Rrena që prodhoi vrasjen në Ferizaj - NACIONALE

Rrena që prodhoi vrasjen në Ferizaj

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Shkruan: Jetlir BUJA

Një djalë i ri u vra mbrëmë në Ferizaj si pasojë e një zënke banale që s’duhej të kishte ndodhur kurrë. Krejt kjo ishte e lidhur me një masturbim të lodhtë në një kulturë që e quajnë mes tyre hip-hop, e që natyrisht se nuk është e tillë.

Ferizaji nuk është Nju Jork. As Prishtina. Anonimiteti nuk sendërton identitetet tona individuale. Nuk ka segregacion. Nuk ka Harlem. Nuk ka arsye legjitime pse anëtarë të shumicës racore, etnike, fetare e seksuale të bëjnë thirrje për mosbindje civile. Nuk ka arsye që duhen marrë seriozisht pse hip-hopi në Kosovë duhet të çojë në vrasjen e dikujt. Ndërkohë, ka shumë arsye pse disa të rinj vendosin të kopjojnë dhe falsifikojnë një industri që ekziston në rrethana krejt tjera.

I dyshuari kryesor në këtë vrasje është vëllai i një pjesëtari të këtij komuniteti imagjinar të quajtur Buta. Dhe i vrari po ashtu thuhet të jetë pjesë e kësaj farse. Banalitetet private mes tyre dolën në domenin publik pas kësaj vrasjeje, dhe ne mësuam që ekzistonin edhe personazhe tjera e edhe fabula tjera të vërteta të prodhuara nga kjo rrenë.

Siç mësova nga teksti i gazetarit Burim Pacolli, Buta në një këngë fryhej se si e kishte korruptuar një prokuror për ta liruar nga burgu vëllain e tij që po mbahej në burg. Nga ato miliona shikime që mori ajo këngë – ndoshta një pjesë e shikimeve janë të rreme, siç është e rreme e gjithë veprimtaria – nuk duket se e mori ndonjë shikim nga organet tona të rendit. Policia, Prokuroria, inspektoratet përkatëse.

Nëse në Nju Jork – e veçanërisht në Harlem dhe lagjet tjera zezake kudo në Amerikë – është problem tepër i madh brutaliteti policor, dhe prandaj organeve të rendit iu duhet të kenë qasje dukshëm më të kujdesshme e tolerante, në Kosovë gjërat janë shumë më ndryshe. Policia nuk është brutale ndaj njerëzve të Ferizajit, apo lagjeve të caktuara të Prishtinës. Diskriminimin policor mund ta shohim veç ndaj pakicave etnike - romëve, ashkalive dhe egjiptasve - të cilët po të shprehnin fjalë të ngjashme që sfidonin rendin do të mund të toleroheshin pikërisht për shkak të diskriminimit strukturor ndaj tyre.

Por, Buta me të tjerët në asnjë element identitar nuk është në anën e kundërt të policisë. Ata janë shumica, e prandaj ata janë edhe policia.

E derisa ky teatralitet (hip hopi kosovar) çoi në vrasjen e një djali të ri, dhe banalçe prodhon zënka tjera që i marrin kohën dhe energjinë policisë e prokurorisë që edhe ashtu është e stërngarkuar dhe joefikase, një tjetër problem i madh po ndodh: ata po farkëtojnë vlerat e një pjese të rinisë së Kosovës.

Mos-bindja civile ndaj autoriteteve – sado false që është – as nuk mund të krahasohet me problematikën e objektifikimit të grave dhe himnizimin e primitiviteteve tjera. Efektivisht, këta njerëz po zgjerojnë hendekun që veçse ekziston mes njerëzve që duan të emancipohen e të jetojnë në një shoqëri më të hapur e më të drejtë dhe njerëzve që për shkak të sistemit arsimor nuk mund të emancipohen e nuk mund ta kuptojnë shoqërinë e hapur dhe të drejtë. Emancipimi, fatkeqësisht, zbret në shoqëri ngjashëm si kapitali. Njerëzit e varfër e të diskriminuar qasjen në emancipim e në arsim cilësor e kanë e do ta kenë dukshëm më të vështirë se sa njerëzit e pasur.

Derisa në Harlem mosbindja civile dhe shprehja e vlerave të prapambetura ishte e drejtuar ndaj organeve të rendit dhe respektivisht elitave që e kishin sofistikuar racizmin edhe në ecjen e tyre progresiste, në Kosovë ajo është thjesht eksploatuese e vrazhdë dhe vulgare e njerëzve të varfër të shumicës, që s’ka kurrfarë domethënieje.

Prandaj, sfera publike e sotme është më e zgjeruar dhe duhet të kuptohet si e tillë. Në të bën pjesë analisti i një televizioni, kryeministri e aktivisti i shoqërisë civile, por aty bën pjesë edhe hoxha, prifti, një llogari e rreme në Facebook e bëjnë pjesë natyrisht edhe njerëzit si Buta. Shpërfillja e këtyre njerëzve – ose dëgjimi i ‘inferiorit’ vetëm sa për ta kënaqur ndjenjën e superioritetit - vetëm sa do ta rris besimin e tyre në rrenën e përbashkët.

Lajme të ngjashme