Rizvanolli i përulte sanksionet si ‘asgjë, asnjë dëm’, 114 milionë euro u humbën veç në energji: BE kërcënoi sërish - NACIONALE

Rizvanolli i përulte sanksionet si ‘asgjë, asnjë dëm’, 114 milionë euro u humbën veç në energji: BE kërcënoi sërish

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Mungesa e përfaqësimit politik të serbëve të Kosovës në nivelin e qeverisjes lokale në veri ku janë shumicë, e ka vendosur dhe lënë Kosovën nën saksione evropiane tash e dy vjet: me kosto të madhe politike në rrafshin ndërkombëtar, por edhe financiar. Tash në prag të zgjedhjeve lokale, ky përfaqësim politik për serbët e Kosovës është shndërruar edhe në kërcënim në oktava më të larta për përcaktues të “marrëdhënieve të ardhshme” të Bashkimit Evropian me Kosovën; si dhe nga ShBA-ja si dalësi zot më i madh i Kosovës në arenën botërore. Por, këto fjalë rëndojnë pak në konsideratën e Qeverisë (në detyrë) të Kosovës; dhe, për më tepër, injorohen në tërësi. Ambasadorët e QUINT-it, kur pyeten për heqjen e sanksioneve, gishtin e vendosin nga kryetarët shqiptarë që qeverisin në komuna me as 3% të votës qytetare.

Sanksionet “kurrgjë”...

“Asgjë nuk kanë dëmtur masat (ndëshkuese)”, pati thënë para mëse një viti, ish-Ministrja e Energjisë (që ende qëndron në atë zyrë, pa mandat), Artane Rizvanolli, duke e ulur peshën ndikuese të sanksuoneve të tyre në “kurrgjë”. Punët po kryhet e asgjë nuk po ndalet, siguronte Rizvanolli intervistuesin e vet në TeVe1.

“Nëse opozita na tregon se si masat ndëshkuese (të BE-së) po na dëmtojnë, unë po ju them që masat, si njeri që udhëheq një dikaster shumë të rëndësishëm ku ka shumë fonde, unë po ju them që nuk është asgjë në punën tonë nuk është duke u ndalur ose penguar nga masat”, pati thënë ajo para një viti.

Por, vep në fushën e energjisë – që është administruar nga Rizvanolli – humbjet janë plot 114 milionë euro, simbas të dhënave të Institutit “GAP”.

Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve Vendor në një reagim në Facebook tha se në fakt 114 milionë euro në fushën e energjisë nga sanksione te BE-së, dhe madje këtë e lidhi edhe më përgënjeshtrim të madh të asaj që Qeveria dhe ZRRE-ja, imponimin e tregut të lirë të energjisë e bazon gjoja mbi “Direktiva Evropiane”

“Për informaten tuaj Kosova ka humbur 114 milionë € projekte në fushën e energjisë nga sanksionet e BE-së. Këto mjete ishin të destinuara për zhvillim dhe stabilitet të furnizimit energjetik. Mos e përdorni më arsyetimin se e kemi pas kusht nga BE-ja me dalë në treg të lirë se është marre për juve”, shkroi Ajvazi.

Ish-Kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratke të Kosovës, Avdullah Hoti, numëroi humbjet në para nga sanksionet që qëndrojnë tash e dy vjet.

“613.4 mln euro është kostoja totale e masave të BE-së ndaj Kosovës për periudhën qershor 2023 – prill 2025. Këtu përfshihen projektet e pezulluara për afat të pacaktuar. Nga kjo shumë, 7.1 mln euro janë të humbura plotësisht, të cilat parashiheshin për bujqësi, turizëm rural, ndërmarrje etj. Sektorët më së shumti të ndikuar janë: mjedisi 351 mln euro, energjia 114 mln euro, digjitalizimi 57 mln euro, kultura 15 mln euro etj. Tabela në vijim paraqet projektet kryesore që janë të pezulluara”, shkroi ai.

Çka kërcënoi BE?

Mbrëmjen e 22 gushtit, Kosova pranoi një paralajmërim me tone të prera se çelësi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian ndërlidhet drejtpërdrejt me “karakterin gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale”.

Kjo, në dritën e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – me 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime – për të mos e certifikuar Listën Serbe.

Në deklaratë, Bashkimi Evropian shprehu zhgënjim për mos-certifikimin e dy subjekteve politike të komunitetit serb dhe shprehu zhgënjim për qëndrimin e marrë nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.

“Bashkimi Evropian është i zhgënjyer për mos‑certifikimin e 2 partive politike serbe të Kosovës. Ne shprehim keqardhje për qëndrimin e marrë nga Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.” – u tha në reagim.

Blloku e theksoi si pazëvendësueshëm karakterin gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Unionit.

“Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale që po afrojnë është kyç për marrëdhënien e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin detyrat e tyre në mbarë Kosovën, mbi bazën e një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.” – thuhet tutje.

Lajme të ngjashme