Raportohet se Gjykata Kushtetuesese mund ta shpall jokushtetuese zgjedhjen e Osmanit presidente - NACIONALE

Raportohet se Gjykata Kushtetuesese mund ta shpall jokushtetuese zgjedhjen e Osmanit presidente

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“Rrufeja” mund ta godet skenën politike kosovare. Jo shkrepëtima natyrore, por “rrufeja” e Gjykatës Kushtetuese. Sipas raportimit të Gazetës 10, që është gazeta e televizionit Kanal 10, ditë të mira nuk janë duke ardhur për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Më saktësisht, një interpretim i Kushtetueses rreth votimit të “orkestruar” të Listës Serbe për partitë joserbe mund të prek edhe vetë zgjedhjen e Osmanit si presidente, ku gjatë raundin të parë ishin pjesëmarrës 81 deputetë.

Duke u thirrur në burimet e saja, gazeta shkruan se Kushetuesja do t’i shpallë si jolegjimit dy deputetë të komuniteteve pakicë joserbe.

“Katër paragrafë të një vendimi të PZAP, ku pranohej pjesërisht e bazuar ankesa e partive të komuniteteve pakicë për ndërhyrjen që kishte pasur në procsin e votimit Lista Serbe, pritet që t`i japin Gjykatës Kushtetuese argumente të qëndrueshme që dy deputetë nga këto komunitete të shpallen jolegjitim” – shkruhet aty.

Çka thuhet tjetër?

Në shkrimin e gjatë të Gazetës 10, shkruhet se Kushtetuesja ka vendosur në favor të Veton Berishës, ish-deputet egjiptian, i cili ishte ankuar për orkestrim të votimit nga ana e Listës Serbe. Përveç Berishës, sipas raportimit në fjalë, ndryshime do të ketë edhe tek një deputet nga komuniteti rom, e gjitha për shkak që Partia Rome e Bashkuar e Kosovës ia arriti të ofrojë dëshmi të mjaftueshme për të bindur Kushtetuesen se deputeti i zgjedhur mori më shumë vota se që ka votues romë të regjistruar.

“Subjekti politik Romani Iniciativa, ka marrë vota më shumë se që ka pasur votues potencial të komunitetit rom, për të votuar në ditën e votimit të datës 14 shkurt 2021, […], bazuar në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i vitit 2011, Raportit të OSBE-së të vitit 2018, dhe bazuar në listën përfundimtare të votimit të verifikuar emër për emër secilin votues potencial. Votat e marra në vendvotimet e lartcekura nga Romani Iniciativa, janë në disproporcion me numrin e banorëve, të komunitetit rom, e të cilat paraqesin vota të pavlefshme, për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti tjetër të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër dhe si të tilla nuk paraqesin lidhje objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar.” – theksohet në në arsyetimin e Panalit Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa.

Tutje, shkruhet se PZAP-i përmend edhe garancitë kushtetuese për pakicat në lidhje me vendet e rezervuara.

“E drejta e votës dhe liria e votimit në rastin e vendeve të rezervuara nuk është identike me rastin e vendeve, pasi për vendet e rezervuara është me rëndësi lidhja objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar [theks i shtuar], sepse vetëm kështu sigurohet e drejta e përfaqësimit në kuptimin e dispozitave të LZP-së dhe në frymën e dispozitave dhe standardeve kushtetuese. Vendet e rezervuara janë garanci kushtetuese, të cilat Republika e Kosovës i ka marrë, me të vetmin qëllim për trajtimin e avancuar të të drejtave të pakicave në kuadër të institucioneve shtetërore” - thuhet në vendim.

Gazeta citon edhe qëndrimet e Avokatit të Popullit për këtë çështje, e cila ka dy vite që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Avokati i Popullit konsideron se është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të shqyrtoj kërkesën nga subjektet politike Partia Liberale Egjiptiane (PLE), Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), dhe individët Veton Berisha nga komuniteti egjiptian dhe Albert Kinolli nga komuniteti rom dhe të vlerësoj nëse në rastin konkret janë cenuar apo jo të drejtat zgjedhoredhe të pjesëmarrjes, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.” – thuhet në opinion që e ka parë kjo gazetë.

Lënda…

Javë më parë, Nacionale shkroi për këtë çështje. Në prill të 2021, Veton Berisha, kryetar i Partisë Egjiptiane, dorëzoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me dyshimet për orkestrimin e votimit nga ana e “Romani Iniciativës”, në vendbanimet me shumicë serbe. Ndonëse kanë kaluar gati dy vite, Berisha, që dikur ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, është ende në pritje të një vendimi.

Gjykata Kushtetuese deklaroi për Nacionalen se po e shqyrton lëndën, ndërsa njohësit e së drejtës kushtetuese vlerësojnë se Kushtetuesja i ka tejkaluar të gjitha afatet e arsyeshme për të vendosur për këtë lëndë. Në fakt, gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Kushtetuese, duke e pyetur për rrjedhën e lëndës dhe për mosrespektimin e afateve të parapara ligjërisht.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar dhe Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Gjykata i trajton të gjitha kërkesat në bazë të procedurave standarde të parashikuara për shqyrtimin e tyre dhe kohëzgjatja e vendimmarrjes në kërkesat e parashtruara nuk varet detyrimisht nga koha e regjistrimit të tyre, por nga kompleksiteti i çështjes që mund të ngërthejë një rast konkret.” – theksoi Kushtetuesja.

Ndërsa Veton Berisha, në një përgjigje për Nacionalen, theksoi se çuditet me faktin se Kushtetuesja ende nuk ka vendosur për këtë lëndë edhe pas dy viteve.

“Po bëhen dy vite që e kemi dorëzu ankesën, po bëhen dy vite që kjo lëndë i ka tejkalu krejt afatet e mundshme logjike, për faktin se sipas tyre kjo është kërkesë individuale, nuk e kanë ndonjë afat. Por nuk nënkupton që lënda aq e ndieshme, të lihet pa afat. Gjatë kësaj periudhe janë duke u shkel shumë të drejta të njeriut, si e drejta e votës, e drejta e përfaqësimit, mohimi i qasjes së barabartë në drejtësi. Gjykata Kushtetuese nuk i kushton rëndësi fare kësaj pune. Jam tepër i zhgënjyer, ngase kam besuar në drejtësi në Kosovë, në Gjykatën Kushtetuese, nuk po e prijudikojë vendimin, unë besoj se ne jemi në të drejtën tonë. Unë çuditem qysh Kushtetuesja me zgjat dy vite lënda.” – vazhdoi ai.

Lajme të ngjashme