Infermieri nuk ha bukë për 75 orë për të shprehur pakënaqësinë me Ministrinë e Shëndetësisë - e merr emergjenca gjatë intervistës me gazetaren
Më 26 shkurt, infermieri Enlirat Duraku doli i vetëm para Ministrisë së Shëndetësisë për të filluar grevë urie si shenjë proteste ndaj ministrit Arben Vitia.
Shkak i kësaj nisme ishte mosrealizimi i një numri kërkesash nga Shoqata Sindikale e QKUK-së.
Ndër kërkesat kryesore ishin: Themelimi i Drejtorisë së Infermierisë në QKUK, pagesat e shtesave të tregut dhe atyre për nënpunës shëndetësor në sistemin publik shëndetësor, pagesat e punës gjatë vikendeve, festave, orëve shtesë dhe pagesa ndaj rrezikshmërisë.
Z.Duraku qëndroi i ulur në hyrje të ministrisë për aq kohë sa kishte orarin e plotë të punës vetë ministri Vitia.
“Katër ditë as që është interesu fare, absolut hiç, injorim total. “Nuk ka njeri ma mizor, ma çetnik se Arben Vitia” – u shpreh grevisti.
Pas 75 orëve pa ngrënë bukë, z.Duraku filloi të mos ndihej mirë.
“Po më tradhëton shëndeti. Dhimbja është e madhe, sidomos stomaku” – tha ai.
Nënkryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, Agron Kryeziu, duke u shqetësuar për gjendjen shëndetësore të kolegut, kishte lajmëruar emergjencën pa dijeninë e tij.
Në mes të intervistës, ambulanca mori infermierin duke ndërprerë kështu grevën e urisë pas katër ditësh.
Ndiqeni storjen në videon më poshtë.