Deklaratë e zbehtë për Personat e Pagjetur, Serbia i shmanget termit "të zhdukur me dhunë" si kategori juridike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, kanë miratuar një Deklaratë në Bruksel për Personat e Pagjetur. Siç ka raportuar vazhdimisht gazeta Nacionale, termi “Enforced Disappearances” sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me Dhunë nuk u përfshi. U përfshi, dhe atë vetëm një herë, diku brenda tekstit, një term tjetër – “forcibly disappeared” – term ky i cili nuk është kategori juridike dhe nuk i prodhon pasoja shtetit serb si përgjegjës për këto zhdukje. Për më tepër, çka është edhe më e çuditshme është se aty thuhet edhe “përfshirë edhe ato të zhdukurit me forcë” thuase ka pasur të zhdukur edhe pa forcë.
Kjo deklaratë ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe përmirësimin e situatës së të zhdukurve dhe familjeve të tyre. Megjithatë, ka shqetësime se amnistia e Serbisë nga ndonjë padi e mundshme për krime lufte mund të jetë e padrejtë dhe e papranueshme për viktimat e luftës dhe familjet e tyre.
Deklarata për Përsonat e Zhdukur nuk përmban termin “të zhdukur me dhunë” (ang: Enforced Disappearance) sipas Konventës ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me Dhunë, por “të zhdukur me forcë” (ang: forcibly disappeared) që nuk është kategori juridike. Kjo ngase për termin e parë “Enforced Disappearance” vetëm shtetet janë përgjegjëse.

Deklarata “konfuze” për të pagjeturit
Kosova, përkatësisht Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte insistuar që termi “të zhdukur me dhunë” me doemos të përfshihet në Deklaratën për Personat e Pagjetur.
Kurti ishte kategorik në atë që kjo gjë të përfshihej. “…ne insistojmë që të theksohet që kjo [zhdukja] është bërë me forcë, është bërë me dhunë, sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, të llojit të vërshimeve, zjarreve apo tërmeteve”, thoshte Kurti.
Tërë kësaj beteje mes termeve megjithatë duket se iu zgjodh një mes. “Enforced Dissaperance” e cila do ta bënte përgejgjëse shtetin e Serbisë u shmang për t’u pranuar termi “forcibly dissapared” e cila i rerefohet rrethanës së ndodhjes së zhdukjes së dhunshme, por e cila nuk është edhe kategori juridike.
Deklarata për Personat e Zhdukur
Pikat kryesore të deklaratës janë të orientuara për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur, të bashkëpunojnë ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve, të sigurojnë akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur duke përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e deklaratës është krijimi i një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga Kryqi i Kuq, me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur.
Ky komision do të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.
Pikat e deklaratës:
Angazhohemi së bashku;
- Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
- për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,
- për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
- të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur,
- për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
- mundësimin dhe inkurajimin e angazhimit aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
- për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe nevojat adresuar familjeve të personave të zhdukur,
- krijimi dhe bashkëpunimi përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur,
- të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.
