Rritja e çmimeve nxiti lakminë e KEK-ut për të shitur rrymë, A5shi 47-vjeçar mbiprodhoi ‘dhunshëm’ - NACIONALE

Rritja e çmimeve nxiti lakminë e KEK-ut për të shitur rrymë, A5shi 47-vjeçar mbiprodhoi ‘dhunshëm’

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosovarët po ballafaqohen me reduktime të energjisë elektrike midis muajit gusht, teksa rrezikojnë këtë dimër që të kenë reduktime edhe më të ashpra.

E gjitha duket të jetë si pasojë e lakmisë së menaxhmentit të ri të Korporates Energjetike të Kosovës, për të eksportuar energji elektrike, duke lejuar që blloku A5 i Termocentralit Kosova A, të kapërcejë mbi 40 mijë orë pune. E kjo shkaktoi krizën me bllokun, i cili doli jashtë operimit.

I njëjti menaxhment ka injoruar të gjitha alarmet e mundshme nga punëtorët në KEK-ut mbi “nevojën urgjente” që ky bllok të shkoj në riparim.

Për ta bërë edhe më kaotike situatën, menaxhmenti i ri kishte hapur një tender në të cilin nuk ka konkurruar askush, duke rezultuar në anulim të tij.

E kur ngarkesa e madhe në bllokun A5 u bë e madhe, ajo rrëzikoi të “shpërthente” këtë njësi. Një rrezik i tillë, bëri që blloku të dalë jashtë përdorimit. Puna u ndal dhunshëm.

Tash kur është mesi i gushtit, në KEK thuhet se kanë në plan të angazhojnë një kompani, e cila nuk u angazhua nëpërmjet tenderit të rregullt. Por, as tani nuk dihet nëse kompania që pritet të angazhohet do të arrijë të kthejë në jetë bllokun A5.

Nacionale sjell detajet e krejt kësaj historie të ngërthyer mes lakmisë për eksport dhe paditurisë për menaxhim.

Si nisi kaosi?

Gjatë stinës së dimrit, kërkesa për energji elektrike rritet në Kosovë. Konsumi i madh bie gjatë muajve të verës, kohë kur blloqe të ndryshme të Termocentraleve Kosova A dhe B shkojnë në remont.

Njëjtë ishte planifikuar edhe vitin e kaluar. Prandaj, menaxhmenti i KEK-ut, qysh në prill të vitit 2021 kishin nisur procedurat e tenderimit për bllokun A5 të Termocentralit Kosova A, i cili riparim pritej të ndodhte gjatë verës së 2022-s.

Por, ky tender ishte anuluar për shkak se asnjë kompani nuk kishte ofertuar për kushtet që kishte vendosur KEK-u, i cili donte që të rregullonte disa punë të ndryshme me një çmim. “Oferta” e KEK-ut nuk e kishte nxitur asnjë kompani që të merrte punën përsipër.

I njëjti tender ishte anuluar përfundimisht në shtator të vitit 2021.

Një muaj më vonë, bordi i ri i emëruar nga Qeveria Kurti II zgjedhë edhe drejtorin e ri ekzekutiv, Nagip Krasniqin.

Me të marrë detyrën e re, Krasniqi u përballë me një krizë të madhe të dimrit 2021. Por, kriza kaloi bashkë me dimrin. Erdhi pranvera e vitit 2022. Këtu fillon kriza tjetër, që ende vazhdon.


“Le të shesim, deri sa të prodhojë”

Teksa pasojat e dimrit 2021 po harroheshin, menaxhmenti i ri i KEK-ut, nuk po merrej me procedurat e reja të tenderimit për të gjetur kompaninë e cila do ta kryente punën në bllokun A5. Në vend të kësaj, menaxhmenti po eksportonte energji elektrike.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin maj të vitit 2022, Kosova ka eksportuar fiks 295 mijë e 750 megavat energji elektrike. Ky institucion i statistikave që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, nuk ka publikuar të dhëna për qershorin dhe korrikun e këtij viti.

Kosova po hynte në muajt e verës, ku kërkesa për konsumin e energjisë elektrike nuk është aq i madh, por menaxhmenti nuk po kryente asnjë procedurë që do të hapte rrugë gjetjes së një kompanie e cila do të merrej me punimet në A5.

Kjo procedurë ishte paraparë edhe në në dokumentet e vetë KEK-ut, kishte planfikuar që të këtë bllok ta çonte në revision me 16 korrik të vitit 2022.

Edhe pse orët e punës së paraparë të këtij blloku po tejkaloheshin, puna u lejua. Deri me 21 korrik, kur edhe puna në këtë bllok u ndal, por jo natyrshëm.

Nacionale kishte raportuar edhe para 3 jave sesi kishte rrjedhur e gjithë historia e ndaljes së këtij blloku.

“Menaxhmenti injoroi alarmimet e punëtorëve”

Njësia A5 që prodhon rreth 130 megavatë energji elektrike ishte planifikuar të shkonte në remont (servisim të thellë) më 16 korrik të këtij viti, por kjo gjë nuk ka ndodhur. KEK-u ka lënë në prodhim këtë njësi më shumë sesa që ka qenë e planifikuar.

Sipas rregullave teknike brenda KEK-ut, njësia A5 duhej të shkonte në remont pas 32 mijë orëve pune, por menaxhmenti i KEK-ut e ka lënë këtë njësi që është e vjetër 47 vite (1975) të kapërcejë mbi 40 mijë orë pune.

Kur KEK kishte vendosur që të ndalte “dhunshëm” bllokun A5 menaxhmenti nuk kishte asnjë kompani që të të kryente punimet.

Kur Nacionale kishte pyetur zëdhënsin e KEK-ut se kush do të kryente punimet në këtë bllok, ai kishte hamendësuar duke thënë se “këtë punë do ta kryenin punëtorët brenda KEK-ut”.

Por, vet punëtorët e KEK-ut kishin mohuar se këtë punë mund ta kryenin ata.

Arsyet janë krejtësisht teknike, për të cilat duhet ekspertizë që nuk është brenda KEK-ut. Tash është muaji gusht, dhe KEK ende nuk e ka një kompani që do të kryej këto punë. Për këtë ishte lajmëruar përmes emailit menaxhmenti edhe pasi ishte ndalur prodhimi në bllokun A5.

Në email-at e siguruara nga Nacionale, menaxhmenti i KEK-ut ishte paralajmëruar me 29 korrik, duke theksuar se vonesa e riparimit do të shkaktojë probleme në të ardhmen.

Siç e dini blloku i ka arritë orët e punës dhe çdo vonesë në të ardhmen do na shkakton problem”, thuhej në email-in alaramues që punëtorët e Termocentralit Kosova A, i dërgonin menaxhmentit.

Tutje, në të njëjtin email theksohet se procedurat e prokurimit do të zgjasin shumë.

Dihet mirë se procedurat e prokurimit sa janë të vështira dhe sa po na zgjasin deri në lidhje të një kontrate. Po ashtu ne kemi dhënë edhe një plan të riparimeve dhe remonteve të njësive të TC-Kosova A, si dhe planin energjetik që me këtë ndryshim vështirë se do ta përmbushim bilancin energjetik”, shkruhet në email.

Por, këto paralajmërime nuk i mori parasysh menaxhmenti aktual, që morën këto pozita në tetor të vitit të kaluar.

Se situata është njëmend kaotike dhe se KEK-u nuk e ka ndonjë plan konkret, tregon edhe alarmi që ka ngritur Nexhat Llumnica, shef i sindikatës së KEK-ut, i cili ka paralajmëruar për pasoja për ekonominë e vendit me 15 gusht.

Kërkuam së bashku rivitalizimin e Kosovës A, por nuk po ndodh tani. Jo rivitalizim, por as remontet e rregullta, madje janë ndalur edhe investimet, që pasojat dihen. Përtej mbylljes së TCA-së janë sfidat edhe për qytetarët e Kosovës dhe ekonominë e vendit”, shkruante Llumnica në llogarinë e tij në Facebook.

TENTATIVA DËSHPËRUESE

Teksa po i afrohemi dimrit, dhe teksa gushti po na sjellë reduktime, menaxhmenti i KEK-ut tash është duke bërë një tentim të fundit, për të rregulluar kaosin që vet e ka krijuar. Por gjendja duket se është e njejtë me vitin e kaluar.

KEK-u është futur në një rreth vicioz që si përfundim ka dështimin.

Nacionale ka mësuar se tashmë është hapur një llot i ri, e për të cilin nuk ka asnjë ofertues.

Sipas burimeve të Nacionales brenda KEK-ut, tenderi i ri ishte shpallur pas kërkesës së drejtorit menaxhues.

Ky llot ishte shpallur për remontin për turbinë dhe gjenerator, duke përfshirë riparimin e kazanit (bojlerit). Por, deri më tani nuk ka asnjë ofertues, pasi që nuk ka kompani që ofron të trija këto riparime.

Sipas burimeve të Nacionales, menaxhmenti i KEK-ut së shpejti pritet të kontraktojë një operator ekonomik, duke përdorur procedura të përshpejtuara dhe emergjente.

Sinjalizuesit e KEK-ut theksojnë se një procedurë e tillë është minimalisht transparente. Ata hedhin dyshime se çmimet janë të fryra krahasuar me procedurat e hapura të prokurimit, që ishte dashur të zhvilloheshin vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme