Rastet më tmerruese të mashtrimit të Kurtit dhe VV-së me 'fjalët' e ndërkombëtarëve
Dje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e bëri një mashtrim. E formuloi një fjali në atë formë që të merrte merita për veten. E zeza ishte mbi të bardhë. Fjalitë ishin të qarta. Por, ja që Kurti i përdrodhi. Cilat janë herët tjera kur VV-ja kishte mashtruar përmes fjalëve të ndërkombëtarëve?
Meqë skena politike është e polarizuar, gjithnjë për popullin e Kosovës kanë pasur shumë rëndësi fjalët e ndërkombëtarëve. Raportet e organizatave e fondacioneve, deklaratat e zyrtarëve e diplomatëve dhe raportimet e medieve prestigjioze. Dhe jo vetëm ndërkombëtarë nga shtetet demokratike. Ne lëngojmë edhe për mesazhe nga vendet e rajonit, bile edhe nga Serbia.
A e mbani mend një analist serb që thoshte se Kurti e kishte trurin si super-kompiuter?

Eh, edhe ajo ishte pjesë e kësaj skeme. Pra, e skemës për të korruptuar zërat e ndërmjetëm, zërat ndërkombëtarë, ata zëra që perceptohen si të paanshëm.
Këto janë rastet tjera.
Sundimi i ligjit
Për raportet e World Justice Project, Kurti ishte lëshuar nga përpjekja për manipulim në rrenë të plotë.
Ky është një raport ndërkombëtar për sundim të ligjit. Kosova doli e para në Ballkanin Perëndimor sipas kësaj organizate prej kur nisi të matej, në vitin 2020. Pra, edhe në kohën kur u bë matja gjatë Qeverisë Haradinaj Kosova doli e para. Dhe atëherë, fryhej Kadri Veseli.

Ja disa fjalë që i thoshte Veseli në atë kohë kur Kosova doli e para:
“Ky indikator vlen veçanërisht si demantim ndaj atyre zërave nihilistë në Kosovë, që mohojnë çdo arritje e progres që ka bërë vendi ynë, e nuk humbasin rast për ta njollosur e dëmtuar pa të drejtë reputacionin e shtetit tonë,”

E kishte fjalën për Vetëvendosjen. Por, Vetëvendosja me Albin Kurtin menjëherë do të fryheshin me të njëjtin indikator e të njëjtin rezultat.
Bile, Albin Kurti do të shkonte aq larg sa të fshehte krejtësisht se Kosova kishte dalë e para në Ballkanin Perëndimor edhe para se ai të vinte në pushtet.
Lexojini këta rreshta të një statusi ku ai i merr 9 mijë pëlqime:
“Rritja ekonomike dhe e vazhdueshme; renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas World Justice Project...”

Kjo ishte rrenë. Ishte hera e tretë radhazi që Kosova dilte e para për sundim të ligjit sipas World Justice Project. Kurti po e gënjente popullin, dhe ashiqare dihet pse po gënjente.
Ai e ka përmend këtë organizatë në mënyrë mashtruese dhjetëra e dhjetëra herë. Dhe meqë njerëzit s’marrin vesh, s’iu bë e madhe.
Korrupsioni
Eh, korrupsioni është fjalë e shenjtë për Albin Kurtin. Ai nuk mashtron kur është fjala për korrupsion... ose ndoshta po!
Lexojini këto fjalë që i ka thënë Albini:
”Lufta jonë antikorrupsion vazhdon të japë rezultat. E ngecur për gati një dekadë në gjysmën e fundit globalisht në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Kosova është ngritur 20 vende lart në 2 vjet nën Qeverinë tonë. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë,” - kishte thënë Kurti.
Pra, Kurti po provon të na thotë se na shpëtoi nga korrupsioni. Ose, nga perceitpimi i korrupsionit. Por, s’është as ashtu e as kështu.
Kosova sipas Transparency International në vitin 2017 ishte në vendin e 85-të. Pra, veç një vend më poshtë se në vitin 2022. Dhe, më dëgjoni me vëmendje, tri vjet para 2017-s, në vitin 2014, Kosova ishte në vendin e 110. Për tri vjet, Qeveria e Isa Mustafës e ngriti Kosovën për 25 vende.

Eh!
Strasburgu
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ky është një lajm i mirë! Por, para se të ndodhte ky lajm i mirë e kishim një turpërim publik të Besnik Bislimit, zv. kryeministrit të Kosovës.
Bislimi pas një takimi me Zv. Sekretarin Bjorn Berge do të thoshte se ai “e mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikim në Këshill të Evropës”. Fatkeqësisht, Berge do të thoshte qartë, publikisht, në sy të botës, se Bislimi s’po e thoshte të vërtetën.

“Ky fatkeqësisht nuk është një përshkrim korrekt i asaj që kam theksuar në takim sa i përket aplikimit të mundshëm për Këshill të Evropës.”
Çka të thuhet tjetër?
4.2 miliardëshi
VV-ja gënjeu edhe para disa ditëve, kur pretendoi që Kosova i kishte përfituar 4.2 miliardë euro nga një program i BE-së i quajtur “Tregu i Përbashkët”.
Kosova në fakt nuk i kishte fituar 4.2 miliardë euro. Buxheti ynë është veç 3 miliardë euro. Kosova ishte bërë pjesë e një programi që në tërësi, për të gjitha shtetet pjesëmarrëse, i kishte 4.2 miliardë euro.

Vetëvendosja do ta pranonte gënjeshtrën pasi iu bë e madhe. E ndryshoi postimin. E fshiu fotografinë fillestare. Ama, merrne me mend sikur në pyetje të mos ishin 4.2 miliardë por 4.2 milionë? Zor se dikush do të kujtohej se VV-ja po gënjente. Ajo shumë parash s’do të binte në sy. Dhe edhe nëse do të binte, njerëzit s'do të lodheshin që ta dokumentonin mashtrimin.
Dje
Dje, Albin Kurti provoi ta bënte edhe një manipulim tjetër. Qe çka shkruante:
“Sipas këtij institucioni (Bankës Botërore), krahasuar me 10 vjet më parë Kosova ka rritur të ardhurat për kokë banori për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%.”

Ai donte që ju të besonit se gjatë Qeverisë së tij, në krahasim me 10 vjet më parë, Kosova kishte rritur të ardhurat për kokë banori e kishte ulur varfërinë.
Por, raporti në fjalë shkruante se gjatë dekadës së fundit Kosova kishte shënuar rritje prej 50 për qind të të ardhurave për kokë banori dhe e kishet ulur varfërinë për 35 për qind.
Pra, Banka Botërore i jepte merita Qeverisë Thaçi, Qeverisë Mustafa, Qeverisë Haradinaj dhe Qeverisë Kurti. Ama Kurti që ka propaganduar, me të drejtë a pa të drejtë ju vendosni, për “20 vjet shkatërrim” nuk deshi ta tregonte të vërtetën. Pra, se po i jepej merita gjithë dekadës për zhvillimin pozitiv në fjalë.

Ka edhe shumë e shumë raste tjera. Por, nuk po iu lodhi. Fatmirësisht, sot ekziston interneti dhe nga shtëpia nëse keni nerva mund t’i kuptoni edhe shumë mashtrime tjera.
Por, pse VV-ja bën manipulime të tilla? Sepse po e shohin që njerëzit nuk po iu besojnë më kur flasin për mënyrën se si po qeverisin. Albin Kurti menjëherë sapo nisi të qeveriste vendosi pllakate ku e cilësonte qeverinë e tij si “qeveri e mirë”. Pra, e dinë që s’janë të besueshëm më. Prandaj, iu duhet t’i korruptojnë zërat që perceptohen si të paanshëm e pavarur.
Mirëpo, në demokraci të brishta si kjo e Kosovës, qoftë zërat që vijnë nga jashtë qoftë zërat e paanshëm duhen ruajtur nga këto manipulime. Pse? Sepse nuk mund të ketë demokraci, pa pasur diçka "middle ground", një tokë të ndërmjetme, diçka në të cilën besojmë të gjithë pavarësisht se kë e çka mbështesim.