“S`është siç po thonë Osmani e Kurti”: Shkarkimi i kryetarëve të veriut me peticion s`është i qëlluar - NACIONALE

“S`është siç po thonë Osmani e Kurti”: Shkarkimi i kryetarëve të veriut me peticion s`është i qëlluar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një prej kërkesave kryesore të ShBA-së dhe BE-së për shtensionimin e situatës në veri është mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Duke marrë për baze ligjet në fuqi, procesi i ri zgjedhor mund të procedohet në dy mënyrave: dorëheqjes së kryetarëve aktual, apo shkarkimi i tyre përmes peticionit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdimisht po deklaron se hapja e rrugës për zgjedhje të reja duhet të realizohet përmes alternatives së dytë.

Por, njohësit qeverisjes lokale dhe ata të procesit zgjedhor kanë bërë me dije se largimi i kryetarëve përmes një peticioni të nënshkruar nga njëzet (20) për qind e votueseve të regjistruar është me plotë sfida.

Sipas tyre, rruga më e mirë dhe më e shpejt do të ishte dorëheqja e kryetarëve aktual.

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka bërë me dije se rruga që po përmendet nga liderët institucionalë nuk është shumë e sigurt.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar për gabimet që po bëjnë ata kur po flasin për këtë çështje.

Nuk është siç po thonë krerët e institucioneve që një peticion prej 20% e votusëve mundëson shkarkimin e kryetarëve në veri. 20% e listës votuse të regjistruar thotë Ligji, jo 20% e votusëve që e kanë votuar kryetarin. Nëse është kështu kryetarët shqiptar në veri janë zgjedhur me ka 100 vota, 20 persona që kanë votuar mund të nënshkruhen për ta shkarkuar”, ka shkruar ai.

Sipas tij, procesi i shkarkimit të kryetarëve në këtë mënyrë do të mund të përfundonte në gjykata.

Ideja që kryetarët aktual në veri të shkarkohen përmes peticionit nuk është e qëlluar dhe mund të kontestohet shkarkimi i tyre nga ta në procedurë gjyqësore. Për disa arsyje: E para: Kosova nuk ka ligj për peticione. E dyta: Kush (cili institucion) e verifikon saktësin e një peticioni. E treta: Kush e inicon dhe kush e administron peticionin. E katërta: Nuk kërkohet peticion nga qytetarët, por vetëm nga trupi elektoral. Gjetja e vetëm një rasti në peticion që dikush ka nënshkruar pa qenë në listen komunale të votimit e bënë jo kredibil krejt procesin e peticionit”, ka shkruar ai duke shtuar se nuk kërkohet një peticion për këtë proces, por katër peticione.

Edhe Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se rruga më e mirë për zgjedhje të reja do të ishte dorëheqja e kryetarëve aktual.

Pak rëndësi ka rrugëzgjidhja ligjore për të çuar në zgjedhje të jashtëzakonshme katër komunat veriore – përfshirë largimin e kryetarëve me “referendume”, ani pse kjo do të kërkonte praktikisht dy procese votimi. E rëndësishme është që në rast të shpalljes së zgjedhjeve të reja, presioni ndërkombëtar do të bjerë mbi palën serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, duke e bërë pothuajse të pamundur çfarëdo bojkoti të Listës Serbe. Një rezultat i tillë vështirë se do të arrihej në çfarëdo rrethane tjetër, pa formim paraprak të Asociacionit – që ka qenë kusht i Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Çka thotë ligji për largimin e kryetarëve?

Ligji për Vetëqeverisje Lokale specifikon mënyrën e largimit të kryetarëve të komunave.

Në nenin 72 të këtij ligji tregohet se si mund të bëhet kjo me një iniciativë të qytetarëve.

72.1 Qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës. 72.2 Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) për qind e votuesëve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit. 72.3 Nëse shumica e votuesëve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet nënenin 72 të këtij ligji.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe sot e ka përmendur këtë mundësi të shkarkimit të kryetarëve të veriut.

Në një intervistë për “Reuters”, ajo ka thënë peticioni është mënyra “më demokratike” për të proceduar në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në këtë mënyrë unë mendoj që sigurojmë përfshirjen e serbëve, sepse kjo kërkesë do të kishte ardhur fillimisht nga qytetarët.”, ka deklaruar Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti nuk është shprehur kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Në një intervistë me gazetarin amerikan Chuck Todd në kuadër të emisionit “Meet the Press Noë” në NBC, ai ka thënë se nëse mbahen këto zgjedhje ato duhet të jenë fer dhe demokratike.

Nuk e përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme, por ato duhet të jenë fer, demokratike dhe të lira”, është shprehur ai.

Mundësia e zgjedhjeve të reja është hapur pasi Franca dhe Gjermania kanë kërkuar një gjë të tillë si alternativë për shtensionimin e situatës në veri. Kësaj kërkese ia ka bashkuar edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me presidentin Aleksander Vuçiq në Moldavi, Borrell ka kërkuar që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në procesin zgjedhor dhe të fillohet puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajme të ngjashme