Osmani në “sandwich” mes ShBA-së dhe Kurtit: çfarë do të vendosë për zgjedhjet në veri? - NACIONALE

Osmani në “sandwich” mes ShBA-së dhe Kurtit: çfarë do të vendosë për zgjedhjet në veri?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura në qëndrimin e tyre për zgjedhjet në veri. Ata kërkojnë shtyerjen e zgjedhjeve, pasi vlerësojnë se nuk ka “kushte”. Ndërsa Qeveria Kurti ende ka një pozicion më pro zgjedhjeve, me ministrin Xhelal Sveçla që vazhdimisht e përsërit që Policia ka kapacitete të mjaftueshme për të organizuar dhe siguruar zgjedhjet.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ndonëse e theksoi se janë në koordinim me ambasadorët e Kuintit, ata “dot nuk bëhen ministra”.

E diku në mes, gati si gjithnjë, është presidentja Vjosa Osmani. Ajo nuk ka qëndrim ende të saktë për zgjedhjet, duke lënë të hapur që gjithçka të “vendoset” në 2-3 ditët e ardhshme.

Ndonëse e pranoi që shtyerja e zgjedhjeve nuk rregullohet shprehimisht me ligj, Osmani tha se nëse vjen një kërkesë e tillë, ajo do ta bëjë vlerësimin e saj.

Dhe në rastet kur shprehimisht nuk përcaktohet me ligj një e drejtë e tillë, atëherë duhet që me partitë politike të ketë koncensus. Nëse një kërkesë e tillë vjen, natyrisht që unë do ta bëjë vlerësimin tim. Kështu është procedura dhe besoj që në dy-tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohen. Kjo është një shtytje e Vuciqit që vazhdon ti financojë e mbështesë struktura e bandat kriminale që po terrorizojnë qytetarët në veri dhe në të njëjtën kohë po tentojnë që t’i sfidojnë institucionet e sigurisë.” – deklaroi dy ditë më parë Osmani.

Që nga atëherë, Osmani nuk është deklaruar më për zgjedhjet në veri, ani pse në një postim në Facebook ajo reagoi kundrejt kërcënimeve serbe me rikthimin e ushtrisë së Serbisë në Kosovë.

Ndërsa dje KQZ ka mbajtur një mbledhje për zgjedhjet në veri, duke mos rekomanduar shtyerjen e zgjedhjeve.

Në një prononcim për Nacionalen, Arjanit Elshani, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, deklaroi se nuk ka rekomandim për shtyerjen e zgjedhjeve.

"U vendos që KQZ-ja nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve", tha Elshani dje.

Në media është raportuar për një takim të mundshëm në liderëve politikë në Presidencën e Kosovës, për të diskutuar mbi fatin e zgjedhjeve në veri.

Por ajo çfarë është e konfirmuar zyrtarisht është mbajtja e një mbledhjeje të radhës së KQZ-së, që pritet të fillojë në ora 11:00.

ShBA-ja dhe Albin Kurti

Pas Ambasadës së ShBA-së, të njëjtin qëndrim e shprehu edhe Derek Chollet, këshilltar në DASH. E Departamenti i Shtetit përsëri e theksoi qëndrimin e ShBA-së, duke lëshuar një komunikatë për zgjedhjet në veri.

Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet.”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i DASH-it sipas Zërit të Amerikës.

Dje, kryeministri Albin Kurti mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku foli për zgjedhjet në veri dhe situatën e sigurisë atje. Ai tha se janë në komunikim me faktorët ndërkombëtar, por se ambasadorën nuk mund të bëhen ministra të tij.

Vazhdimisht jemi në konsulta dhe koordinim me ndërkombëtaret. Por ju duhet ta kuptoni se edhe ata presin që në të jemi në nivel të detyrës. Janë ambasadorët e vendeve të QUINT-it, por ata nuk bëhet dot ministra. Ministrat janë qyetarë të këtij vendit.” – deklaroi Kurti.

Sipas tij, bashkëpunimi më partnerët nuk mund të jetë në nivelin, duke i trajtuar ambasadorët si ministra.

"Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarët nuk mund të jetë në mënyrën që ne t’i trajtojmë ata si ministra e ne të bëhemi zëvendësit e tyre sepse as ata nuk e duan këtë gjë. Jemi në një fazë të ndjeshme por edhe progresive në kuptimin demokratik e civilizues të fjalës.” – theksoi ai.

Kujtojmë që deri tani ka pasur një seri shpërthimesh në veri të bombave të shokut, ndërsa një polic është plagosur në krahror, e që pas intervenimit në QKUK, gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Lajme të ngjashme