Rrustemi nuk tregon nëse i VV-ja do ta respektojë aktgjykimin: Mbetet të shihet arsyetimi i plotë i Kushtetueses
Ish-deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, nuk e di nëse partia e tij do ta respektojë aktgjykimin e djeshëm të Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit.
Ai ka thënë se për këtë çështje partia do të vendosë kur të publikohet aktgjykimi i plotë.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv”, ai ka vazhduar kritikat ndaj aktgjykimit.
“Nuk na e ndalon diskutimin (vendimi)... për veprimet politike, mbetet të shihet arsyetimi i plotë”, ka thënë ai, transmeton Koha.
Nder të tjera, ai është munduar të arsyetojë veprimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për aplikimin e votimit të fshehtë, i cili është vlerësuar se antikushtetues.
“Propozimi i kryesuesit për ta ndërruar mënyrën e votimit ka qenë përpjekje për të zhbllokuar situatën. Po të ishte një parti tjetër politike në pozicionin tonë, një vendim i tillë nuk do të dilte”, ka vlerësuar ai.