Së pari shtesat e fëmijëve, tash pensionet: A ka ruajtur Kurti ndonjë tjetër ‘armë’ para fushatës?
Qeveria e Kosovës, në muajt e fundit të qeverisjes, po tenton të shkojë në zgjedhje me vendime, që e prekin direkt qytetarin.
Duke marrë pak nga stili i ish-kryeministrit Hashim Thaçit që i rriste pagat pak muaj para zgjedhjeve, kritikuesi më i madh i Thaçit, po del se po kopjon nga stili i kaluar.
Albin Kurti në muajt e fundit ka prezantuar dy ndryshime të reja: rritjen e shtesave për fëmijë dhe rritjen e pensioneve.
Të parat për kah 10 euro për një fëmijë, e të dytat për 20 euro. Megjithatë, pavarësisht inflacionit, këto dy rritje u prezantuan me pompozitet në konferenca për media.
Për opozitën dhe shoqërinë civile në Kosovë, këto rritje janë për të ndërhyrë direkt në rezultat zgjedhor të 9 shkurtit.
Shtoja kësaj faktin e thashethemeve që deri në fund të mandatit, ka gjasë të rritet edhe koeficienti i pagave për shërbyesit civilë.
Rritja e shtesave për fëmijë
Më 18 korrik kryeministri Kurti e ministri Murati, dolën në konferencë për media. Aty prezantuan rritjen e shtesave për fëmijë.
“Pra, për fëmijën e parë dhe të dytë, shtesat e reja do të jenë nga 20 euro në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë 3 fëmijë e më shumë, shtesat do të jenë nga 30 euro në muaj, për secilin prej fëmijëve, pra edhe për të parin edhe të dytin vlen shtesa 30 euro në muaj. Me fjalë tjera, një nënë me një fëmijë merr 20 euro në muaj, një nënë me 2 fëmijë merr 40 euro në muaj, ndërkaq një nënë me 3 fëmijë merr 90 euro në muaj. Për çdo fëmijë pas të tretit, vlen shtesa e njëjtë prej 30 euro në muaj”, deklaronte Kurti.
“Të dashur qytetarë, të dashura nëna, të dashur fëmijë Qeveria jonë është e përkushtuar për të mbështetur familjet, dhe për t’u siguruar se secili fëmijë e ndjen dorën e mirë të shtetit. Një premtim për shtesa nga 10 euro në muaj, për të cilin na patën thënë që s’do ta arrijmë ta realizojmë asnjëherë, ende pa e përfunduar mandatin, jo vetëm që po e tejkalojmë, por po e shumëfishojmë”, thoshte më tutje ai.
Qysh pas kësaj konference, opozita hodhi dilemat e saj se kjo rritje po bëhet për efekte zgjedhore, dhe duke pasur parasysh faktin që pjesa më e madhe e buxhetit nuk është shpenzuar as në investime kapitale.
Rritja e pensioneve
Çuditërisht, në ditën që Qeveria e Kosovës vendosi ta largojë masën e sigurisë ndaj produkteve të Serbisë, Kurti e Murati vendosën të ndërmarrin një tjetër veprim.
Ata njoftuan se qeveria Kurti i ka rritur pensionet.
“Sot kam kënaqësinë që të ju jap një lajm te mirë të gjithë pënsionistëve. Nga ky muaj, do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si në vijim: Pensionin bazik i moshës, kontibutpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës… Nga muaji janar do të rriten pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidëve, viktimave të dhunës seksuale. Për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë. Për familjet e dëshmorëve dhe të të zhdukurve që kanë më shumë se 1 dëshmorë, do të ndryshohet edhe formula e pensionit duke e rritur për 50 për qind të dëshmorit bazë”, ka thënë Kurti.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e pa kryekëput si “tenativë për me ble vota” për çka tha se inflacioni (rritja e çmimeve) vetëm gjatë qeverisjesë së Kurtit ka kapërcyer në 22%. Krejt kjo në kohë elektorale, tha ajo.
“Nëse Albini Kurti e Hekuran Murati do të brengoseshin për qytetarë, ata pensionet dhe pagat do t'i indeksonin për normën e inflacionit që në vitin 2022, por kjo nuk ndodhi sepse atëherë nuk kishte zgjedhje. Rritja e pensioneve sot 20%, nuk është e mjaftushme sepse vetëm norma e inflacoionit që ka ndodhë gjatë qeverisë Kurti është 22%”, shkroi Bajrami.
Ekonomisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, vendimin e sotëm e lexoi për shëmbëlltyrë të (pa)rezultateve katër vjeçare të qeverisë.
“4 vite pritje me këtë qeveri, dyfishim i çmimeve për shumicën e produkteve bazike, dhe në fund rritje 20 euro! Ky është rezultati 4 vjeçar i kësaj qeverie në përmirësimin e jetës së pensionistit! Këta njerëz nuk kanë pikë ndjeshmërie ndaj kushteve në të cilat sot jetojnë pensionistët!”, shkroi ai.