“Roja i turpit”: Anatomia e shkrimit famëkeq të Veton Surroit më 1989 - NACIONALE

“Roja i turpit”: Anatomia e shkrimit famëkeq të Veton Surroit më 1989

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Veton Surroi (61) vazhdon të jetë një nga zërat më të pushtetshëm në sferën publike në Kosovë. Por, ai dikur ishte edhe më i pushtetshëm dhe me atë pushtet mbronte Jugosllavinë nga... nacionalistët shqiptarë. Cila është anatomia e shkrimit famëkeq “Rojat e Jugosllavisë”?

Shkrimi në fjalë ishte publikuar të dielen e 5 marsit të vitit 1989, vetëm 18 ditë para se të suprimohej dhunshëm autonomia e Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Veton Surroi, në atë kohë ishte 28 vjeçar, babai i të cilit kishte vdekur në Spanjë tre muaj më herët duke i shërbyer Jugosllavisë si ambasador.

Kosova që e kishte kërkuar gjatë Republikën po e humbte edhe Autonominë. Shqiptarët e Kosovës ishin të revoltuar dhe natyrshëm edhe protestonin. Por, duket se Surroi ishte krejtësisht i shkëputur nga kjo revoltë.

Në vend se të sulmonte nacionalizmin vrasës të një diktatori si Sllobodan Millosheviq, Veton Surroi kishte zgjedhur të sulmonte disa shqiptarë për revoltën e tyre.

Të sulmuarit

Të sulmuarit e këtij shkrimi janë disa mërgimtarë shqiptarë që kishin mbajtur protesta kundër asaj që ishte paralajmëruar se do të vinte nga “Kasapi i Ballkanit” Sllobodan Millosheviq: suprimimit të autonomisë së Kosovës. Arsyeja pse po i sulmonte ishte se ato protesta ishin paraqitur edhe nëpër medie të huaja perëndimore.

Këto protesta mërgimtarët i kishin mbajtur në shtete ku lejohej liria e shprehjes dhe respektohej e drejta e protestës, si Bruksel (Belgjikë) e Gjenevë (Zvicër) dhe jo në Jugosllavi ku mund ta pësonin rëndë si shumë të tjerë. Por, këta mërgimtarë – edhe pse nuk mund të goditeshin në vendet perëndimore ku ishin – do të goditeshin rëndë nga zemërimi i të birit të një pushtetari.

Megjithëse Surroi shkruante nga një vend represiv që shkelte të drejtat dhe liritë politike të njerëzve ndërkohë që mërgimtarët protestuan nga vendet më të lira e më demokratike të botës, ai i akuzonte këta të fundit edhe se i përkisnin një ideologjie “totalitare”.

“...Megjithatë, ata në demonstratat e fundit shtrojnë sërish një habi të re. Nëse ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, do ketë luftë qytetare”. Dihet se cilit rang i përkasin ideologjitë që kërcënohen me luftë, rangut totalitar, e kështu mund të kuptohen edhe kërcënimet e këtyre grupeve nacionaliste.” – argumenton ai.

Sulmi

Surroi po sulmonte pra mërgimtarët shqiptarë për “nacionalizmin” e tyre dëshpërimtar dhe jo diktatorin Millosheviq për nacionalizmin e tij. Ideja e Surroit ishte që nuk mund të mbrohej autonomia ndërsa kërkohej republika për Kosovën.

“Nga njëra anë, siç thanë ata, u angazhuan që të mos ndërrohet Kushtetuta e vitit 1974, e nga ana tjetër u angazhuan për “Kosovën republikë”” – shkruan Surroi.

Në fakt, Kosova kishte kërkuar “Republikë” madje edhe shumë më herët se sa në protestat e vitit 1989. Por, fatkeqësisht në rrethanat e atëhershme po e humbte dhunshëm edhe Autonominë e fituar në vitin 1974. Është e lehtë të kuptohet se shqiptarët në Jugosllavi ishin të shtypur në përmasa të paimagjinueshme. Dhe natyrisht, kërkonin që të paktën të ruanin atë që e kishin – sepse po iu rrezikohej – derisa provonin të ruanin edhe kërkesën e kahmotshme për Republikë. Ishte revoltë, apo jo?

Për dallim nga Surroi, shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk ishin të kënaqur as me Autonominë që po u merrej. Surroi provon ta relativizojë kërkesën për Republikë nga shqiptarët që jetonin në Jugosllavi – shumë prej të cilëve do ta pësonin rëndë – me fjalët e mëposhtme:

“...pos në disa raste të rralla të brohoritjes (së parullës “Kosova – Republikë) gjatë protestave të nëntorit (1988), klasa punëtore shqiptare, turke e myslimane nuk u paraqit me këso parulla e as që e përkrahu...”

Sulmi i tij vijon të sulmojë edhe “dashurinë e tyre” për Jugosllavinë me fjalët si vijon:

“Dashuria e re ndaj Kushtetutës së vitit 1974, pra ndaj kushtetutës së votave, kundër së cilës qysh dje u sulën grupe nga këto pozita sipas elaborimit të mëtejmë të strategjisë së tyre politike, është çdo gjë tjetër pos dashurisë. Bashkangjitur me programin politik, në kreun e të cilit është parulla “Kosova-republikë”, nacionalsitët shqiptarë u shpërndanë gazetarëve të huaj edhe një hartë, siç thanë ata, të territoreve shqiptare në Jugosllavi. Plotësisht në përputhje me ideologjinë nacionaliste të “truallit dhe gjakut” këto grupe manifestuan jo vetëm se si e shohin gjeografikisht Jugosllavinë, por si e shohin edhe fatin e nacionalitetit shqiptar” – shkruan Surroi.

Titulli

Surroi e kishte titulluar shkrimin famëkeq në fjalë “Rojat” e Kushtetutës e jo “Rojet” siç do të duhej. Por – ani pse shkrimi i tij përmban shumë gabime drejtshkrimore tjera – nuk besohet që e ka përdorur fjalën “roja” në vend të “roje” gabimisht. Fundja, iu referohej si “roje” në tekst.

Pse atëherë?

Edhe kjo, ashtu si thonjëzat, ishte bërë për t’i poshtëruar mërgimtarët.

Qëllimi

Është e vështirë të kuptohet qëllimi i shkrimit nëse nuk kuptojmë kontekstin.

Pra, parullat dhe revolta shqiptare në Perëndim ishte paraqitur në mediet më të njohura perëndimore. Kjo dukej keq për Millosheviqin dhe Jugosllavinë. Në anën tjetër, në Jugosllavi, ashtu dhunshëm siç ndodh në shtete represive, po zhvillohej debati në lidhje me suprimimin e Autonomisë.

Surroi i mëshoi protestës shqiptare rëndë hapur e publikisht përmes këtij shkrimi, të cilin ju ftojmë ta lexoni më poshtë:

“Rojat” e Kushtetutës

Protestat e fundit dhe greva politike e shkurtit në Kosovë, tashmë hasen në reagime të ndryshme si në vend, ashtu edhe në botë. Imazhet e klasës punëtore në protestë tejkaluan kufirin jugosllav e evropian dhe tërhoqën vëmendjen, e në këtë mënyrë shtruan edhe pyetje të opinionit botëror, që manifestoi shqetësim për ngjarjet e fundit në Jugosllavi. Mu në çastin kur pasojat e intensitetit të një proteste të tillë ende nuk janë eliminuar, në skenën politike të rrugëve të Evropës Perëndimore u lajmëruan grupet emigrante, me dëshirë që të japin përgjigje, e që janë paraqitur dhe paraqiten nga pozitat e nacionalizmit shqiptar. Për këtë dëshmojë edhe dy sosh nga vargu i demonstratave që janë organizuar kohëve të fundit. Edhe në këto, siç shihet në mënyrë evidente, nëpërmjet të gjoja përkrahjes së klasës punëtore zhvillohet një proces i agjitimit të një programi politik që në thelb s’ka të bëjë me klasën punëtore kosovare.

Kështu, në demonstratat e Gjenevës, në të cilat brohoritet lart se organizohen për hir të përkrahjes së punëtorëve kosovarë, harrohet e dhëna se në të njëjtat valë të protestës nuk morën pjesë punëtorët e nacionalitetit serb e malazias. Çfarëdo shpjegimi që të jepet, e është evidente se duhet shpjeguar se përse arrihet gjer te ndasia e plotë e klasës punëtore në një moment kur artikullohen kërkesat politike, megjithatë nuk mund të eliminohet fakti se protestat e fundit, sado që përfshin “shumicën dërrmuese të klasës punëtore kosovare, megjithatë lanë pa përfshirë pakicën e manifestuar ekskluzivisht nga përkatësia nacionale.

Metodologjikisht, ky nuk është gabimi i parë, por me të vijnë edhe të tjerë. E ashtuquajtura “përkrahje punëtorëve” në Gjenevë u përcoll me brohoritjen e parullës nacionaliste “Kosova – republikë”, e kjo gjë është për t’u habitur, kur dihet se pos në disa raste të rralla të brohoritjes gjatë protestave të nëntorit, klasa punëtore shqiptare, turke e myslimane nuk u paraqit me këso parulla e as që e përkrahu. Sikundër që nuk u paraqit as gjatë protestave të fundit dhe grevës politike.

Por, rasti i Gjenevës nuk qe i izoluar dhe, faktikisht, tregoi më përafërsisht se për çka është fjala. Në Bruksel po ashtu në emër të përkrahjes së klasës punëtore, demonstrantët nga pozitat e nacionalizmit shqiptar arritën të bëjnë një kësi konstrukti të palogjikshëm politik. Nga njëra anë, siç thanë ata, u angazhuan që të mos ndërrohet Kushtetuta e vitit 1974, e nga ana tjetër u angazhuan për “Kosovën republikë”. Nuk ka nevojë të madhe për elaborim e për të shpjeguar se janë në kundërshtim të plotë ruajtja e Kushtetutës së vitit 1974, ku saktësisht definohet pozita e Kosovës si KSA, me parullën “Kosova republikë” e cila angazhohet mu për ndryshimin e bazave themelore kushtetuese. E, nëse nevojitet edhe ndonjë ilustrim pse të mos përmendet fakti se nacionallistëve shqiptarë mu Kushtetuta e vitit 1974 u pengonte dhe tentuan që me metoda të ndryshme joinstitucionale e të dhunës ta ndërrojnë.

Dashuria e re ndaj Kushtetutës së vitit 1974, pra ndaj kushtetutës së votave, kundër së cilës qysh dje u sulën grupe nga këto pozita sipas elaborimit të mëtejmë të strategjisë së tyre politike, është çdo gjë tjetër pos dashurisë. Bashkangjitur me programin politik, në kreun e të cilit është parulla “Kosova-republikë”, nacionalsitët shqiptarë u shpërndanë gazetarëve të huaj edhe një hartë, siç thanë ata, të territoreve shqiptare në Jugosllavi. Plotësisht në përputhje me ideologjinë nacionaliste të “truallit dhe gjakut” këto grupe manifestuan jo vetëm se si e shohin gjeografikisht Jugosllavinë, por si e shohin edhe fatin e nacionalitetit shqiptar. Së pari, duke u shërbyer në radhë të parë me praninë numerike të nacionalitetit shqiptar, vendin ku ata jetojnë e punojnë e shpallin si “truall shqiptar” duke vënë në rang të “mysafirëve” të gjitha nacionalitetet e tjera, gjë që është padrejtësi e madhe ndaj tyre, pra edhe ndaj shqiptarëve që ndajnë të mirën dhe të keqen së bashku me to. E, sa larg mund të shkojë kjo tezë mbi truallin e gjakun nuk shihet vetëm në histori, sepse ç’do të ndodhte në këtë Jugosllavi po të cilësohej “territor kombëtar” hapësira ku jeton një shumicë e theksuar numerike kombëtare. Ç’do të ishte Kroacia pos “territor kroat”, ç’do të ishte Maqedonia pos “territor maqedonas”, e fundja ç’do të ishte Jugosllavia pos “territor serb”, sepse në RSFJ popullata më e madhe numerike është e nacionalitetit serb. Por, sipas të gjitha gjasave, as që mendohet për Jugosllavinë kur flitet për “territore shqiptare” sepse në përputhje të plotë me hartën e Shqipërisë së madhe, edhe ky, sikundër çdo nacionalizëm shtetomadh, nuk mund të durojë kufi tjerë pos atij etnik, prandaj edhe në pamfletet separatiste përmendet “lufta përfundimtare” për shkëputje nga Jugosllavia.

Sa janë konsekuent “rojet e Kushtetutës” shihet nga kjo që u tha. Megjithatë, ata në demonstratat e fundit shtrojnë sërish një habi të re. “Nëse ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, do ketë luftë qytetare”. Dihet se cilit rang i përkasin ideologjitë që kërcënohen me luftë, rangut totalitar, e kështu mund të kuptohen edhe kërcënimet e këtyre grupeve nacionaliste. Animoziteti i tyre militant, megjithatë, u ka bërë që të harrojnë disa gjëra. Së pari, se nuk kanë kurrfarë autorizimesh nga populli për ruajtjen e rendit kushtetues, aq më pak të drejtë morale, kur qenë dhe janë kundër këtij rendi. Së dyti, se për ruajtjen e themeleve të Kushtetës së vitit 1974 janë deklaruar shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës dhe këtë kërkesë, në kushte elementare demokratike që do pasur, e në saje të konsultimit të plotë të bazës, duhet ta artikulojnë edhe delegatët e Kuvendit të KSA të Kosovës. Sado që atmosfera e krizës, si dhe ajo e porsakrijuar me ngjarjet e fundit lë pasoja objektive presione, përgjegjësinë për ndryshimet kushtetuese e marrin delegatët në procedurë institucionale, e jo grupe demonstrantësh të cilët, siç e pamë, as që e kanë afër mendsh këtë Kushtetutë, as shqiptarët e as Jugosllavinë.

Mu këtu edhe shihet roli i nacionalistëve shqiptarë. Në kushtet e krijuara të protestave, aq më parë kur ato morën objektivisht e subjektivisht ngjyrë njëkombëshe, grupet nacionaliste kanë parë rastin që të bëjnë depërtime e që të vihen gjoja në ballë të popullit. Ndryshimi i tyre politik prej kushtetutrrënuesit në kushtetmbrojtës s’është gjë tjetër pos akrobacion. Të paftuar, të padëshiruar, akrobatët dhe kërcënimet e tyre s’kanë vend në zgjidhje serioze të kurrfarë problemi.

E diele, 5 mars 1989

Lajme të ngjashme