Serbia me raport mbi procesin e negociatave: Që nga ardhja e Kurtit u shkelen të gjitha marrëveshjet - NACIONALE

Serbia me raport mbi procesin e negociatave: Që nga ardhja e Kurtit u shkelen të gjitha marrëveshjet

3 vjet më parë

nga Besarta Kalaja

Derisa krerët shtetërorë të Kosovës po merren me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Qeveria e Serbisë ka dorëzuar sot të ashtuquajturin “Raportin për procesin e negociatave me institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme në Prishtinë nga 1 shtatori 2022 deri më 15 janar 2023”.

Siç shkruan RTS (Radio Televizioni i Serbisë), në këtë raport theksohet se kriza me Kosovën u përshkallëzua gjatë kësaj kohe me Prishtinën zyrtare që lihet përgjegjëse për këtë.

Në raport, sipas raportimeve mediale, thuhet gjithashtu se Beogradi nuk do të heqë dorë nga kërkesa e tij për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se Qeveria e Serbisë do të vazhdojë të ketë prioritet mbrojtjen e menjëhershme të sigurisë së popullit serb, si dhe mbrojtjen e interesave kombëtare serbe.

Për përshkallëzimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, gishti drejtohet nga kryeministri Kurti, ku siç thuhet në raport, “vazhdimisht ka intensifikuar diskriminimin sistematik ndaj serbëve”.

“Përgjegjësinë e vetme për një zhvillim të tillë të ngjarjeve e kanë padiskutim në Prishtinë, të cilat që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit në vazhdimësi e kanë intensifikuar diskriminimin sistematik ndaj serbëve duke refuzuar dhe shkelur vazhdimisht të gjithë marrëveshjet që janë arritur deri më tani në kuadër të dialogut”, theksohet në raport.

Më tej aty thuhet se që nga shtatori i vitit 2022, Prishtina ka bërë një përpjekje të bashkërenduar për të shmangur përmbushjen e marrëveshjeve të arritura përmes dialogut deri më tani, dhe për të imponuar zgjidhje të njëanshme në terren që do ta vështirsonin jetën e serbëve.

Sipas raportit, niveli i kërcënimit ndaj serbëve në Kosovë dëshmohet nga fakti se në katër muajt e fundit janë regjistruar 68 sulme me motive etnike, që përbëjnë 25% të numrit të përgjithshëm të sulmeve të tilla kundër serbëve që nga ardhja e Kurtit në krye të qeverisë.

“Kjo konfirmohet nga sulmet e fundit me motive etnike ndaj serbëve, në të cilat, përveç anëtarëve të ROSU-së, janë përfshirë gjithnjë e më shumë pjesëtarë të të ashtuquajturave forca të sigurisë së Kosovës, drejtpërdrejt ose tërthorazi”, thuhet në raport.

Raporti flet edhe për rastin e plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcë, duke akuzuar institucionet përkatëse në Prishtinë se e emërtuan rastin si “sulm ndaj të rinjve”.

Ata akuzuan zyrtarët ndërkombëtar për reagime me logjikë të njëjtë të cilët, sipas raportit, “është e vështirë për t'u kuptuar”.

“Në vend që ta dënojnë qartë krimin e dukshëm, zyrtarët e Prishtinës e karakterizuan atë si “sulm ndaj të rinjve” edhe pse është e qartë se të rinjtë u qëlluan për shkak të përkatësisë së tyre ndaj popullit serb”, thuhet në raport.

Që nga shtatori i vitit 2022, sjellja e pacivilizuar e palës prishtinase ka prodhuar kriza të shumta të rënda në terren dhe ka përcaktuar natyrën e dialogut, i cili, sipas raportit, është shfrytëzuar tërësisht si mjet për de-përshkallëzimin e atyre krizave.

Sa i përket largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, aty pretendohet se kjo ndodhi për shkak të shkeljeve të marrëveshjeve të arritura nga Prishtina zyrtare.

“E gjithë shkelja e marrëveshjeve të arritura së bashku me represionin e vazhdueshëm dhe rrezikimin e sigurisë së serbëve në Kosovë, i detyruan përfaqësuesit politikë serbë nga veriu që në shenjë proteste të largohen nga institucionet e Prishtinës”, thuhet në raport.

Lajme të ngjashme