Serbia po shfrytëzon situatën e keqe me korrupsion të mikut të shqiptarëve; Mediumi amerikan gjen një biznesmen shqiptar ‘të lidhur’ me ryshfetin e tij - NACIONALE

Serbia po shfrytëzon situatën e keqe me korrupsion të mikut të shqiptarëve; Mediumi amerikan gjen një biznesmen shqiptar ‘të lidhur’ me ryshfetin e tij

2 vjet më parë

nga Beatrisa Culaj

Senatori amerikan Bob Menendez – që është mbështetës i madh i shtetit të Kosovës - ka disa muaj që po përballet me akuza mjaft të rënda se ka punuar për qeverinë e Katarit dhe atë të Egjiptit në këmbim të ryshfetit. Kur u bë publike një gjë e tillë, ishte tronditur e mbarë Amerika. E tash, Serbia po provon që ta shfrytëzojë kaosin e krijuar rreth tij për ta njollosur Kosovën.

Duhet thënë që senatori Menendez i ka mohuar këto akuza, megjithëse do t’i duhet që të përballet në proces gjyqësor me faktet e pretenduara nga Prokuroria. Sipas prokurorëve, Menendezi kishte thënë shumë gjëra të mira për Katarin e Egjiptin në këmbim të ryshfetit që merrte prej tyre.

Kur ishte bërë bastisja në pronat e senatorit ishin zbuluar edhe zarfe me para, shufra të arit dhe gjëra tjera që prokurorët besojnë se ishin dëshmi inkriminuese.

Së fundi, The Daily Beast e ka bërë një hulumtim të titulluar “Lidhja e tretë e huaj në skandalin spiralues të Bob Menendezit” dhe ku i lidh gjithë ato të zeza të pretenduara të senatorit Menendez edhe me lobimin e shqiptarëve. Aty përmendet fatkeqësisht si i lidhur edhe një biznesmen shqiptar. Ky artikull bile në një version tjetër ka edhe titullin: “Skandali i Bob Menendezit: Shqipëria zbulohet si lidhja e tretë e huaj”

Daily Beast ka raportuar tash se ka një operator tjetër të lidhur me marrëveshjet potencialisht kriminale të senatorit me autoritetet egjiptiane. Emri i tij është Gazmend Lita. Shqiptar.

“Për më shumë, gjatë kohës së skemës së dyshuar të ryshfetit, senatori Menendez ishte koordinuar me një grup shqiptaro-amerikan avokatie në të cilin ishte i përfshirë edhe Lita, ishte takuar me vëllain e këtij biznesmeni – që ishte deputet i shtetit ballkanik asokohe...”

Ky deputet si duket ishte Korab Lita, që edhe e kishte takuar senatorin Menendez. Ai bënte pjesë në Partinë Demokratike.

Për shkak se Gazmend Lita ishte edhe pjesë e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane që drejtohet nga Joseph Dioguardi, miku i madh i Kosovës, ky sajt i famshëm amerikan i ka drejtuar po ashtu pyetje atij duke hedhur dyshime të pabazuara se mund të ketë ndonjë lidhje me lobimin për Shqipërinë, apo edhe për Kosovën.

Dhe këtu gazetarët e këtij mediumi provojnë të lidhin interesat kombëtare shqiptare – e ku përfshihte avancimi i shtetësisë së Kosovës - me sjelljen e dyshuar korruptive të senatorit në fjalë. Por, s’ka asgjë së cilës i del tymi.

Në këtë artikull, mes shumë e shumë gjërash tera përmendet denoncimi që senatori Menendez i bënte Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, nuk ofrohet asnjë dëshmi se ka një lidhje të qartë mes qëndrimeve të tij për Kosovën dhe parave që mund të ketë marrë nga ndokush në Kosovë apo Shqipëri.

Për fat të keq, krejt këtë hallakamë në lidhje me senatorin Menendez është munduar ta shfrytëzojë Vuçiqi përmes propagandës së tij që e kishte quajtur atë si “lobuesin më të pushtetshëm të shqiptarëve.”

“Nuk është askush më i keq ndaj serbisë, e që bën punë më të ndyrë se sa Bob Menendezi.”

Vuçiqi foli edhe sot për senatorin, duke thënë se nuk kishte dyshim se merrte para nga shqiptarët.

Gjyqi i senatorit Menendez dhe gruas të tij – po ashtu e akuzuar – pritet të fillojë së shpejti. Sidoqoftë, deri tash nuk ka asgjë solide që mund ta njollosë lobin shqiptar në Amerikë por mënyra se si Serbia po e përdor këtë çështje e pandërhyrë nga politikanët kosovarë është paksa shqetësuese.

Lajme të ngjashme