Rrëfimi i kundërshtarit të Bulliqit në VV-në e Llapit: Nuk po qeverisim siç premtuam - NACIONALE

Rrëfimi i kundërshtarit të Bulliqit në VV-në e Llapit: Nuk po qeverisim siç premtuam

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Shpejtim Bulliqi i shkarkoi tre drejtorë, e tash njëri nga ta ia ka mësyrë që ta ‘shkarkojë’ Shpejtim Bulliqin. Lufta në mes të ‘borgjezëve’ të VV-së dhe aktivistëve do të vazhdojë edhe brenda zgjedhjeve në parti. Bedri Maçastena, i quajtur në mënyrë përkëdhelëse “Bedi”, po e akuzon Bulliqin se nuk i ka harruar metodat e LDK-së.

Ish-drejtori i Inspekcionit, Bedri Maqastena, ka vendosur t’i hyjë garës për postin e të parit të VV-së në Podujevë.

E vërtetë është që kam vendosë me hi në garë për kryetar dege në Podujevë. Ende s’është koha për ta deponuar kandidaturën zyrtarisht, është kërkesë e një numri të anëtarëve”, ka thënë Maqastena për Nacionalen.

Arsyeja pse Maqastena i është futur garës duket se ka të bëjë me qeverisjen e Shpejtim Bulliqit në Podujevë.

Shqetësimin e kam shprehur edhe dje, pra s’është situata e mirë, qeverisja s’është duke ecur siç kemi kërkuar me kanë, siç kemi bë në fushatë e kemi premtuar...”, thotë Maçastena.

Pas zhvillimeve politike në Podujevë, Maçastena ka thënë se kryetari bashkë me drejtorët e tij, duhet t’i kthehen bazës së VV-së, sepse ashtu kanë premtuar në fushatë.

Unë kam shkru në mënyrë që të reflektojë kryetari dhe drejtorët. T’i kthehen bazës së Vetëvendosjes dhe të punojnë siç kemi premtuar në fushatë”, shtoi Maqastena.

Kandidati për kryetar ka thënë se ish-shefi i tij në qeverisjen komunale ka qeverisur për një kohë të gjatë me një tjetër metodë, andaj po e ka të vështirë të bëhet VV.

Nuk po them që ka grupe, por kryetari për një kohë të gjatë ka qeverisur me një tjetër metodë, e po e ka pak vështirë t’i kthehet Vetëvendosjes. Përkrahjen tonë e ka pasur nga fillimi. Pa VV-në ai s’do të kishte mundur të zgjidhet kryetar”, theksoi Maçastena.

Ndërkohë që për drejtorin e fundit të shkarkuar, Besnik Mulliqin, Maçastena tha se bashkë me të u kanë premtuar qytetarëve se do të punojnë ndryshe, e kjo gjë s’po ndodh me Bulliqin.

Besnik Mulliqi për një kohë të gjatë është aktivist i VV-së, kemi bërë aktivitete bashkë. Nuk kemi diçka personale, por kemi dhënë premtim para qytetarëve se do të punojmë ndryshe dhe jemi të shqetësuar se s’po ndodh ajo”, shtoi Maçastena.

Bulliqi dhe Drejtoria e Inspekcionit

Edhe pse me rezultat të ngushtë, llapjanët më lehtë u rehatuan me kryetarin e Podujevës sesa drejtorin e Inspekcionit. Brenda pak më shumë se një viti, Bulliqi ndërroi 3 drejtorë.

Vilat luksoze dhe mbindërtimet pa leje u bënë mollë sherri që VV-ja e profilizuar si e majtë në Podujevë të përçahet. Asnjë drejtor i Inspekcionit nuk po i bie tamam Shpejtim Bulliqit.

Sikur pararendësit i tij, Bedri Maqastena dhe Ajet Potera, edhe Besnik Mulliqi u shkarkua së fundmi nga kryetari.

Nacionale mëson se kryetari e shkarkoi Mulliqin për shkak të vilave luksoze te Liqeni i Batllavës dhe ndërtimeve pa leje në qendër të Podujevës.

Ka mbindërtime që bëhen në Podujevë. Tri zonat që i kam marrë me prioritet janë ‘zona qendrore e qytetit, rruga magjistrale Podujevë-Prishtinë dhe zona e Orllanit’. I njëjti (kryetari) më ka kërku mos me i fillu rrënimet në Orllan”, ka thënë Mulliqi.

Autorët e projektit luksoz në Batllavë që mund të realizohet së shpejti, janë të lidhur ngushtë me Albin Kurtin, zyrtarë të lartë të VV-së, si shefi i Stafit të Kryeministrit dhe ministra në Qeveri.

Kryetari i Podujevës e shkarkoi aktivistin e VV-së me arsyetimin e performancës së dobët, por këtë s’e beson as LDK-ja.

Asamblisti i LDK-së, Qendrim Softolli, ka thënë se këto shkarkime janë hakmarrje politike, sepse s’janë pjesë e krahut të Shpejtim Bulliqit.

Sa i përket shkarkimeve, është mjaft shqetësuese se si brenda një mandati janë shkarkuar tre drejtorë të inspekcionit me arsyen ‘performancë e dobët’, që është pak e besueshme. Nëse do të ishte ashtu, së pari do të duhej shkarkohej drejtori i Urbanizmit apo Shërbimeve Publike, sepse vetëm 12% kanë realizuar buxhetin për projekte kapitale”, Qëndrim Softolli.

Është shqetësuese sjellja e kryetarit karshi drejtorëve të inspeksionit dhe punëtorëve të administratës, para disa ditëve patëm edhe një deklaratë të kryetarit rreth transfereve që i ka bë ai brenda administratës së komunës, si hakmarrje politike, ndaj atyre që shprehën vullnetin e tyre të përkarhin krahun e kundërt të Shpejtimit... transfere prej dikastereve totalisht të kundërta”, Qëndrim Softolli.

Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyrtarët komunalë lidhur me këto zhvillime jo të zakonshme në Podujevë, por të njëjtit s’kanë qenë të gatshëm të japin përgjigje.

Lajme të ngjashme