Qe provat: Kurti 'fsheh të vërtetën' derisa provon të marrë meritat për liberalizim vizash
Duke provuar të marrë meritat për “Po-në” e dhënë nga ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, kryeministri Albin Kurti duket se ka pasur edhe një tendencë tjetër. Shefi i Ekzekutivit po thotë se Kosova për dy vite radhazi (kohë kjo sa Kurti është në pushtet), është renditur e para për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, World Justice Project e ka radhitur shtetin kosovar të parin për tri vite, 2020, 2021, 2022.
Një lajm i mirë ka ardhur nga Brukseli paraditen e të mërkurës, pasi ambasadorët e shteteve të BE-së i thanë po liberalizimit të vizave.
Kryeministri Kurti në reagimin e tij u shpreh mirënjohës ndaj këtij vendimi, por tentoi të marrë pak meritat për qeverisjen e tij, duke përmendur “progresin” e bërë në sundimin e ligjit, luftimin e krimit e korrupsionit.
Por, kryeministri fshehu diçka.
“Të parët për herën e dytë”
Ndonëse ekzistojnë prova të qarta se Kosova është renditur për tri vite radhazi e para në rajon për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor nga World Justice Project, Kurti po pretendon se çështja është ndryshe.
Më herët, për të njëjtin raport madje lavdërohej edhe Kadri Veseli.
“Pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme të rindërtimit prej shkatërrimeve të luftës, shtet-ndërtimit dhe pengesave në arenën ndërkombëtare, Kosova ka mundur të arrij shumë në shumë pak kohë për sa i përket sundimit të ligjit. Ky indikator vlen veçanërisht si demantim ndaj atyre zërave nihilist në Kosovë, që mohojnë çdo arritje e progres që ka bërë vendin ynë," - thoshte ai.
Në shkrimin e tij ku tenton të marrë meritat për heqjen e vizave, shefi i Qeverisë thotë se Kosova është renditur dy herë e para në rajon për sundim të ligjit - duke e cilësuar këtë pjesë si më të rëndësishmen për ndreqjen e imazhit të vendit. Ai provon të ndërtojë idenë se drejtësia në vend është përmirësuar prej ardhjes së tij në pushtet, por në fakt provat janë se vlerësimi ka qenë i njëjtë prej kur Kosova është përfshirë në këtë indikator, në vitin 2020.
“Rritja ekonomike dhe e vazhdueshme; renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas World Justice Project...” – thuhet në një paragraf të shkrimit të Kurtit për vizat.
Qe provat
E vërteta nuk qëndron kështu, më poshtë i gjeni provat. Në fotografinë e parë të ekranit, e keni matjen e vitit 2020, në të dytën atë të vitit 2021 dhe në të tretën atë të vitit 2022. Pra, Kosova nuk ka pasur lëvizje sa i përket kësaj çështjeje.
Liberalizimi i vizave është konsideruar nga shumë analistë si një proces i lidhur me procesin e dialogut, pasi Kosova është cilësuar se ka plotësuar të gjitha kriteret teknike qysh në vitin 2018.
Kurti ndërkohë në postimin e tij ka përmendur edhe rangimin në Transparency International dhe atë të Reporterëve Pa Kufij. Po ashtu, ai përmendi edhe zhvillimin ekonomik që ka përjetuar vendi sipas tij.