Kritika ndaj zgjedhjeve të brendshme e raporti i zbehtë brenda GP të VV-së, Rrahmani s'e përjashton mungesën në listën e ardhshme të VV-së
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka dhënë sinjale të qarta se raportet e disa deputetëve me deputetë të tjerë të grupit parlamentar nuk janë në elementin më të mirë të mundshëm.
Ai mohoi raportimet se një grup i deputetëve do të largohen, por hodhi kritika te dy-tre kolegë të tij, që sipas Rrahmanit janë servilë dhe se po i fryjnë kësaj ndarjeje, duke shtuar se të njëjtit po e shfrytëzojnë secilën situatë brenda partitë.
Ndërkaq, kur u pyet rreth raporteve momentale, ai pohoi faktin se votimi kundër Projekt-Kodit Civil ka ndikuar goxha, sidomos brenda Grupit Parlamentar.
Këtu ai shtoi se në një moment, nëse e vlerëson se ka qenë i padobishëm, nuk do të merret me politikë dhe se nuk do të hyjë në listën e VV-së mandatin e ardhshëm.
Këtë e dha si kundërpëgjigje ndaj një një deklarimi të Kurtit në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së, kur paralajmëroi ndryshime, me atë se lista e ardhshme do të pësojë ndryshime, me ç'rast la mëdyshje se ky mesazh ishte për deputetët myslimanë.
"Në momentin që unë e vlerësoj se kam qenë i padobishëm, atëherë qëndrimi im është se duhet që mos t'i sjell dëm vendit. Ky është opsion", tha ndër të tjerash ai në Debat Plus.
Në anën tjetër, Rrahmani kritikoi zgjedhjet e brendshme në Lëvizje, duke thënë se disa prej kandidatëve janë përjashtuar pa të drejtë.
Veç kësaj, ai tregoi se kush e bëri këtë përzgjedhje. Bëhet fjalë për kryesinë e partisë.
"Kryesia e Vetëvendosjes i ka shqyrtuar kandidaturat. Nuk e di se si i kanë diskutuar ato. Por nuk mendoj se disa prej tyre është dashur të përjashtohen pa arsye", tha ndër të tjerash ai.
Kjo nuk ishte tema e vetme për të cilën diskutoi deputeti i shumicës. Rrahmani iu kundërpëgjigj analistit Mushkolaj që e kritikoi këtë të parin për faktin se është e pakuptimtë të angazhohen për çështjen e shamisë, ndërsa kritikojnë martesat e seksit të njëjtë.
"Janë shembuj të pakrahasueshëm. Pra shamia dhe projekt-kodi. Po i jepni kahje tjetër kësaj çështjeje. Nuk është standard i dyfishtë. Në vitin 2019 ka qenë Kodi Civil edhe nuk ka kalu. Nuk kanë qenë këto diskutime. Po i keqinterpretoni këto gjëra", tha tutje Rrahmani.


