Rikthehen sirenat, serbët dalin në rrugë pas arrestimit të ish-policit: çfarë po ndodh në veri? - NACIONALE

Rikthehen sirenat, serbët dalin në rrugë pas arrestimit të ish-policit: çfarë po ndodh në veri?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tensionet janë ringjallur përsëri në veri para pak çasteve. Sirenat janë rikthyer në Mitrovicë të Veriut, teksa serbët janë grumbulluar në Zveçan. E gjithë kjo duket të vijë për shkak të një arrestimi që ka kryer sot Policia e Kosovës.

Siç raportojnë mediet, i arrestuari sot është ish-polic i Kosovës me emrin Dejan Pantiq, i cili u arrestua afër pikës kufitare në Jarinje.

Nacionale ka postuar edhe një fotografi të ish-policit serb të arrestuar, i cili deri më tani nuk dihet se për çfarë arsye është arrestuar.

Një gjë e tillë duket të ketë nxitur serbët për t’u mbledhur në komunën e Zveçanit, duke bllokuar rrugën në Rudarë dhe në disa rrugë në Leposaviq.

Siç raporton REL, në Rudarë janë parë edhe automjetet e ndihmës së parë, të cilat janë përdorur si mburojë për të bllokuar rrugët nga serbët. Madje, aty si gjithnjë nuk kanë munguar as serbët e maskuar.

Ndërsa në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar alarmed e njohura si “uzbuna”.

Siç raporton portali lokal “Mitropol”, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar sirenat tashmë të njohura për kosovarët. Madje, ky portal ka postuar edhe një video, ku dëgjohen sirenat e lëshuara.

Për këtë çështje është ankuar fort edhe Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë në dialogun me Kosovën. Ai ka treguar disa të dhëna për ish-policin serb të arrestuar nga Policia e Kosovës.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës të Kurtit kanë arrestuar sot në vendkalimin administrativ në Jarinje, Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili është larguar nga ky institucion më 5 nëntor së bashku me kolegët e tij, dhe i cili deri atëherë ishte i punësuar në stacionin policor në Mitrovicë”, ka thënë Petkoviq, raporton “Tanjug”.

Zyrtari serb e ka cilësuar këtë arrestim si një hakmarrje politike. Madje mediet raportojnë se për këtë çështje, Petkoviç e ka telefonuar edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

"Kurti po bën hakmarrje brutale dhe frikësim. Ai është duke u hakmarrë për largimin nga institucionet në veri, përfshirë policinë”, ka thënë Petkoviq.

Për veriun po flitet edhe në një mbledhje të ftuar nga Presidenca e Kosovës.

Sipas burimeve të gazetës Nacionale, presidentja Osmani është pozicionuar tashmë në lidhje me zgjedhjet në veri. Shefja e shtetit, siç njoftojnë burimet, është në favor të shtyerjes së zgjedhjeve në veri, me pretekstin se nuk ka kushte në aspektin se sigurisë për të mbajtur zgjedhjet. Madje ajo këtë e konfirmoi edhe në takimin që sapo ka filluar.

Siç njoftojnë burimet, në takim ajo ka konfirmuar qëndrimin për shtyerjen e zgjedhjeve në veri. Data e re për gjedhjet e reja në veri, sipas burimeve, janë propozuar datat 19 ose 26 mars.

Lajme të ngjashme