulmet e arrestimet e policisë në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Plagosja e qytetarit serb nga ana e Policisë së Kosovës në veri të vendit po vazhdon të ngjallë reagime. Sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, të cilit i është ankuar për vështirësitë e serbëve në veri të Kosovës.

Me anë të një postimi në Facebook, Vuçiq ka njoftuar për takimin, teksa ka shkruar se qytetarët serbë në Kosovë po përballen me sfida të vështira.

E njoftova ambasadorin Hill me situatën dhe sfidat gjithnjë e më të vështira me të cilat përballet populli ynë në Kosovë dhe përsërita shqetësimin tim për sulmet e shpeshta, arrestimet dhe presionet e tjera ndaj të cilave janë të ekspozuar serbët”, ka shkruar Vuçiq.

Tutje, presidenti serb tha se Serbia po përpiqet të sigurojë një jetë më të lehtë për të gjithë qytetarët, me respektimin dhe zbatimin e të drejtës ndërkombëtare dhe asaj që është dakorduar në dialogun e Brukselit.

Serbia si edhe më parë, do të vazhdojë t'i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura përmes politikës së përgjegjshme dhe dialogut për të përmirësuar jetën e qytetarëve të saj”, ka shtuar me tej.

Çka ndodhi në veri?

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë shqetësuese ku i jep të drejtë Listës Serbe për pretendimet mbi plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës. Gjatë mbrëmjes së kaluar, Policia e Kosovës kishte deklaruar se “Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar.”

Në anën tjetër, Lista Serbe kishte pasur pretendim krejtësisht tjetër. Ata kishin denoncuar pikërisht policinë tonë për një gjë të tillë duke thënë se ekzistonin edhe “video të bëra nga kamerat”.

Por, fatkeqësisht Policia e Kosovës duket se u ‘dorëzua’ para Listës Serbe përmes një komunikate të dërguar sot për medie.

Ata e pranojnë se një zyrtar policor mund të jetë i përfshirë në gjuajtje me armë zjarri ku u plagos qytetari me përkatësi etnike serbe.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.” – shkruan Policia e Kosovës.

Siç edhe pritej, në lidhje me këtë ngjarje ka pasur reagime edhe nga Serbia. Shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se Policia e Kosovës e pranoi se mund të ishte shkaktuar nga një pjesëtar i saj. Tutje, ai tha se Policia e Kosovës ka gënjyer.

''Policia e Kosovës sapo pranoi se kishte qëlluar serbin Milan Jovanoviq dhe tregoi se gënjeu tërë ditën për serbin e qëlluar me armë, familjar, baba i tre fëmijëve që për fat të mirë mbijetoi’’- tha Petkoviq në rrjetin social ‘’Facebook’’.

Lajme të ngjashme