"Serbia s’po e respekton marrëveshjen për personat e zhdukur"
Çështja e personave të pagjetur ishte ndër temat kryesore të takimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqi në Bruksel. Ndërsa në takimet në nivelin e kryenegociatorëve ishte miratuar edhe deklarata për të pagjeturit. Por, sipas Andin Hotit, që është kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, kjo marrëveshje nuk po respektohet nga Serbia.
Mirëpo, tash e disa muaj nga miratimi i kësaj deklarate, Kosova po akuzon Serbinë që nuk po e respekton marrëveshjen e Brukselit.
Sipas Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se kanë mungesë të infromacioneve dhe nuk po kanë mundësi të vazhdojnë punën.
Ai ka kërkuar nga Beogradi që t’i hapë arkivat.
“Qeveria e Kosovës e ka policinë, institutin e mjekësisë ligjore dhe e ka komisionin por ne pa pasur informacione kot punojmë. Ne nuk po ndalemi. Gërmimet janë duke ndodhur vetëm brenda këtij viti i kemi pasur 8 gërmime, dërgimi i mostrave në Hagë. Jemi 24 vjet dhe shumë prej dëshmitarëve o kanë vdekur o janë më moshë të caktuar që nuk po japin informacion. Çdo ditë e më shumë po vështirësohet zbardhja e fatit të të pagjeturve. Prandaj ne po kërkojmë në mënyrë urgjente që Beogradi ti hapë arkivat e saj sepse çdo ditë e më shumë po pakohen informacionet sepse janë 24 vjet pas. Shpresa e mëdha janë arkivat ne Beograd. Përndryshe çdo ditë e më shumë do ta kemi sfiduese zbardhjen e personave të zhdukur." - ka thënë Hoti për Ekonomia Online.
Hotit tutje ka thënë se nuk po respektohet marrëveshja dhe se që nga 5 maji, Serbia nuk ka zbatuar deklaratën për të pagjeturit.
“Në vitin 2021 familjarët e personave të zhdukur kanë kërkuar që ky proces të kalojë në Bruksel për shkak që procesi ka ngelur. Me 5 maj të këtij viti Serbia dhe Kosova kanë miratuar deklaratën e personave të zhdukur nën mbështetje të Brukselit të Lajçak dhe Borrell. Prej atëherë nuk ka ndodhur zbatimin e kësaj deklarate dhe aludojë që nga ngjarjet në veri Brukseli nuk ka pasur kohë të merret me neve. Është Serbia ajo që duhet të zbatojë kërkesat tona dhe një nga kërkesat tona është ajo e 1 qershorit për dhënien e disa prej arkivave që i kam kërkuar te Vuçiq por është Brukseli ajo që duhet të bëjë trusni përmes komisionit në mos zbatimin e këtyre kërkesave. Ligji për persona të zhdukur ekziston që nga viti 2011. Kërkesat e familjarëve janë e drejta e pensionit, të kenë të drejta në arsim, shëndetësi, në ujë dhe që nuk janë të përfshira në këtë ligj. Brenda shtatorit-tetorit ky ligj do të përfundojë dhe do të kemi ligjin për persona të zhdukur.” – ka thënë Hoti.
Në anën tjetër, Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i Prindërve”, thotë se Kosova duhet t’i vendos kushte bashkësisë ndërkombëtare.
Ai ka thënë se nuk duhet të ketë dialog pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Çka thuhet në deklaratën e miratuar për Personat e Zhdukur?
Angazhohemi së bashku;
Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,
për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur,
për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
mundësimin dhe inkurajimin e angazhimit aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe nevojat adresuar familjeve të personave të zhdukur,
krijimi dhe bashkëpunimi përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur,
të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.



