Reagon KFOR-i për plagosjen e qytetarit serb në veri të Mitrovicës nga një polic i dyshuar
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas plagosjes së një qytetari serb me armë zjarri në veri të vendit, ku i dyshuar është një zyrtar policor.
KFOR ka kërkuar që organet e rendit të kryejnë hetim të plotë mbi ngjarjen dhe përgjegjësit e veprës të dërgohen para drejtësisë.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon incidentin e së hënës mbrëma ku një serb i Kosovës u plagos me armë zjarri në komunën e Zveçanit. KFOR-i pret që institucionet në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjes dhe t'i mbajnë përgjegjësit para drejtësisë."
Më tej KFOR ka thënë se po vazhdojnë të monitorojnë situtën.
"KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.” – thuhet në reagim.
Ndryshe, katër zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar dhe supsenduar nga puna për shkak të dyshimit në përfshirjen në rastin e plagosjes së qytetarit Milan Jovanoviq.
“... është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.” – thuhej në reagimin e Policisë së Kosovës.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe EULEX dhe ambasadorët e vendeve të huaja.
