“Tërheqja e trustit, alternativa e vetme”: Projektligji s`ndikon në rritjen e inflacionit
Projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit sërish është kthyer në Kuvend. Pas kalimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ky projektligj shumë shpejt pritet të shqyrtohet për herë të dytë në Kuvend të Kosovës.
Kjo iniciativë ligjore e 21 mijë qytetarëve po përkrahet nga partitë opozitare, por po kundërshtohet nga pushteti.
Këta të fundit po pretendojnë se një veprim i tillë do të ndikonte në rritjen inflacionit në vend.
Argumenti i partisë në pushtet po kundërshtohet nga njohës të ekonomisë.
Profesori i tregjeve financiare Florin Aliu ka thënë për gazetën Nacionale se argumentet e qeverisë për këtë çështje nuk qëndrojnë.
Sipas tij, me këto veprime njerëzit e pushtetit po tregojnë mungesë të njohurive bazike për ekonominë.
“Tërheqja e mjeteve të trustit nuk jep asnjë efekt në inflacion. Për këtë garntoj me emrin tim. Nuk arrijë ta kuptoj se si një temë e tillë vije prapë në diskutim. Më të vërtetë kjo tregon për mungesë të njohurive bazike të ekonomisë. Inflacioni në Kosovë është problem i importuar. Struktura jonë tregtare (importe më shumë së eksporte) sjell inflacionin në Kosovë. Në përdorim euron si valuta në mënyrë të njëanshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, tërheqja e trustit nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në rritje të normës së inflacionit në vend.
“Pra ne nuk kemi ndikim në shtypjen e parave të reja. Atëherë si mundet të ndikojë trusti rritjen e inflacionit. Ka studime qe konfirmojnë së Kosova ka mungesë të parasë në qarkullim. Kjo vërehet më së miri tek bizneset që shesin me llogari të arktueshme, pra shesin por nuk i marrin paratë. Ky është sinjale i mjaftueshëm që tërheqja e trustit nuk ndikon inflacionin. Atëherë shtrohet pyetje pse s`po kemi inflacion 20% si ai aktual, kur diaspora vjen në Kosovë gjatë verës. Pra, është argument plotësisht i paqëndrueshme”, ka thënë ai, duke përmendur raste se kur mund të këtë rritje të inflacionit.
“Inflacionet që krijohen si rezultatet i parasë së madhe në qarkullim janë kur banka qendrore shtype shumë para. Rastet e tilla janë Jugosllavia e viteve 90ta, Venezuela e Chavesit, ish republika e rodezise (zimbabëe). Pra, janë raste kur banka qendrore printon shumë para te reja, që nuk është rasti i Kosovës”, ka thënë Aliu.
Pushteti duhet të reflektojë ndaj kësaj çështje
Partitë opozitare, të cilat e kanë përkrahur projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional në Komisionin për Buxhet, kanë ftuar partin në pushtet që të reflektoj dhe ta përkrah miratimin e këtij projektligji.
Sipas tyre, kjo do t`i ndihmonte qytetarët në këtë kohë krize.
Ish-kryeministri Avudall Hoti ka thënë se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që do t`i ndihmonte qytetarët.
“Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria. Masat e ndërmarra kanë qenë të kufizuara kryesisht në skemat sociale dhe pensionale. Siç kemi propozuar vazhdimisht, Qeveria ka pasur dy mundësi në dispozicion për tu dalë në ndihmë qytetarëve përmes: (1) rritjes së pagave së paku sa është norma e inflacionit dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat ose (2) uljes së TVSH-së nga 18% në 8% dhe heqjes së përkohshme të akcizës”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, të dyja këto masa kanë qenë plotësisht të realizueshme, sepse të hyrat buxhetore janë rritur me mbi 20% për shkak të rritjes së çmimeve.
“Në vend që mjetet buxhetore të shpenzohen duke i rritur pagat dhe duke i realizuar projektet kapitale, sot në buxhetin e shtetit janë grumbulluar rreth 700 milionë euro që po i zhvlerëson inflacioni. Këta qeveritarë as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e buxhetit në rritje të pagave e në projekte kaptiale, e as nuk i ulin tatimet dhe akcizat për t’ua lënë në dispozicion qytetarëve ato mjete. Përderisa nuk i përfillen propozimet tona si opozitë për ndihmë ndaj qytetarëve, në seancë plenare projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit Pensional duhet të votohet”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar se kriza aktuale e imponon një veprim të tillë.
Ai i ka ftuar deputetët e LV-së që të reflektojnë në raport më këtë iniciativë.
“Së shpejti kjo nismë do të votohet edhe në Kuvend ku qytetarët presin votën Pro. Reflektimi i deputetëve për këtë çështje është i domosdoshëm në këtë kohë krize dhe inflacioni”, ka shkruar Haxhiu në profilin e tij në “Facebook”.
Por, ndryshe mendon Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).
Ai ka bërë me dije se prekja e mjeteve të trustit nuk është ide e mirë.
“E mira kishte me qenë që Trusti të mos preket. E mira kishte me qenë të gjinden forma tjera për t’u ndihmuar nëpërmjet paketave të ndryshme nga Qeveria e vendit. Kish me qenë e udhës ngritja e pagave, minimumi në vlerën e inflacionit në mënyrë që qytetarët ta ndiejnë më pak çështjen e inflacionit.”, ka thënë Rafuna në një intervistë për “Ekonomia Online”.
Sipas tij, në mungesë të rritjes së pagave, qytetarët po kërkojnë të tërheqin kursimet pensionale.
“Në mungesë të saj qytetarët janë të detyruar ta kërkojnë tërheqje e Trustit, që sa më pak të ndiejnë efektin e inflacionit”, ka deklaruar ai.
Të martën Komisioni për Buxhet ka miratuar projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.
Kjo nismë ligjore është iniciativë e mbi 21 mijë qytetarëve.
Në qershor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar një nismë të tillë e cila ishte iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim projektligji për Trustin nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.
Deputetët e LV-së, edhe atëherë kishin votuar kundër tërheqjes së mjeteve të trustit.

