Escobar: S’ka afat për Kurtin – të premten i raportoj Shtëpisë së Bardhë, pastaj marrim disa vendime - NACIONALE

Escobar: S’ka afat për Kurtin – të premten i raportoj Shtëpisë së Bardhë, pastaj marrim disa vendime

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeverisë së Kosovës nuk i është vendosur afat për t’i kthyer përgjigje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me kërkesat e tyre për deeskalimin e situatës në veri. Kjo është konfirmuar para gazetarëve në Beograd nga emisari amerikan, Gabriel Escobar, megjithëse, ai tha se të premten do t’i raportojë Shtëpisë së Bardhë dhe aty do të merren disa vendime për të ecur përpara.

Pas takimit që patën ai dhe emisari evropian për dialogun, Mirsolav Lajçak, Escobar iu drejtua gazetarëve serbë, ku u pyet për shumë çështje.

Shumica e deklaratave të tij, ishin veçse të ditura, pasi që janë tema që i ka përmendur edhe më herët.

S’ka afat

Çështja kryesore për të cilën Escobar u pyet në këtë konferencë për media, ishte ajo rreth raportimeve për një afat të vendosur ndaj Qeverisë së Kosovës.

Escobar konfirmoi se nuk kanë vendosur afat, por po ashtu tha se deri më tani nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria në lidhje me planin për deeskalimin e situatës.

“Mendoj që diskutimet mes Kosovës dhe BE-së do të vazhdojnë, kështu që nuk e di që nëse ka pasur një përgjigje konkrete nga Kosova, shpresoj që Qeveria të njohë atë që po duam të arrijmë…” – tha ai.

Emisari amerikan e përmendi se do të pyetet të premten nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me atë që po ndodhë në krejt këtë situatë, dhe në bazë të raportit të tij, do të ndërmerren disa hapa, ndonëse nuk tregoi se për çfarë bëhet fjalë.

“Nuk kam vendosur afat. Ajo që më është kërkuar në Prishtinë, ka qenë se cilët janë hapat e ardhshëm. Unë dhe z.Lajçak thamë se pas kësaj vizite, jam duke u pyetur të premten nga Shtëpia e Bardhë se çfarë po ndodhë, duhet të raportoj nëse ka progres, ai duhet të raportojë po ashtu. Nuk është afat, por ky është hapi i ardhshëm për mua, dhe bazuar në raportin tim, do të marrim disa vendime për të ecur përpara.” – tha ai.

Pasojat?

Escobar u pyet edhe për pasojat që mund t’i shkaktohen Kosovës, varësisht nga përgjigja e saj, duke përsëritur se “nëse i kthehet shpina propozimit evropian, i kthehet shpina Evropës.

“Nuk është veç BE, jemi ne dhe Britania e Madhe, kështu ne po i inkurajojmë që të koordinohen me ne për të siguruar stabilitet në rajon. Kjo lidhje e partneritetit është e hapur për Kosovën kur e do. Në të njëjtën kohë, nëse nuk duan, janë duke ndërmarrë hapa unilateral, largohen nga lidhja me komunitetin transatlntik, kjo është po ashtu pasojë. – tha tutje ai.

I dërguari i Posaçëm amerikan e përsëriti edhe një herë deklaratën e tij se Asociacioni do të formohet, por se “nuk dihet nëse me këtë Qeveri, apo me atë që do të pasojë pas kësaj.

“Në një pikë, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara në integrimin e saj në rrugën e saj euroatlantike, duhet ta formojë Asociacionin, do të ndodhë, por pyetja është nëse do të ndodhë me këtë Qeveri apo me të ardhmen.” – u shpreh Escobar.

Vlen të theksohet se Lajçak dhe Escobar kanë qëndruar për vizitë edhe në Kosovë ku u takuan me kryeministrin Kurti, presidenten Osmani dhe liderët e partive opozitare.

Lajme të ngjashme