Dorëzohet pushteti: Presidentja Osmani kërkon shtyerjen e zgjedhjeve në veri
Sot me fillim nga ora 14:30 po mbahet një takim ndërmjet liderëve politikë të partive parlamentare dhe presidents së Kosovës, Vjosa Osmani. Ky takim është thirrur nga Osmani për të diskutuar në lidhje me fatin e zgjedhjeve në veri, ku janë ringjallur sërish tensionet.
Sipas burimeve të gazetës Nacionale, presidentja Osmani është pozicionuar tashmë në lidhje me zgjedhjet në veri. Shefja e shtetit, siç njoftojnë burimet, është në favor të shtyerjes së zgjedhjeve në veri, me pretekstin se nuk ka kushte në aspektin se sigurisë për të mbajtur zgjedhjet. Madje ajo këtë e konfirmoi edhe në takimin që sapo ka filluar.
Siç njoftojnë burimet, në takim ajo ka konfirmuar qëndrimin për shtyerjen e zgjedhjeve në veri. Data e re për gjedhjet e reja në veri, sipas burimeve, janë propozuar datat 19 ose 26 mars.
Në këtë linjë, raportojnë burimet, është edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ende nuk është deklaruar publikisht.
Ndërsa qëndrim publik për shtyerje të zgjedhje tashmë ka AAK e Ramush Haradinaj.
“Qëndrimi i AAK për zgjedhjet në veri, që nga fillimi kur është hapur kjo temë, ka qenë që ato të shtyhen, sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Ky është qëndrimi jonë që e kemi bërë publik në shumë raste e deklarata, tash e sa kohë.”, i thanë nga AAK-ja Nacionales.
Për më shumë, AAK tashmë e ka bërë publike po ashtu refuzimin e ftesës së Osmanit.
“Andaj, ashtu si nuk kemi marrë pjesë në takimin e mëhershëm me Presidenten, nuk e vlerësojmë as tash të marrim pjesë, dhe kërkojmë që Presidentja dhe partitë e tjera politike të reflektojnë e të bashkohen me qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë tutje Lulëzim Blaka, drejtor i Informimit i AAK-së.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, njoftojnë burime, vlerëson se i vetmi autoritet për të vendosur për këtë çështje është presidentja Osmani.
Sipas burimeve, zgjedhjet në veri pritet të shtyhen.
Ndërsa PDK ka një qëndrim më ndryshe. Së paku, deri dje PDK kishte kërkesë që të krijohen kushtet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në veri.
"Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet kompetente që të krijojnë kushte të favorshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, që të jetë i sigurt, demokratik dhe i lirë!" - shkruajti dje Memli Krasniqi në Facebook.
Në fakt, PDK e përsëriti edhe sot këtë qëndrim.
"Bashkë rikonfirmuam se KQZ nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve, sepse as nuk është në mandatin tonë e as nuk kemi një rekomandim të tillë. Inkurajojmë institucionet tona që mos të dorëzohen para bandave kriminale në veri, ashtu që zgjedhjet të mbahen më 18 dhe 25 Dhjetor, siç është vendosur." - tha Arjanit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ.
Megjithatë PDK ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim, duke theksuar se aty do të tregojë mendimin për zgjedhjet në veri.
"Nënkryetarja Çitaku e përfaqëson PDK në takim. Qëndrimet tona do t’i shprehim aty. Na intereson qëndrimi i qeverisë për situatën dhe aftësia e tyre për garantim të kushteve për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve”, ka deklaruar Faton Avdullahu, zëdhënës i PDK-së.
Kërkesa për shtyerje
Ambasada e ShBA-së tashmë ka ditë që ka kërkuar shtyerjen e zgjedhjeve në veri. Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe Derek Chollet, këshilltar në DASH.
E Departamenti i Shtetit përsëri e theksoi qëndrimin e ShBA-së, duke lëshuar një komunikatë për zgjedhjet në veri.
“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet.”
Dje, kryeministri Albin Kurti mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku foli për zgjedhjet në veri dhe situatën e sigurisë atje. Ai tha se janë në komunikim me faktorët ndërkombëtar, por se ambasadorën nuk mund të bëhen ministra të tij.
“Vazhdimisht jemi në konsulta dhe koordinim me ndërkombëtaret. Por ju duhet ta kuptoni se edhe ata presin që në të jemi në nivel të detyrës. Janë ambasadorët e vendeve të QUINT-it, por ata nuk bëhet dot ministra. Ministrat janë qyetarë të këtij vendit.” – deklaroi Kurti.
Kujtojmë që deri tani ka pasur një seri shpërthimesh në veri të bombave të shokut, ndërsa një polic është plagosur në krahror, e që pas intervenimit në QKUK, gjendja e tij shëndetësore është stabile.


