“S`ka shenja të heqjes së sanksioneve”, Osmani dhe Kurti ankohen: BE-ja po e kushtëzon heqjen e masave
Republika e Kosovës po e përmbyll vitin 2023 nën masa ndëshkuese të BE-së.
Masat që janë vendosur në muajin maj ende nuk ka ndonjë paralajmërim nga BE-ja se ato mund të hiqen. Pavarësisht ankesave të shumta të liderëve institucionalë të Kosovës për largimin e tyre, BE-ja deri me tani nuk ka dhënë ndonjë sinjal se kur mund t`i heq. Zyrtarët evropianë kanë thënë se heqja e tyre varet nga veprimet e institucioneve të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osamni dhe kryeministri Albin Kurti, edhe sot janë ankuar për këto masa.
Madje, e para e vendit ka thënë se në BE-ja ka tendencë që heqjen e këtyre masave ta kushtëzojë me formimin e Asociacionit.
“Masat duhet të hiqen moti, në fakt s’do duhej të vendoseshin kurrë sepse përkundër mospajtimeve mes Qeverisë dhe partnerëve të BE-së sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar në territorin e saj. Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja që janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 13 dhjetor sepse kjo logjika sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje dialogu do të ketë vetëm efekt negativ”, ka thënë ajo pas takimit me presidentin e Bullgarisë.
Ajo ka bërë me dije se arsyet pse janë vendosur ato masa tashmë kanë pushuar.
“Ajo që kanë kërkuar nga Kosova, pra që e quanin deeskalim, tashmë ka ndodhur. Nëse dikush mendon që të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat do të duhet hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara”, është shprehur Osmani.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sot që BE-ja t`i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës”, ka shkruar kryeministri Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, BE-ja dhe ShBA-ja duhet t`i vendosin sanksione Serbisë për sulmin terrorist në Basnjskë.
“Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit)”, ka shkruar ai.
Opozita e shqetësuar
Partitë opozitare janë shprehur të shqetësuar që Kosova po e mbyll vitin nën masa ndëshkuese.
Përfaqësuesit e këtyre partive politike kanë thënë se kjo po ndodh për fajin e Qeverisë Kurti.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar pse Kosova është futur në masa ndëshkuese të BE-së.
“Kjo vije për shkak të qeverisë. Kjo është faktike dhe nuk ka të bëj me vlerësime. Vije për shkak të mungesës se korrektësisë, mungesës se maturisë, por dhe mungesës së partneritetit nga ana e institucioneve të vendit tonë, qeverisë në radhë të parë, me partnerët ndërkombëtar”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se heqja e këtyre masave varet nga veprimet e Qeverisë Kurti.
“Unë besoj se është një shenjë e keqe për perspektiven tonë të ardhshme dhe në të gjitha takimet që ka pasur me partnerët ndërkombëtar, që nga fillimi, kam kërkuar që këto masa të hiqen sa më shpejt. Vizitën e fundit që kisha në Bruksel, kam pasur takime më të gjitha institucionet e BE-së, duke përfshirë Zyrën për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Parlamentin Evropian dhe në Komisionin, ku kam kërkuar që vërtetë të hiqen masat, sepse ato nuk i ndihmojnë qëllimit që ata i kanë vendosur ndoshta për t`i bërë presion kryeministrit dhe Qeverisë, por janë duke i dëmtuar disa kategori dhe disa nga komunitete që do të përfitonin nga projektet e BE-së. Shprese ime është që këto do të hiqen, po duket se këto varen nga veprimet e ardhshme të Qeverisë së z. Kurti”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se tani për tani nuk ka asnjë shenjë të heqjen se këtyre sanksioneve.
“Çka i ka munguar Kosovës para qeverisjes 3-vjeçare të VV-së? Sanksionet ndërkombëtare prej miqve dhe aleatëve të Kosovës për shkak të Qeverisë. Këto sanksione po i vuajnë qytetarët e Kosovës, por jo Qeveria e vendit, prej majit të vitit që po e lëmë pas. Shenja të heqjes së tyre të shpejtë nuk ka, për fat të keq. Të sanksionuar po hyjmë në vitin e ri 2024”, ka shkruar Hamiti në profilin e tij në “Facebook”.