Ish-drejtori i Policisë për rastin në veri: Është dëmtuar rëndë imazhi i policisë - NACIONALE

Ish-drejtori i Policisë për rastin në veri: Është dëmtuar rëndë imazhi i policisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj po konsideron se imazhi i këtij institucioni është dëmtuar pas lëshimit të dy deklaratave të ndryshme për incidentin në veri ku u plagos një qytetar serb.

Qalaj në një prononcim për gazetën Express ka thënë se raportimi se Policia nuk ka qenë e përfshirë, e më pas doli ndryshe, e ka dëmtuar rëndë shtetin edhe në arenën ndërkombëtare.

“Unë mendoj që raportimi apo lëshimi i komunikatës nga Policia e Kosovës, fillimisht se nuk ka pasur të shtëna respektivisht Policia e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident, e pastaj doli ndryshe, mendoj që e ka dëmtuar rëndë Policinë e Kosovës, e ka dëmtuar rëndë edhe shtetin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare. Mendoj që është gabim i madh që fillimisht është lëshuar një komunikatë e tillë për shkak se policia së paku duhet t’i ketë të gjitha informatat dhe ka mundur që komunikata të jetë më e kujdesshme gjersa të arrihet sigurimi i fakteve në lidhje me rastin që ka ndodh.” – ka thënë ai.

Tutje, ai ka përmedur se “është tentuar të fshihet rasti” nga policët, dhe sidoqoftë, komunikata e ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës si dhe policinë.

“Unë kuptova që policët që janë suspenduar dhe arrestuar nuk e kanë treguar rastin, pra kanë tentuar ta fshehin dhe në një mënyrë e kanë çitë në lajthitje edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Si do që të jetë, kjo komunikatë e lëshuar nga Policia e dëmton rëndë imazhin e Kosovës. Të gjitha hapat që është duke i ndërmarrë Policia e Kosovës janë në rregull, por deklarata e parë është dashur të jetë më e matur. Nuk duhet që një institucion i sigurisë të lëshojë deklaratë e më pas ta demantojë vetën, ndërsa sa i përket hapave të tjerë mendoj janë në pajtim me ligjet në fuqi.” – theksoi Qalaj.

Ndërkohë, më datën 10 prill, një zyrtar policor dyshohet se kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një qytetari te ura e Bistricës në Leposaviq.

Policia e Kosovës bëri një reagim të menjëhershëm, duke insistuar që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“...bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri...”thuhet në reagimin e saj ku një gjë e tillë përsëritet plot tri herë brenda të njëjtit shkrim.

Por, gjithçka do të ndryshonte një ditë më pas. Lista Serbe do të pretendonte se qytetari serb me inicialet M. J. ishte qëlluar nga një polic i Kosovës. Dhe fatkeqësisht, Policia i dha më pas të drejtë përmed një komunikate për media.

“... është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.”thoshte Policia e Kosovës më pak se 24 orë më vonë.

Lajme të ngjashme