Qysh thirret sistemi ku nuk ka hiç....demokraci? - NACIONALE

Qysh thirret sistemi ku nuk ka hiç....demokraci?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aktivistët e VV-së dikur thirreshin në këngët anti-qeveritare të grupit Troja, kurse sot ranë ndesh pikërisht me vargjet e një tjetër kënge të po këtij grupi: Demokraci!

Demokracia është epiteti i fundit që mund t'i vihet garës së brendshme zgjedhore që u mbajtë sot në Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo pasi ishte vetëm një kandidat, kreu aktual: Albin Kurti, megjithëse duhet pranuar faktin se ata që morën pjesë në zgjedhje kanë mundur të abstenojnë e edhe të votojnë kundër liderit.

Nacionale gjatë gjithë ditës raportoi për këto zgjedhje, ndërsa kishte siguruar edhe fletëvotimin e plotë.

Probleme në qendra të votimit

Megjithatë jo gjithçka shkoi mirë në procesin që pritet të mbyllet në ora 17:00.

Kjo pasi, njëri nga aktivistët e Prizrenit, Fatih Përzhella tha se atij iu ndalua të votonte.

Madje, ia ka paralajmëruar se vendimin për ta hequr atë nga lista e vendimit e konsideron kundër-statusor, ndërsa ka ftuar organet qendrore që të marrin masa.

"Sot isha në zyret e Lëvizjes për ta përdorur të drejtën si AKTIVIST, që të votoj për zgjedhjet e brendshme, por nuk e pata emrin në listë dhe m'u ndalua ta përdori këtë të drejtë nga Debillat që e kanë kapur Qendrën e Lëvizjes në Prizren. Këtë vendim kundër-statusor nuk e njoh, sidomos nga ata njerëz që janë arsyeja kryesore e dështimeve në Prizren. Pres nga organet qëndrore të marrin masa për këta që e kanë shndërruar në zyrë personale të tyre Qendrën në Prizren", shkroi ai.

Shumë kundërshti

Kundërshtime, ironizime e tallje ndaj zgjedhjeve të sotme.

Figura të njohura publike shfrytëzuan platformat sociale për të kundërshtuar këtë garë, duke thënë se ishte jashtë çdo norme demokratike.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi Smajljaj ironizoi me zgjedhjet respektive, duke i cilësuar si sistem demokratik, pasi sipas tij, sistemi demokratik, ka të bëjë me një anëtar, një votë dhe një kandidat.

“Sistemi demokratik: një anëtar, një votë, një kandidat”, ka shkruar ai në Facebook.

Në anën tjetër, analisti Afrim Haliti ka shtuar se është në pritje të "Exit-Pollit".

Aktivisti nga Amerika ndërkaq, Uk Lushi, ka thënë disa fjalë për zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje.

Lushi ka shtuar se në VV po vazhdohet të mbështet kulti i indvidit pasi që Albin Kurti nuk ka asnjë kundër-kandidat.

Ai ka thënë është për t’u çuditur se si nuk ka garë demokratike në VV kur dihet se shkollat nuk i kanë kryer në vendet totalitare.

“Garë e fortë demokratike sot për të zgjdhur kreun e ri të VV-së. Intelektualët dhe akademikët e VV-së hiç asnjë fjalë për mungesën e konkurrencës. Vazhdojnë të mbêshtesin kultin, ndonëse shkollat dhe doktoratat nuk i kanë kryer as në Kore të Veriut, as në Kinë dhe as në Kubë. Turpi bie mbi intelektualët dhe akademikët e VV-së që po heshtin. VV duhet të këtë qarkullim demokratik edhe në ndërrimin e njeriut të parë ose është klub privat i Albin Kurtit”, pohoi ai.

Nuk kishte si të mungonte as gazetari Parim Olluri, i cili në reagimin e tij përfshiu edhe asamblistin e VV-së në Prishtinë, njëherit dhëndrin e Liburn Aliut, Berat Lahun.

Përkundër faktit se ky i fundit është përjashtuar nga VV deri në përfundim të gjykimit, Olluri tha se shpreson që Kurti të zgjedhet kryetar pa ndihmën e Lahut.

Berat Lahu s’mundet me i ndihmu sot demokracisë në VV. Është pak nxanë njeri. Është ne burg. Shpresoj që Kurti do të rizgjidhet edhe pa ndihmën e zotëri Lahut”, ka shkruar ai.

Gjithsesi, mbetet të shihet se cili do të jetë rezultati, pasi fituesi veçse dihet. Është sikur ato ndeshjet ku skuadra e parë ndeshet me të dytën, kurse emri që triumfon është i njëjtë, ani pse në ndeshje të atilla ka më tepër gjasa për barazim.

Te VV-ja, vështirë të ndodh një gjë e tillë. E padyshim se një pjesë e qytetarëve do të pyesin se: qysh thirret sistemi ku nuk ka hiç demokraci?!.

Lajme të ngjashme